Një datë për në Europë?

“Monitor”

Vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, kishin hyrë në dyshime se, përparimi i tyre drejt Bashkimit Europian, ishte frenuar.
Kriza ekonomike, kriza e refugjatëve, fuqizimi i krahut të djathtë ekstrem për një Europë të mbyllur dhe kërcënimi rus i harxhuan energji Brukselit. Vendet e vogla të rajonit tonë,të paduruara me shpejtësinë e vogël të ecjes së procesit të integrimit, e përkthyen si pavendosmëri të BE-së.
Nga ana tjetër, qeverisjet e dobëta i frynë politikisht këto dyshime për të justifikuar paaftësinë për plotësimin e kritereve të brendshme. Në Shqipëri, qeveria luajti me kartën e kërcënimit rus dhe herë me kartën se BE po “shpik” kritere sipas koniunkturave, pa përcaktime të qarta.
Strategjia e Zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor është lajmi më i rëndësishëm për axhendën shqiptare. Megjithëse nuk udha një datë për ne siç u bë për Serbinë dhe Malin e Zi, ajo së pari dha një pozicion të qartë strategjik të BE-së ndaj zgjerimit, i cili kishte munguar prej vitesh. Së dyti, është Pro-ja më e madhe e konfirmuar për integrimin. Përfundimisht, të paktën në Shqipëri, për çdo qeverisje në të ardhmen, rrëzohet alibia se BE është e dyzuar në standarde,“se është e pavendosur se çfarë duhet të bëjë për integrimin”.

Megjithëse vendosja e një afati do të ishte e pëlqyeshme,u kuptua njëherë e mirë se,për Bashkimin Europian, deklarimi i një date është në rend të dytë. Në rend të parë, për Unioni,është rruga dhe qasja strategjike ndaj procesit. Ndaj, nëse vendi ynë kërkon një datë,duhet që elita politike ta ketë prioritet absolut pozicionimin e Shqipërisë sa më lart në listën që Europa do të përgatisë, për të qenë mundësisht të parët që të hyjmë kur të hapet dera.
Por, me gjithë se mesazhi i BE-së ishte kaq ndriçues për të gjithë ne, ai nuk mundi të iluminojë klasën politike. Ajo nuk doli nga bataku i zënkave banale, por shpiku gjithfarë arsyesh e lajmesh ordinere, për të eklipsuar rrugën që po na tregon BE-ja. Nuk pati asnjë akt dinjitoz politik për të treguar se, edhe pse nuk mund të mos jesh në lartësinë e BE-së, të paktën po mundohesh të ngrihesh.
Nga ana tjetër, kjo politikë nuk po arrin të ngrihet as në nivelin e popullit të vet. Shqiptarët janë qytetarët më proeuropianë se çdo ballkanas tjetër, që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Jemi pro europianë, jo vetëm nga sasia dhe cilësia e qëndrimit, por edhe koha. Shqiptarët kanë qenë përpara çdo vendi tjetër ballkanik në procesin e integrimit, por ka qenë klasa politike që, si dje, ashtu edhe sot, nuk po arrin ta kthejë këtë energji pozitive në model të sjelljes së saj politike, për t’i bërë gjërat të ecin më shpejt.
Me strategjinë e re,BE na konfirmoi udhën dhe destinacionin. Na tregoi se ka nevojë për ne,por se jemi ende të padobishëm edhe për ca kohë, deri sa politika ta kuptojë se lapsin për të qarkuar datën e ka ajo në dorë.

Artikulli paraprakOSBE: Mediat në Shqipëri përballë rrezikut të lartë të vetëcensurës
Artikulli tjetërArtistët e kanë kot