Një kryetar pa kushte dhe pa teka

Fatmir GUDA

Demokratët e ndjekin me shumë shqetësim polemikën e shpërthyer për njeriun që do i prijë opozitës në 4 vitet e ardhshme, sidomos pas ngrirjes së funksioneve drejtuese prej kryetarit të PD, z. Lulzim Basha, si pjesë e përgjegjësisë kryesore që ai i njohu vetes për humbjen e demokratëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, thotë ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit dhe njëherësh ish-kryetari i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda. Në një analizë të tij mbi kandidatët që do të kërkojnë votën e demokratëve për kreun e PD, Guda shprehet se, “Ankthi që shoqëron demokratët e thjeshtë ka të bëjë me faktin se sa do të prodhojë kjo garë reale një lidership të gjithpranuar e para së gjithash një stabilitet politik brenda PD, me qëllim evitimin e një çarje që mund të jetë mbase e pashmangshme e jo pa pasoja serioze për të djathtën.
Ndërsa z. Selami e ka bërë fakt të kryer kandidimin dhe i është përveshur kontakteve me kryetarët e grupeve të punës, kryetarët e degëve, njohjes me listat e anëtarësisë dhe hartimin e platformës së vet për kreun e PD, Astrit Patozi ka zgjedhur të përplaset fort me Lulzim Bashën, duke e anatemuar publikisht dhe sfiduar atë për plotësim sipas tij të kushteve të munguara të garës, megjithëse, për shkak të delegimit të funksioneve organizative dy nënkryetarëve të PD, z. Basha është njëlloj i pamundur si çdo kandidat tjetër të diktojë grupin organizator të punës për kondicionet e kërkuar nga kandidatët e tjerë.
Nuk dihet se pas të qenit për kandidat z. Patozi e ka seriozisht kandidimin apo thjesht në skenarin më të keq po tenton të bëjë pis procesin me synim linçimin e Bashës referuar ligjëratës së derisotme të tij, si një kryetar uzurpues, duke i dhënë udhë asaj që deri më sot duket e pabesueshme, krijimin e një force politike më vete me pjesëmarrjen e mundshme në të, të atyre që sot konsiderohen ish-të plotpushtetshmit demokratë, të pakënaqur prej mbetjes jashtë listës Basha 2017.
Në këto rrethana, të vetmit që po e përjetojnë me preokupacion ankthi këtë klimë tensioni janë demokratët, viktimat direkte të nëpërkëmbura prej pushtetit socialist të Edi Ramës, që përtej zhgënjimit nga humbja e zgjedhjeve, më shumë sesa kushte garimi, janë dukur si teka, suportuar pretendimet e Astrit Patozit si teka apo pretekse për t’i  hedhur baltë asaj që s’mund ta arrijë dot.
Atyre u lipset një kryetar unifikues, një lider që ta çojë PD në qeverisjen e vendit dhe aspak një kryetar tekanjoz”.

Artikulli paraprakBasha: Përballja me oligarkinë sfida kryesore sot e opozitës
Artikulli tjetërFitimtarit i duhet të kënaqë peshkaqenët që shqyen votat