Një lumë rublash për nacionalistët europianë?

Në mediat perëndimore gëlojnë akuzat për Vladimir Putinin se financon parti e lëvizje të së djathtës radikale europiane dhe formacione të tjera armiqësore ndaj NATO-s dhe Bashkimit Europian. Si lind kjo fushatë dhe mbi çfarë faktesh mbështetet? Rreziku për të shkëmbyer shkak dhe pasojë.
Soft power i Kremlinit për të influencuar opinionin publik europian vërehet më shumë kur ekziston, kur nuk ekziston apo kur e shikojmë kundër dritës? Një çikë ekziston dhe një çikë jo. Nuk është aspak mister që në Moskë kohët e fundit i është dhënë një dorë me të bardhë instrumenteve të vjetër të propagandës. Televizione, radio dhe uebsajte shumë profesionalë, përveç se “qendrave studimore” të reja, janë shfaqur pothuajse kudo për të mbrojtur dhe përhapur arsyet e Kremlinit. Ka qenë “Sputnik”, kolosi multimedial i lindur më 2014 nga gërmadhat e agjencisë “Ria Novosti” me një uebsajt që boton mijëra artikuj në ditë dhe një radio që transmeton informacione në 38 gjuhë (përfshi edhe atë urdu), ai që ka botuar studimin e psikologut amerikan, Robert Epstein mbi “truket” e përdorura nga motori i kërkimit Google për të orientuar në mënyrë pozitive kërkimet mbi Hillary Clinton. Është folur pak, pasi kandidatja e parë femër për presidencën e Shteteve të Bashkuara është e paprekshme, por askush nuk ka guxuar t’ia kontestojë rezultatet.
Megjithatë miniskandali e ka rindezur zjarrin e polemikës mbi soft power rus të zbatuar ndaj garës presidenciale amerikane. Kanë qenë hakersat rusë (të dërguar apo të mbrojtur nga Moska?) ata që kanë rrëmuar në bodrumin pak të ndriçuar të Partisë Demokrate dhe që i kanë kaluar WikiLeaks e-mail-et shumë të ndritshëm lidhur me primaret, qysh nga fillimi të “rregulluara” për të favorizuar Hillary Clinton në kurriz të Bernie Sanders? Është Kremlini ai që po lufton të zgjidhet Donald Trump, kandidati që do të donte t’ia linte Krimenë Rusisë dhe NATO-n një çikë më pak vetvetja? Do të jetë Putini ai që do të zgjedhë Presidentin e ri amerikan? Në Shtetet e Bashkuara histeria antiruse është edhe një instrument i rëndësishëm lufte politike. Derisa mund të ulërijë kundër Putinit, Clinton shmang që të shpjegojë përmbajtjen e disa e-mail-eve të caktuar apo pakot e dollarëve që Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mbështetës të mëdhenj të ekstremizmit islamik, derdhin në fondacionin e saj. Por në Europë situata është paksa ndryshe. Këtu tek ne, flitet për paratë e Kremlinit, për partitë politike. Gjë që përhap aromën familjare të Luftës së Ftohtë të vjetër të dashur (paratë e Bashkimit Sovjetik për partitë komuniste perëndimore, ato të diktatorit Franco për të djathtën italiane…), por gjithsesi shkakton ndonjë të rrëqethur. Sepse partitë, megjithësë të diskredituara dhe pak të vlerësuara kudo në Europë, mbesin prapëseprapë aktorët kryesorë të debatit politik në sistemin e demokracisë përfaqësuese.
