Një shqiptar në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut

Kandidati për Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, fitoi mbrëmë një garë të rëndësishme mes demokratëve në zgjedhjet për një qark të Bronksit, duke mposhtur rivalen më të afërt me rreth 4 për qind vota më shumë.
Zoti Gjonaj, i cili aktualisht është anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, falënderoi mbrëmë mbështetësit në një fjalim që mbajti përpara simpatizantëve sapo u bë e qartë se ai kishte fituar garën për Distriktin 13.
Ai mori 38.7 për qind të votave, kundrejt 34.4 për qind që mori rivalja Marjorie Velasquez. Kandidatët e tjerë nuk arritën të ngriheshin mbi kufirin 20 për qind.
Zoti Gjonaj ka tani shansin të bëhet shqiptari i parë në Këshillin e Nju Jorkut pasi ai konkurron në një zonë ku demokratët tradicionalisht fitojnë.
Sipas gazetës “Daily News” të Nju Jorkut, Gjonaj arriti të grumbullojë gjatë fushatës më shumë se 700 mijë dollarë, që shënon një rekord në garat për Këshillin Bashkiak që nga viti 1989.
Në një intervistë që i dha kohët e fundit “Zërit të Amerikës”, zoti Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, tha se qëllimi që ai kandidon për Këshillin e Nju Jorkut është të ndihmojë komunitetin për të zgjidhur çështjet lokale dhe jo të avancojë për garat e vitit 2018 në Kongresin amerikan.
“Është në natyrën tonë t’ua shpërblejmë të tjerëve, është pjesë e traditës sonë. Ne jemi njerëz shumë bujarë, bëjmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë”, tha zoti Gjonaj, duke theksuar se Amerika i kishte dhënë shumë familjes së tij dhe se tani ishte koha që ai të kthente borxhin.

Artikulli paraprakU godit me thikë, vdes në spital 46-vjeçari
Artikulli tjetërHumb jetën punonjësi i Bashkisë në Korçë, u rrëzua nga ekskavatori