Një 1997 e re po duket në horizont

 

Asllan BUSHATI

Shqiptarët, pas Luftës Dytë Botërore, kanë bërë shumë “marrëzira” (në se mund ta përdorim këtë term në kontekstin jo fyes për popullin), disa prej të cilave kanë qenë edhe kolektive, por shumica nga udhëheqësit politik. Edhe kur kanë qenë kolektive janë ideuar e mbështetur po nga politikanët. Shkarazi po përmend disa prej tyre: Nxjerrja në një gjyq fals dhe pushkatimi i gjithë deputetëve opozitarë në 1945. Mashtrimi me bombën në Ambasadën Sovjetike dhe pushkatimi në Tiranë i 22 intelektualëve atdhetarë pa asnjë arsye. Vënia nën shenjestën e nëndetëses së Bazës së Vlorës me ekuipazh sovjetiko-shqiptar për tre ditë (16, 17, dhe18 dhjetor 1959) e një destrojeri amerikan në Mesdhe, me të cilin udhetonte për në Lion-Francë, Presidenti Amerikan Ajzenhauer dhe si pasojë kundërpërgjigjeja amerikane, duke vënë nën shënjestrën bërthamore për më shumë se tridhjetë vjet bazat ushtarako-ajrore të Rinasit e Kuçovës, bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe qytetin e Gjirokastrës. Dalldija kolektive e 1967-ës për prishjen e shkatërrimin e gjithë institucioneve të fesë, duke u bërë i vetmi “vend ateist në botë”. Ideja e çmendur “t’u qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë pjellore si dhe fushat”, duke shkatërruar tërësisht bimësinë, pemët, pyjet, faunën e florën, e duke bërë erozion shkatërrues të të gjithë vendit me duart tona. “Ndërtimi me sukses i socializmit, duke u mbështetur vetëm në forcat tona”, duke e kthyer vendin në një depo të madhe hekurishtesh me të ashtuquajturat uzina e fabrika moderne. Bunkerizimi i gjithë vendit për t’u “ballafaquar e fituar në luftë me gjithë botën”. Marrëzia kolektive e 1997-ës me futjen e parave në piramida, e cila çoi në humbjen e tyre, humbjen e jetës së mijëra shtetasve dhe për inatë të tyre, shkatërrimin e plotë të shtetit. Vrasja e besimit se ky vend nuk mund të bëhet normal si të tjerët, dhe eksodi i të paktën i një të tretës së numrit të përgjithshëm të popullatës. Nuk na mjaftuan të gjitha këto, por na “duheshim” edhe dy marrëzi të tjera dhuratë nga Edi Rama si: kanabizimi i gjithë vendit, dhe së fundi kriminalizimi i tejskajshëm i pushtetit.
Ka edhe shumë të tjera, por edhe kaq na mjaftojnë për të dalë në konkluzionin se për gati shtatëdhjetë vite, këto janë shumë të tepërta për një popull të vogël si i yni, dhe se këto për të mos thënë i kanë kthyer mbrapsh rrjedhat e përparimit të vendit, më së pakti mund të themi i kanë ngadalësuar ndjeshëm ato në krahasim me popujt e tjerë në rajon e më gjërë. Në këto kushte, pyetja më e thjeshtë nga çdo shtetas shqiptar do të ishte se: pse kanë ndodhur e ndodhin këto gjëra ne? Mendoj se edhe përgjigjja më e thjeshtë do të ishte se: mbi të gjitha është keq qeverisja e këtij vendi.
Edi Rama, nuk realizoi asnjë nga premtimet madhore të mandatit të parë dhe më e keqja, në vend të realizimeve, solli kanabizimin dhe kriminalizimin e gjithë vendit. Disa nxitojnë ta mburrin se ai bëri reforma dhe po e bën Shqipërinë shtet. Në gjykimin tim kjo nuk qëndron. Së pari, shtetin shqiptar e krijoi Ismail Qemali dhe e formësoi me të gjithë elementët e shtetit modern perëndimor, Ahmet Zogu. Së dyti, lidhur me reformat e Edi Ramës, unë mendoj se ata janë gjysmake e përgjithësisht të dështuara dhe se, vetë Edi Rama jo vetëm nuk është reformator, por është një showmen, batutaxhi, hokatar dhe një mashtrues perfekt.