Të parët që u kanë rënë kambanave të alarmit kanë qenë në dhjetor 2009 analistët e Political Capital, një institut kërkimor i themeluar në Budapest më 2001. Studimi i shkurtër i botuar atëherë – E djathta ekstreme e Rusisë ose miqtë e të djathtës ekstreme të Rusisë – e skartonte si spekulim gazetaresk të thjeshtë (“Mediat duhet ende të paraqesin ndonjë provë për t’i konfirmuar këto hipoteza”) idenë se Kremlini shpërndante para, për të mbështetur një fakt që “partitë e së djathtës ekstreme kanë një afërsi ideologjike dhe politike me Rusinë që krijon një marrëdhënie shumë më jetëgjatë dhe me përkufizim më të saktë se ajo që mund të jetë krijuar me para”. Në këtë pikë, ja vlen të harxhohen dy fjalë rreth origjinës së Political Capital. Instituti i themeluar më 2001 nga Krisztian Szabados, specialist marrëdhëniesh ndërkombëtare dhe studiues i populizmave. Për dy vite me radhë (1998–2000) Szabados ka qenë edhe zëdhënës i SSDSZ-së, Partisë Liberale të Hungarisë, shumë e fortë në kohët e para pas rënies së komunizmit, por dora-dorës e dobësuar derisa është hequr zyrtarisht nga listat më 2013. Midis partnerëve financiarë të Political Capital gjenden edhe Open Society i George Soros, miliarderit amerikan i lindur në Budapest më 1930 dhe International Visegrad Fund, domethënë organizata e krijuar më 2000 nga katër qeveritë e Grupit të Vishegradit (Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia) për të promovuar krijimin e një identiteti gjeopolitik dhe kulturor të përbashkët.
Me këtë rrezikohet që të kalohet nga një soft power tek tjetri: në fakt, nuk përbën mister për askënd se Soros, nga fondacioni i parë i hapur në Letoni më 1992 tek Panama Papers, është një prej interpretuesve më të vazhdueshëm dhe efikasë në lëmin e teorisë politike të “eksportimit të demokracisë”, e miratuar nga administrate e George Bush senior menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit dhe të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Open Society e tij, duke operuar për hesap të vet ose duke mbështetur një listë shumë të gjatë OJQ-sh, fondacionesh, shoqatash dhe think tank, mban lart prej dekadash në të gjithë Europën Lindore flamurin e besnikërisë ndaj vlerave liberale dhe aleancës atlantike. Për sa i përket Grupit të Vishegradit, bëhet fjalë për 4 vende mjaft besnike ndaj NATO-s, anëtarë të Bashkimit Europian dhe pak të prirur për t’u simpatizuar me Rusinë. E para Polonia, ku është operativ sistemi raketor AEGIS, i dëshiruar nga NATO. Në këtë kuadër, Political Capital ka qenë zëri i parë që ka investiguar në mënyrë sistematike për lidhjet e Kremlinit me partitë populiste të Europës. Mund të themi se alarmi është intensifikuar dora-dorës që këto parti rriteshin dhe strategjia putiniane tregohej e aftë dhe intransigjente. Në mars të 2014 qendra boton raportin “The Russian Connection – The Spread of pro-Russian policies on the European far right” (Russian Connection – Përhapja e politikave proRusisë në të djathtën ekstreme europiane), në mars të 2015 “I am Eurasian – The Kremlin Connection of the Hungarian far-right” (Unë jam euraziatik – Kremlin Connection i së djathtës ekstreme hungareze) dhe në dhjetor po të 2015 akoma edhe më shumë voluminozi “From Paris to Vladivostok – The Kremlin Connection of the French far-right” (Nga Parisi në Vladivostok –Kremlin Connection i së djathtës ekstreme franceze). Ia vlente që të rievokoheshin të gjitha këto për të paktën dy arsye. E para, është se kanë qenë këto kërkime, për vite me radhë, që kanë diktuar hapin e vëmendjes së përgjithshme (me siguri ajo e medias) mbi raportet e reja midis drejtuesve të politikës ruse dhe partive populiste të Europës Perëndimore. E dyta, është se pikërisht nga këto kërkime shfaqet nyja e vërtetë e problemit. Analistët hungarezë vazhdojnë ta përsërisin: “Asnjë provë (e financimeve ruse për partitë europiane, shënimi im) nuk ka dalë deri më tani” (The Russian Connection, 2014). Në fakt, theksojnë ata, Kremlini është i gatshëm që të ofrojë “një asistencë profesionale, organizative e mediatike akoma më të çmuar, përveç aksesit ndaj rrjeteve të caktuar dhe në një know-how politike”.
