Nju Jork, policia në gatishmëri të lartë

Policia në Nju Jork vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmit me kamion që shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Autoritetet po përpiqen të gjejnë motivet e autorit. Ndërkohë Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se nuk ka prova që autori që duket se ka shprehur besnikërinë ndaj ISIS-it, kishte pasur ndihmë nga organizata terroriste të huaja, por ishte radikalizuar brenda Shteteve të Bashkuara. Katër vetë, përfshirë dy fëmijë u plagosën kur autori i sulmit goditi me kamion një autobus shkollash.
Sipas njoftimeve të lajmeve, policia thotë se i dyshuari është një imigrant 29-vjeçar nga Uzbekistani, i quajtur Sayfullo Saipov.
Policia hapi zjarr ndaj tij, pasi ai doli nga kamioni me dy armë të rreme. Ai ndodhet në një spital, emri i të cilit nuk është bërë i njohur publikisht, në gjendje serioze. Ndërsa ai ishte në spital, policia punoi gjithë natën, duke grumbulluar prova nga kamioni që u përdor për sulmin.
Hetuesit zbuluan shënime në arabisht pranë kamionit që nënkuptonin besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik, thanë dy zyrtarë të rendit. Por hetuesit nuk kishin zbuluar prova për lidhje direkte mes zotit Saipov dhe ISIS-it dhe po e trajtonin episodin si një rast ku sulmuesi ishte “frymëzuar” nga ISIS-i, thanë dy zyrtarë të kundërterrorizmit.
Policia identifikoi gjithashtu një automjet që besohet të jetë i të dyshuarit në parkimin e dyqanit Home Depot në Pasaik të Nju Xhërsit. Hetuesit kontrolluan gjithashtu një xhami në Paterson, një qytet aty pranë, ku mendohet se shkonte i dyshuari.
“Ai ka jetuar këtu për tre muaj dhe nëse pyet shumë vetë këtu, askush nuk e njeh. Askush nuk ia njihte fytyrën. Dhe unë besoj se kjo është një situatë personale. Është një fakt personal dhe më bën të ndjehem keq, sepse Islami nuk na mëson kurrë të vrasim”, – thotë Nazar Oudah që shkon në të njëjtën xhami.
Në Nju Jork, parade tradicionale e Hallouinit u mbajt nën masa të rrepta sigurie, por nuk pati ndonjë incident.
Zyrtarët fillimisht thanë se nuk kishte prova që të linin të kuptoje se sulmi ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë, por prania e policisë do të shtohet nëpër rrugë:
“Do t’i shihni në aeroporte, do t’i shihni në tunele dhe kjo jo sepse ka ndonjë provë për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm, por vetëm për arsye vigjilence dhe parandalimi”, tha guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo.
Pas sulmit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter “Nuk duhet të lejojmë ISIS-in të kthehet, ose të hyjë në vendin tonë, pasi po i mposhtim në Lindjen e Mesme dhe gjetiu. Mjaft!”
Ai shtoi më pas “Sapo urdhërova Departamentin e Sigurisë Kombëtare që ta intensifikojë edhe më tej Programin për Kontroll të Hollësishëm. Nuk duhet të ruajmë korrektesën politike për një gjë të tillë”.
Presidenti Trump shkruajti gjithashtu në Twitter se i dyshuari kishte hyrë në Amerikë me një vizë diversiteti, ose siç njihet nga shumë vetë, lotaria amerikane.
Burimet e rendit i thanë medias se i dyshuari ka qenë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010. Hetuesit ka gjasa që po përpiqen të gjejnë vendet ku ai ka qenë para dhe pasi ka hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Europa, ngushëllime Amerikës
Udhëheqësit evropianë kanë ofruar ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për Amerikën, pas sulmit terrorist në Nju Jork, në të cilin u vranë tetë vetë. I dyshuari i këtij sulmi, Sayfullo Saipov, u plagos nga policia. Ai ka jetuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2010, në kohën kur ai erdhi në vend nga Uzbekistani.
Kryeministrja britanike, Theresa May, në një postim në Twitter tha se ishte “E tmerruar nga ky sulm frikacak, mendimet e mia janë me të gjithë personat e prekur. Së bashku do ta mposhtim të keqen e terrorizmit”.
Por si mund të arrihet kjo?
Analisti i sigurisë Afzal Ashraf nga Universiteti Britanik i Nottingham-it thotë se, mbrojtja nga kërcënimet terroriste globale është e vështiurë.
“Ndryshimi që ka ndodhur në mënyrë graduale që nga sulmet e 11 shtatorit është se tani komplotet e mëdha janë duke u zëvendësuar nga këto të ashtuquajtura sulme nga persona të vetëm, duke përdorur makina”, thotë ai.
Sulmi i Nju Jorkut i ngjan incidenteve të kohëve të fundit terroriste në të gjithë Evropën. Në qershor, tre sulmues përdorën një kamion për të goditur këmbësorët në Urën e Londrës, pastaj sulmuan kalimtarët me thika.
Më pak se tre muaj më parë, një sulmues i vetëm goditi me makinë këmbësorët afër ndërtesës së Parlamentit britanik, para se ta godiste me thikë një oficer policie. Policia e Londrës ka vendosuar barriera në disa rrugë kryesore të qytetit, por analistët thonë se mbrojtja e plotë ndaj këtyre sulmeve është e pamundur.
Ministri i Jashtëm francez, Edouard Philippe tha të mërkurën se, sulmi në Nju Jork është një paralajmërim i fortë i kërcënimit global nga terrorizmi.
Franca ka vuajtur më shumë se të tjerët nga këto sulme terroriste, nga të cilat kohët e fundit janë vrarë qindra njerëz në Paris dhe në Nisë. Të martën, Presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruajti një ligj që i jep atij komptenca të gjëra në luftën kundër terrorizmit.
Por, analistët e sigurisë theksojnë se është pothuaj e pamundur të krijohet një mbrojtje e plotë ndaj sulmeve që ndërmerren nga një terrorist i vetëm, që ka si pikësynim vrasjen, ose plagosjen e njerëzve.

Artikulli paraprakPresidenti Trump i bën thirrje Kongresit t’i japë fund lotarisë amerikane
Artikulli tjetërNdikimi në ekonomi i të ardhurave nga emigrantët