Le të ndalemi pak tek kanabizimi. Disa mendojnë se, ai solli punësim të përkohshëm të një sasie njerëzish dhe se fitimet janë brenda vendit e duke u shndërruar në një pasuri kombëtare. Në këndshikimin tim, kjo nuk qëndron për shumë arsye, por nga më kryesorët janë: dëmtimi i imazhit të vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe frenimi i biznesit ndërkombëtar për investim afatgjatë në Shqipëri. Për rrjedhojë kjo frenoi mbi të gjitha, hapjen e vendeve të reja të punës kaq të domosdoshme për brezin e ri, por zvogloi ndjeshëm prodhimin e brendshëm buqësor. Kanabizimi duke qenë fenomen masiv, tashmë është kthyer në një bankë informale të parave të pista që kërkojnë të blejnë pasuri të patundshme deri forcërisht, duke dëmtuar kështu pronarët e biznesin e vogël dhe duke tjerërsuar forcërisht elementët themelor të bazës ekonomike të vendit. Shkurt me paratë e kanabisit, mafia po krijon pasuri konkuruese të pa ligjshme dhe krejt të pa ndershme.
Tjetër aspekt është se paratë e drogës deformuan vullnetin, votën e lirë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të qershorit 2017-të. Edi Rama i bleu ato, duke bashkëpunuar hapur me kriminelët e drogës dhe për pasojë me rreth njëzet për qind të votave të shqiptarëve udhëheq i vetëm gjithë vendin pa e ditur se ku do të shkojë, se për këtë mandat të dytë, ai nuk ka bërë asnjë premtim elektoral. Ai i fitoi zgjedhjet jo për zotësi e punë të madhe në realizimin e premtimeve elektorale, por për një ligj elektoral skandal, për një lëvizje të gabuar politike të LSI-së, e cila nuk ju bashkangjit opozitës, dhe për një mbështetje të pa drejtë dhe të pandershme që atij i dhanë ndërkombëtarët.
Humbëse e vetme e zgjedhjeve me më shumë se dyqind mijë vota, doli PD-ja dhe shumë i baltosur e i plagosur Lulzim Basha. Në gjykimin tim, kjo ndodhi jo për faj dhe paaftësi të zotit Basha, por të rrethanave, sepse megjithë përpjekjet e tij për rishikimin e ligjit zgjedhor për gati një vit e gjysëm, ajo ju bë e pamundur në një kohë që edhe ndërkombëtarët ja kishin premtuar një gjë të tillë. Basha me synim zgjedhjet e lira e të ndershme u fut në çadër para Kryeministrisë dhe nuk do të futej edhe në zgjedhje pa u krijuar kushtet për to. Por ndërkombëtarët OSBE, ODIHR-i, BE e SHBA i dhanë gjithë përkrahjen e duhur Edi Ramës (duke mbyllur sytë përpara mosrealizimeve dhe paudhësive që kishte bërë) dhe duke u bërë bashkautorë në shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata duke mos dashur të ballafaqohen me të vërtetën zgjedhore dhe të drejtën, zgjodhën rrugën e deklarimit se zgjedhjet ishin të mira për Shqipërinë. Por jam i bindur se po të kishte ndodhur kjo situatë në një vend tjetër demokratik me siguri (nuk do të quheshin të mira për rrethanat), por do të quheshin skandal zgjedhor.
Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit amerikan Yee, e detyroi zotin Basha të mos shtonte në dokumentin e rekomanduar të ndërkombëtarëve, qoftë edhe një presje të vetme, por vetëm të thoshte “PO”. Pra, ndërkombëtarët nuk u shqetësuan sa duhet për ardhjen e të inkriminuarve në Parlament e në strukturat drejtuese të shtetit dhe kanabizimin e vendit para zgjedhjeve, për të cilat opozita dhe Basha ishin shumë të motivuar e të vendosur për të luftuar kundër tyre. Pyetja shtrohet: atëherë po pse tani kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe i ka fituar padrejtesisht Rama, ngrihen e thonë se në Shqipëri ka katër grupe kriminale, njëzet familje etj. Ku ishin këto ndërkombëtarë para zgjedhjeve, kur opozita dhe zoti Basha thërrisnin me të madhe nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën dhe kriminelët e armatosur? Pse ata i imponuan Bashës dhe opozitës një zgjidhje turpruese me disa ministra teknik, figurant e pafuqi vepruese për rregullimin dhe zgjidhjen e problemit të zgjedhjeve? Pse i mëshojnë sot specifikisht temës së kriminalitetit, kur ai ishte një fenomen veprues edhe para zgjedhjeve? A mendojnë ata se me këtë veprim dalin paqshëm dhe të larë nga ndotja zgjedhore që krijuan? Jo, mendimi im është se ata nuk janë të pastërt dhe të larë me zgjedhjet e qershorit 2017 në Shqipëri, por janë të baltosur dhe me përgjegjësi. Ata jo vetëm nuk kanë qenë një arbitër i paanshëm zgjedhor, por shumë të anshëm e pro qeveritar. Më e pakta gjë që mund të thuhet është se kjo është e pandershme.