Me pak fjalë, Kremlini do të ishte një superkonsulent, një superspin doctor i partive të së djathtës ekstreme europiane. Në Hungarinë e Jobbik-ut (20.22 për qind e votave në zgjedhjet politike të 2014 dhe 23 vende në Parlament), në Bullgarinë e Attack-ut (4.52 për qind e votave në zgjedhjet e 2014 dhe 11 vende), në Sllovakinë e Kotleba-s (8.04 për qind e votave në zgjedhjet e 2016 dhe 14 vende në Parlament), në Greqinë e Agimit të Artë (7 për qind e votave në zgjedhjet e 2015 dhe 18 vende), në Mbretërinë e Bashkuar e British National Party, për më tepër sot faktikisht e shuar, në Austrinë e Partisë së Lirisë (20.55 për qind në zgjedhjet politike të 2014 dhe 40 vende në Parlament), në Danimarkën e Partisë Popullore, formacioni i dytë i vendit në zgjedhjet politike të 2015, me 21.1 për qind të votave dhe 37 vende. Nuk i shpëtojnë listës Forca e Re e Roberto Fiore dhe sidomos Lega Nord e Matteo Salvini, udhëtimet e të cilit në Moskë kanë tërhequr penat e “The Telegraph” anglez. Në një artikull të janarit 2016, bazuar në konfidencat e një numri jo të përcaktuar mirë “senior British government officials”, e përditshmja angleze i referohej një hetimi të komisionuar nga Kongresi amerikan i shërbimeve sekrete për të kuptuar nëse “shërbimet e sigurimit rus po financojnë parti dhe bamirësi me synimin që të minojnë kohezionin politik, të promovojnë protesta kundër sistemit raketor NATO dhe të minojnë tentativat e gjetjes së alternativave për burimet energjetike ruse”. Midis partive që, sipas “Telegraph”, do të mund të përfundonin nën shqyrtim nga ana e shërbimeve sekrete amerikane, ishte edhe Lega Nord, bashkë me të zakonshmit Jobbik, Agimi i Artë dhe Front National.
Edhe këtu prova zero. Por një kuadër ideologjik që bëhet më i saktë dhe që shtypi popullor anglez do ta quajë, do ta përkthejë nga ana e tij me tituj si ky i “Sunday Express”: “Plani sekret i Rusisë për të shkatërruar Bashkimin Europian dhe NATO-n: Putini financon operacione sekrete antiperëndimore në të gjithë Europën”. Pastaj, në qoftë se lexohet linku i të njëjtit artikull, kuadri merr ngjyra akoma më të mjegullta: “Putini investon miliona për të krijuar agjitacion social në Europë”. Ajo që frikëson shumë njerëz nuk është fluksi eventual i parave. Është rreziku, ky po, objektiv, i një konvergjence të interesave (gjeopolitike dhe ekonomike) të Rusisë me ndjenjat e thella të disa lëvizjeve që janë më të forta djathtas, pranë partive të sipërpërmendura, por nuk mungojnë as majtas dhe mund të sintetizohen këtu: skepticizëm ose kritikë radikalë ndaj Bashkimit Europian; mosdurim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të pretendimeve të tyre për supremaci globale; mosbesim ndaj NATO-s, e parë si krah i armatosur i politikës amerikane dhe si pjesë e problemit më shumë sesa e zgjidhjes; nacionalizëm, si përgjigje ndaj vështirësive të globalizimit, deri në racizëm; dëshirë për ose tendencë për të “çuar varrezën e makinave” mekanizmat e demokracisë përfaqësuese deri në mitin e dorës së fortë apo të liderit të vetëm në komandë. Vëzhguesit më inteligjentë, siç ka bërë “Foreign Policy”, ftojnë me të drejtë që të “mos ngatërrojnë shkakun me pasojën”. Shkruan Scott Radniz: “Në rast se Rusia është vërtet e impenjuar për të asistuar grupe simpatizante në Europë (dhe është për të nënvizuar se bëhet akoma fjalë pothuajse gjithmonë për zëra), nuk është pse Putini është një buratin që manipulon politikanë naivë me lëvizje të zgjuara, por sepse është i ftuar që ta bëjë. (…) Fakti që Kremlini i shikon politika të caktuara që i urren të kontestuara nga vetë europianët, kjo nuk do të thotë se ky kontestim nuk është një fenomen naiv dhe autonom”. Me fjalë të tjera: në qoftë se rreth çereku i vendeve në zgjedhjet europiane të 2014 i ka shkuar partive të djathta e të majta euro dhe NATO – skeptike, duhet ta ketë patjetër ndonjë arsye që e ka bazën jo vetëm tek Putini dhe tek rublat (eventuale) të tij.
