Një javë nga atentati në Elbasan, policia nuk ka asnjë të ndaluar

Megjithëse po mbushet një javë nga atentati në Elbasan ku mbeti i plagosur Bledar Muça, miku i Florenc Çapjas, policia ende nuk ka asnjë të ndaluar. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e të hënës pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan. Në mes të ditës, në qendër të qytetit, mbi makinën me të cilën ata udhëtonin u zbrazën plumba kallashnikovi, duke u rrezikuar jeta e dhjetëra personave që ndodheshin në qendër të qytetit.
Objektiv i atentatit ishte Bledar Muça, 37 vjeç, ndërsa Matilda Kermezi, 49 vjeç, punonjësja e policisë është plagosur aksidentalisht. Në momentin kur ndodhi ngjarja, ajo ishte duke u kthyer për në banesën e saj, pasi kishte mbaruar shërbimin, por puna e saj ndodhet pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja. Kermezi ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në shpatull, dhe tashmë ndodhet në reanimacion në Spitalin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur në një orë kur zona ka qenë tejet e populluar me banorë. Krismat e kallashnikovit kanë vënë në panik të madh dhe të vogël. Kalimtarët e rastit janë tmerruar nga breshëritë e plumbave dhe kanë vrapuar për t’i shpëtuar vdekjes. Është qëlluar pa kontroll dhe plumbat kanë prekur deri institucionet aty pranë.
Burimet e policisë bënë të ditur se, dyshohet se atentati ka qenë i mirëmenduar. Policia ka ndërtuar skemën e lëvizjes së autorëve ndaj shënjestrës. Sipas hetimeve paraprake, makinën tip “Golf” ku udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja, e ka ndjekur nga pas një motor. Në momentin e atentatit një makinë i ka prerë rrugën “Golfit” duke e detyruar të ulë shpejtësinë, ndërsa makina tjetër i ka shkuar paralel dhe ka hapur zjarr. Ndërkohë, autorët janë larguar me një automjet të zi në drejtim të paditur për policinë.
Pak minuta pas atentatit në Elbasan, policia arriti të gjejë armën me të cilën u qëllua ndaj Bledar Muçës. Sipas burimeve të policisë, arma është një kallashnikov, me të cilin u plagos Bledar Muça dhe një punonjëse e policisë. Bledar Muça po lëvizte me makinë bashkë me Çapjen kur janë qëlluar me armë. Atentatorët ndoqën më pas edhe ambulancën që po transportonte Bledar Muçën me synimin për ta eliminuar. Kjo gjë ngjall dyshime të forta se Muça ka qenë objektiv i atentatit.
Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën “arrest me burg” për Florenc Çapjen e Bledar Muçën. Ndërsa Ardian Çapjas do t’i komunikohet masa e sigurisë në spital. Këta persona janë arrestuar më 9 qershor pas një përplasje me armë që kanë bërë ndaj policisë. Dy personat ishin shënjestër e një atentati me armë në Elbasan në këtë fillim qershori.

Artikulli paraprakAfera skandaloze, pse Kampionati nuk jepet në televizionin publik
Artikulli tjetërBiznesmeni shqiptar kapet me 77 kg drogë në Itali