Një muaj pas ardhjes në qeveri e majta ligj pro korrupsionit

Prej ditësh qindra mijëra vetë protestojnë në Rumani kundër përpjekjes së qeverisë për të zbehur luftën kundër korrupsionit. Vetëm një dorëheqje e kabinetit qeveritar mund ta qetësojë gjendjen, mendon Robert Schwartz.
Një gjysmë milion vetë që protestojnë, kjo nuk ka ndodhur më që pas rrëzimit të diktatorit komunist Çaushesku para 27 vjetësh. Shoqëria civile në Rumani të shtunën arriti një fitore të pjesshme, por sidoqoftë shenjat flasin për një stuhi të mëtejshme.
Kryeministri Sorin Grindeanu dhe kryetari i partisë së tij Liviu Dragnea, presidenti i Parlamentit dhe ai që i komandon fijet në prapaskenë në kabinet, janë të komprometuar në mënyrë të pakthyeshme. Përpjekja, për ta shpëtuar Dragnean të dënuar për mashtrim elektoral dhe ndërkohë në proces për abuzim në detyrë kanë dështuar. Dragnea, kjo tashmë është e qartë, nuk mund të bëhet më kryeministër – pikërisht sepse ai ka rekord penal dhe mbetet i tillë. E megjithatë ai përpiqet bashkë me kolegët e partisë dhe të qeverisë, si edhe me kryetarin e partisë partnere në koalicion pseudoliberalët ALDE, presidentin e senatit Calin Popescu Tariceanu, me të gjitha mjetet që t’i minimizojë demonstratat. Në televizionet “e afërt me të” hamendësohet për komplot ndërkombëtar dhe presidenti Klaus Iohanni bëhet personalisht përgjegjës për protestat.

Presidenti në anën e demonstruesve
Iohannis liberal-konservator iu drejtua Gjykatës Kushtetuese kundër dekretit me procedurë të përshpejtuar duke u pozicionuar kështu përkrah shoqërisë civile. Nga kundërshtarët e tij tani ai – ashtu si edhe në luftën elektorale – demonizohet si “i huaj”, si element “jo rumun”. Ai i përket minoritetit gjerman në Rumani dhe është evangjelist-lutherian, ndryshe nga shumica ortodokse e popullsisë. Mbështetësit e socialdemokratëve, të manipuluar në mënyrë perfekte nga platforma mediale e partisë, e shohin Iohannis tani si tradhtar të kombit, që gjoja dirigjohet nga larg prej Angela Merkelit. Madje po dëgjohen edhe parulla që e krahasojnë atë me Adolf Hitlerin!
Këto komplote ndërkombëtare kundër Rumanisë, sipas kampit qeveritar, financiohen prej miliarderit amerikan George Soros, prejardhja hungarezo-hebreje e të cilit është perfekte për këtë imazh absurd. Tërësisht në mënyrë të papërgjegjshme Dragnea, Tariceanu & Co., bëjnë fjalë për interesa rajonale politike, që synojnë ndarjen e Rumanisë dhe e përmendin këtë në kontekstin e Hungarisë dhe të Republikës së Moldavisë. Ambasadorët nga vendet partnere të BE-së dhe nga SHBA-ja, që e kanë kritikuar qëndrimin e qeverisë, akuzohen se po ndërhyjnë në punët e brendshme. Rumania, ky është lajtmotivi i reagimeve të koalicionit PSD-ALDE, duhet të sensibilizohet për vlerat e veta kombëtare dhe të mos lejojë ta heqin nga hunda BE-ja dhe NATO-ja. Këto tone të qeverisë dhe në radhë të parë indinjata se si i përcjellin ato politikanët drejtues të Rumanisë, po dëgjohen për herë të parë që pas anëtarësimit të vendit në NATO (2004) dhe në BE (2007).
Ajo që po ndodh këto ditë në Bukuresht dhe në të gjithë Rumaninë është rrjedhojë logjike e një politike të gabuar të qeverisë së re. As një muaj në detyrë koalicioni i socialdemokratëve dhe liberalëve e ka humbur tërësisht besimit tek zgjedhësit pas fitores së bujshme në zgjedhje. Tani synohet të minimizohet dëmi, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Humbja e besimit ndaj ekipit qeveritar është aq e madhe sa ajo nuk mund të rikuperohet me tërheqjen e dekretit të diskutueshëm, që synonte ta bënte të pamundur luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve me postin. Përkundrazi, deklarimi i ministrit të Drejtësisë se, do të propozojë një tjetër projektligj për ndryshimin e Kodit Penal dhe tërheqja që pasoi e kësaj deklarate nuk janë bërë për të forcuar besimin tek qeveria, por mesa duket për t’u pozicionuar kundër shtetit ligjor.

Një kabinet që nuk gëzon besimin e popullit
Vendi nuk mund ta përballojë një krizë afatgjatë politike. Këtë në fakt duhet ta dijë edhe qeveria. Ekipi aktual e ka humbur tërësisht legjitimitetin. Kush e cilëson luftën kundër korrupsionit si “bullshit”, sikurse u shpreh Dragnea në një intervistë për radion zvicerane, nuk ka se çfarë kërkon në krye të një vendi anëtar të BE-së.
Për fat të mirë në radhët e PSD-së ka politikanë të rinj reformatorë, të cilët distancohen nga qëndrimet e shefit të tyre dhe e mbështesin shoqërinë civile. Brenda partisë, kështu thuhet, ka nisur përçarja e madhe. Në njëfarë mënyre protestat masive të kujtojnë kthesën politike në vitin 1989. PSD-ja nëse do ta shpëtojë disi fitoren në zgjedhje duhet të japë dorëheqjen dhe të prazantojë një ekip krejt të ri qeveritar. Për të martën (07.02) presidenti Iohannis do të mbajë një fjalim në Parlament. Në luftën për shtetin ligjor në Rumani ka nisur raundi pasues.

Artikulli paraprakMarine Le Pen nuk do të jetë kurrë presidente
Artikulli tjetërDokumenti, Balili tonelata kokaine në BE dhe New York