Jo më pak, kovergjenca e interesave ekziston dhe është reale. Mund t’i vijë keq Kremlinit që Bashkimi Europian i sanksioneve të kontestohet nga brenda, nga vetë qytetarët e tij, shpesh me arsye të mira? Mund t’i vijë keq Kremlinit që një NATO gjithnjë e më e fuqishme dhe gjithmonë e më shumë e projektuar nga Lindja t’u duket shumë njerëzve si një kërcënim dhe jo si një garanci? Mund t’i vijë keq Kremlinit me pushtet të supercentralizuar që ritet e demokracisë përfaqësuese kanë rënë kaq shumë në sytë e europianëve nën shtytjen e referendarizmit permanent dhe të tërheqjes për qeverinë kombëtare dhe të fortë? Nuk ka qenë sigurisht Putini ai që i ka urdhëruar britanikët ta vendosin Brexit-in me një referendum me një raund dhe mazhorancë të thjeshtë, mekanizëm vendimmarrës brutal i pazbatuar kurrë më parë për të realizuar një zgjedhje me një rëndësi të tillë jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por për të gjithë Bashkimin Europian. Natyrisht, mediat e menaxhuara nga Kremlini për të riinformuar (kundërinformuar, dezinformuar, le ta themi si na pëlqen më mirë) publikun jorus nuk janë kursyer në mbështetjen e arsyeve të Leave, natyrisht. Dhe në anën Remain të barrikadës, në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si në Shtetet e Bashkuara, është përdorur gjerësisht argumenti Putin për të bindur votuesit që t’i kundërviheshin Brexit-it: i vetmi që do të fitojë është Kremlini, Brexit-i i shërben interesave të Rusisë e kështu me radhë. Një rast klasik në të cilin një soft power akuzon një soft power tjetër se bën soft power. Domethënë një absurd?
Problem i vërtetë, ajo që tani e shtyn edhe Kongresin amerikan të kërkojnë hetime dhe investigime, nuk ka të bëjë me paratë. Ka të bëjë më shumë me aftësinë e pazakontë të Kremlinit për të tërhequr konsensus duke shfrytëzuar krizat e konsensusit e të tjerëve. Të ngrihesh në njëfarë mënyre në model të pavarur pikërisht teksa kritika ndaj dogmave dikur shumë të forta të atlantizmit dhe të europeizmit arrin një intensitet të paparë ndonjëherë dhe duket derisa bashkon radikalët e djathtë e të majtë. Pikërisht sepse, në fund të fundit, paratë nuk janë thelbi i problemit, Front National francez i Marine le Pen (partia e parë në Francë në administrativet e 2015 me 27.3 për qind të votave) ka kaluar relativisht e paprekur nëpërmjet “rastit” të parë të sqaruar të financimeve ruse për një parti (në këtë të pikë) të madhe perëndimore, liderja e së cilës më 2017 tenton të garojë për presidencën e Republikës. Ai që ka shpërthyer skandalin ka qenë uebsajti francez “Mediapart”, që është i specializuar në gazetari investigative (një tjetër goditje e uebsajtit ka qenë më parë ajo e fondeve të derdhura nga Libia e Khadaffi për të financuar fushatën presidenciale të Nicolas Sarkozy) dhe sidomos ka fituar një pikë të ndershme në mbajtjen nën vëzhgim të makinacioneve të Marine le Pen dhe njerëzve të saj. Kështu, “Mediapart” ka zbuluar se Front National kishte kërkuar dhe më pas siguruar më 2015 një hua prej 9.4 milionë eurosh nga First Czech Russian Bank e financierit rus, Roman Jakuboviç Popov.
