Një nga ndeshjet më të dobëta

Ish-sulmuesi i Kombëtares, Roland Luçi, ka kritikuar trajnerin Xhani De Biazi për mënyrën si e kishte përgatitur ndeshjen e humbur 2-0 ndaj Spanjës të dielën mbrëma në “Loro Boriçi”. Në një postim në “Facebook”, ish-futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë thotë se, nuk është tragjedi të mundesh nga Spanja, por kuqezinjtë duhej të kishin guxuar më tepër në vend që të qëndronin 90 minuta në gjysmëfushën e tyre. Ai merr si shembull Maqedoninë, që po mbrëmë guxoi dhe i shënoi dy gola Italisë, paçka se u mund 3-2 në minutën e fundit.
“Spanja mund te mposhtë çdo ekip të botës dhe të humbasësh kundër saj nuk përbën shkak për akuzë ndaj kujdo ekipi, ndaj kujtdo traineri. Por ta vendosësh ekipin në atë formë që të mos tentosh dhe të mos guxosh të dalësh nga gjysmëfusha jote, duke shpresuar se ekipi teknikisht më i mirë në botë nuk do të shënojë dot, duke luajtur 90 minuta në zonën tënde të rreptësisë, përbën një shkak për akuzë, sigurisht për aq sa mund të quhet akuzë nga bashkëatdhetarët e mi përkrahës pa kushte të tij që kritikat e mia të kahershme për mënyrën e lojës së ekipit tonë Kombëtar nuk i mirëpriten kurrë.
Ndërkohë, Maqedonia e dobët guxon, tenton, provon dhe shënon në mënyrë sensacionale dy gola ndaj Italisë, Italisë po aq të fortë sa Spanja, e cila fiton vetëm në minutën e fundit. Kurse për Islandën mikroskopike diku thellë në Arktik nuk po flasim, ata dihet që janë “superfuqi”. Ndoshta është fati i tyre që nuk kanë një trainer alla de Biasi…
Gjatë analizave të ndeshjeve Loro Boriçi kishte një porosi për mbrojtësit: Dole në sulm, duke dribluar të gjithë lojtarët e ekipit kundërshtar dhe godite shtyllën, ndërkohë sulmuesi kundërshtar i yti në kundërsulmin e nisur nga ky rast shënon gol dhe ekipi ynë humbet, ti mbrojtës je shkaktar dhe përgjegjës i humbjes. Pikërisht kjo ndodhi (edhe) sot me portierin tonë Berisha – priti dy a tre herë shumë mirë dhe pastaj gafa e tij inicioi humbjen e ndeshjes”, shprehet ish-sulmuesi i Kombëtares, Roland Luçi.

Artikulli paraprakKaçe del kundër trajnerit De Biasi
Artikulli tjetërSergio Ramos dëmtohet në Shkodër, mungon 6 ndeshje