Një i ndaluar për shpërthimin në Nju Jork

Policia e Nju Jorkut thotë se një i dyshuar është ndaluar pas një shpërthimi pranë Terminalit të Autobusëve, që kryebashkiaku Bill de Blasio e quajti përpjekje për “sulm terrorist”.
Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, James O’Neill, e identifikoi të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç dhe tha se personi kishte të lidhur në trup një “pajisje eksplozive të improvizuar të teknologjisë së ulët”.
Ullah pësoi djegie dhe plagë në trup pas shpërthimit “të qëllimshëm” të pajisjes, u tha O’Neill gazetarëve, duke folur në prani të kryebashkiakut de Blasio dhe guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo.
Departamenti i zjarrfiksëve i New Yorkut konfirmoi tre të lënduar të tjerë, me plagë pa rrezik për jetën.
Linjat e metrosë pritet të kthehen në normalitet për orën me trafik të dendur të mbrëmjes. Pas ngjarjes, trenat u evakuan dhe anashkaluan stacionin e Rrugës 42 të Manhatanit, që është në zemër të Sheshit Times Square, një destinacion popullor për turistët.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha në Twitter se Presidenti Donald Trump ishte informuar për ngjarjen.

Artikulli paraprakFaza e fundit e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel
Artikulli tjetërTrump kërkon reformimin e sistemit të migrimit