Tani, Edi Rama erdhi në pushtet i vetëm e me fuqinë e parave dhe të armëve të bandave. Ata nuk i duhen më, por ai është i pa fuqishëm t’i largojë, se i kërkojnë pjesën që kanë investuar. Në këtë raport interesash, bandat kanë filluar të sulmojnë fillimisht njëra-tjetrën në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Lushnjë etj, por njëherazi po i tregojnë dhëmbët edhe Edi Ramës, duke i bërë karshillëk në pushtetin vendor, të cilin ka rrezik ta nëpërkëmbin shpejt aty ku nuk e kanë nën kontroll akoma. Pas pushtetit vendor bandat do të përplasen me segmentet e shëndosha të policisë, shërbimit informativ, Prokurorisë, opozitës dhe segmenteve qeveritare që nuk i përkrahin. Kam të dhëna nga shokë, miq e dashamirë se në Shkodër, Lezhë, Laç, Fush-Krujë, Vorë, Tiranë, Shijak, Durrës, Elbasan, Lushnjë, Vlorë etj., shumë pronarë dyqanesh, trojesh e banesash e biznesesh të vogla, po largohen nga pronat e tyre nga presioni i bandave. Në shumicën e rasteve, ata ju ofrojnë një ofertë poshtruese dhe më pas në se nuk ja arrijnë qëllimit, u drejtojnë grykat e armëve dhe tritolin. Por ky nuk është fundi se pas tyre presioni do të drejtohet tek bankat dhe organet e drejtësisë. Kur e kudo që bandat do të hasin në pengesa, ata më së pari e pastrojnë vendin me armë. Kjo është 1997-ta e re që po gatuhet në vorbullën e ideve e të praktikave të Edi Ramës.
Në gjykimin tim, Edi Rama është i falimentuar në çdo kuptim, se ai nuk ka para e nuk ka mundësi ta thërrasë investitorin e huaj se është i pa besueshëm për të. Pra, nuk mund të hapë vende të reja pune, nuk mund të bëjë investime publike në infrastrukturë, arsim e shëndetësi etj. Edhe në se bën përpjekje për ngritjen e rrogave e të pensioneve, ose do të shtojë borxhet, (të cilat aktualisht janë shumë të larta), ose do të rrisë inflacionin që është po ashtu shkatërruese për ekonominë e Shqipërisë. Pra, ky njeri i falimentuar nuk i duhet askujt tjetër përveç bandave që vetë i krijoi. Atëherë pse duhet të mbahet në pushtet? Shqiptarët nuk kanë nevojë për një showmen, hokatar e batutaxhi, që kudo që shkon bën teatër, një njeri pa ide e platforma për të ardhmen e vendit. Ai nuk është reformator, por thjeshtë gënjeshtar e një mashtrues i kamufluar, të cilit s’mund t’i besosh për asgjë jo më të ardhmen e vendit.
Në këtë situatë është e nevojshme që opozita jo vetëm të bllokojë foltoren e Parlamentit, por ta rrethojë Parlamentin, Kryministrinë, ministristë, sheshet e kryqëzimet me njerëz paqësor, e jo të dhunshëm, për ta larguar nga pushteti një orë e më parë Edi Ramën. Largimi i tij do të krijojë mundësinë dhe hapësirën e nevojshme për të luftuar dhe zhbërë strukturat organizative, paratë, pasuritë, asetet dhe çdo gjë të mafias dhe të bandave kriminale, të cilat janë një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë. Që 1997-ta të mos përsëritet më, këtij njeriu të papërgjegjshem i duhet thënë NDAL.

Artikulli paraprakShqiptarët viktima të skllavërisë moderne, 346 viktima në Britani
Artikulli tjetërMisioni i pamundur i kthyer në mundësi i Sebastian Kurz