Para që natyrisht do të shkojnë të financojnë fushatën e Marine le Pen në garën tashmë të afërt drejt Elizeut. Në klasifikimin e instituteve kreditore ruse kjo bankë zë vendin e 43-të dhe Popov është pronari në masën 100 për qind. Natyrisht, vulgata e gazetave e ka përshkruar bankierin si “afër me Kremlinin” apo “intim me Putinin”, formula standarde kur dëshirohet të aludohet pa e ditur mirë se çfarë të thuhet. Por formula që në këtë rast janë afër me realitetin. Përpara se të bëhej pronari i vetëm i bankës, Popov ka qenë për një kohë të gjatë (1992–2002) menaxher i rëndësishëm i “Strojtransgaz”, kompani e madhe ndërtimesh e specializuar në naftësjellësa e gazsjellësa që i përket “Volga Group” të Gennadij Timchenko. Ky është realisht një mik i madh i Vladimir Putin, qysh nga kohërat e ndeshjeve të xhudos në Shën Petërsburg dhe është një prej biznesmenëve rusë që kanë pasur suksesin më të shpejtë e më të befasishëm: nga 1997, kur krijoi kompaninë e tij të parë të quajtur Gunvor, deri më sot, Timchenko është bërë një fuqi që ka grumbulluar një pasuri personale, të cilën “Forbes” më 2014 e ka vlerësuar në 16 miliardë dollarë, që e vendos në vendin e 62-të midis njerëzve më të pasur të planetit. Nga menaxher i besuar i Timchenko në pronar unik të një banke jo të madhe, por të vendosur, sipas interesave kombëtare ruse, në një pikë kyçe, në atë Republikë Çeke që shumë vëzhgues sot e konsiderojnë si porta hyrëse më e rëndësishme në Europë për financën ruse: e lehtë të imagjinohet që Popov nuk është i papëlqyer në Kremlin.
Për më tepër, simpatia midis Putinit dhe Marine le Pen është e vjetër dhe e luajtur në dritën e diellit. Front National e ka miratuar veprimin rus në Ukrainë dhe në vitin 2012, Le Pen ka dalë me dëshirë për të bërë “vëzhguesen” në referendumin mbi vetëvendosjen e Krimesë, duke e gjykuar si krejtësisht legjitim. Në rastin e zgjedhjeve europiane, Putin nga ana e tij shprehu shumë elozhe për performancën pothuajse të habitshme të Front National. Dhe në fakt Le Pen, pyetjes nëse paratë ruse kanë mundur ta influenconin linjën politike të partisë, i është përgjigjur pa shumë komplekse: “Është prej një kohe të gjatë që mbështesim të njëjtën linjë proruse”. Në Francë Partia Socialiste, edhe në valën e indikacioneve dhe zërave mbi hua të tjera në mbërritje (flitet deri për një shumë të përgjithshme rreth 40 milionë euro) ka reaguar duke u dhënë mandat deputetëve Razzy Hammadi dhe Sebastien Denaja t’i kërkojnë Asamblesë Kombëtare krijimin e një komisioni hetimor “mbi financimin e Front National nëpërmjet huave bankare ruse”. Kërkesë e pranuar menjëherë nga një Asamble ku e majta ka shumicën. Hetim që nuk do të çojë në asgjë, pasi transaksioni midis First Czech Russian Bank dhe Front National, mesa duket, është realizuar në dritën e diellit (ose pothuajse), paratë janë paraqitur në bilanc dhe asnjë prej ligjeve që në Francë rregullojnë financimin e partive nuk duket se është shkelur. Por e gjitha kjo krijon edhe një precedent. Ama ajo që ka më shumë vlerë, edhe një herë akoma, është se afera duket se nuk e ka tronditur aspak bazën elektorale të Front National. Gjë që na riçon në nyjen e problemit: janë vërtet paratë e Putinit problem? Apo sërish po ngatërrojmë shkakun me pasojën?
(Fulvio Scaglione për “Limes”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTurqia me Trumpin
Artikulli tjetërAmerika e Trump, si do të jetë?