Njeriu i momentit te Lazio

Të mërkurën, luajti derbin i tij të parë si protagonist dhe arriti të ruante portën të paprekur ndaj një skuadre si Roma që sulmin ka pikën e saj më të fortë. Falë lëvizjeve të tij mes shtyllave, personalitetit, sigurisë dhe klasit që shfaq në fushë, Thomas Strakosha është kthyer në njeriun e momentit te Lazio. Në ecurinë e mirë të skuadrës së Simone Inzaghit në kampionat dhe kupë gjatë kësaj periudhe një meritë të padiskutueshme e ka pikërisht ai 21-vjeçari shqiptar që nga ndeshja në ndeshje po tregon se i ngjan gjithnjë e më shumë të atit Foto Strakosha dhe po ndjek pikërisht gjurmët e tij.
Falë formës së tij gjatë këtij sezoni, Thomas Strakosha ka përfunduar në fokusin e faqes së specializuar “Lalaziosiamonoi.it” që i ka kushtuar një editorial me të vërtetë special talentit shqiptar. Të gjithë të çmendur pas Strakoshës, personalitet, i përkushtuar ndaj këshillave të të atit, përveç se portieri i së ardhmes. Është ky titulli i “lalaziosiamonoi.it” dedikuar kuqeziut.
Edhe pse ka përfunduar shpeshherë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj periudhe Strakosha ka ditur të qëndrojë me këmbë në tokë. Ai stërvitet përkrah një eksperti si Federico Marchetti, i cili në të kaluarën ka mbajtur veshur edhe fanellën e kombëtares italiane, por ky fakt nuk e shqetëson aspak 21-vjeçarin, i cili ka përfituar nga dëmtimet e 34-vjeçarit për t’u treguar të gjithëve potencialin e tij dhe pse jo për t’i thënë Simone Inzaghit se meriton të jetë ai titullari i portës te Lazio edhe kur Marchetti është i gatshëm.
Di të reagojë atëherë kur duhet dhe ka instinkte fantastike, karakteristika perfekte këto për një numër 1 që ngjall respekt. Ato mes shtyllave janë aftësi të lindura, por edhe të përmirësuara me kalimin e viteve falë këshillave të babait të tij Foto: “Jam apasionuar pas sportit duke parë babain tim të luajë, e kam nisur futbollin shumë shpejt kur isha vetëm 4 vjeç dhe gjithmonë kam luajtur në rolin e portierit”, deklaron fillimisht Strakosha për “lalaziosiamonoi”.
“Përgjegjësitë që të jep roli i portierit më bënë të dashurohem më shumë me të sepse të bën ta fitosh apo ta humbasësh një ndeshje dhe kjo më karikon. Kur mbërrita në Itali për herë të parë erdha këtu për të luajtur”, nënvizon më tej Strakosha. Fillimisht ishte pjesë e skuadrës Primavera të Lazios, për t’u huazuar më pas te Salernitana në Serinë B dhe për të shpërthyer përfundimisht këtë sezon me bardhekaltërit. 12 paraqitje në këtë sezon nuk janë pak për një portier 21-vjeçar, pasi mbi të gjithë Strakosha mbron ngjyrat e një skuadre që lufton për t’u renditur në 3-shen e parë të Serisë A. Gardiani i talentuar duhet të falënderojë edhe Simone Inzhaghin që beson verbërisht tek ai, por gjithçka deri tani, 21-vjeçari e ka arritur me punë dhe përkushtim. Nga debutimi mbresëlënës në Serinë A në humbjen 2-0 ndaj Milanit te fitorja në derbin e qytetit të përjetshëm ndaj Romës, për Thomas Strakoshën ky do të jetë një sezon i paharrueshëm.
9 gola ka pësuar portieri shqiptar në këtë edicion mes Serisë A dhe Kupës së Italisë, dhe asnjë nga këto finalizime nuk ka ardhur për faj të tij. Si shpërblim për paraqitjet në fushë Lazio ka gati rinovimin e kontratës, me portierin shqiptar që shumë shpejt do të hedhë firmën mbi marrëveshjen e re. Duke iu referuar asaj që shkruan “Lalaziosiamonoi”, portieri shqiptar do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2022, me një pagë prej rreth 300 mijë eurosh në sezon. Në prononcimin e tij Strakosha konfirmoi se është i lumtur te Lazio dhe dëshiron të qëndrojë gjatë te ekipi kryeqytetas. “Ai është ri, por po tregon se është në lartësinë e duhur, kështu që e shoh në duar të sigurta të ardhmen e Lazios përsa i përket këtij roli. Fjalë këto të një portieri shumë të famshëm si Marco Balotta, i cili thuri elozhe për kuqeziun. “Lalaziosiamoi” e mbyll editorialin dedikuar Strakoshës me frazën se përveç se portieri i të ardhmes, Thomas është edhe portieri i të tashmes. Fjalë të bukura, por plotësisht të merituara këto për 21-vjeçarin shqiptar, me Strakoshën që tashmë ëndërron debutimin e me përfaqësuesen e madhe të Shqipërisë pikërisht në duelin kualifikues shumë të rëndësishëm të 24 marsit ndaj Italisë në Palermo.

Artikulli paraprakKonkurrenca del kundër koncesioneve, por injorohet
Artikulli tjetërParashikimet për Champions, jashtë Barça, kalon Real e Juve