Nishani: Drejtësia të përballë me ligjin shpifësin Veliaj

Presidenti Bujar Nishani në një dalje publike para mediave i ka cilësuar të rënda akuzat e kryebashkiakut Erion Veliaj të bëra pak ditë më parë në emisionin “Opinion”. Ky i fundit lëshoi disa akuza në drejtim të numrit një të shtetit, duke theksuar se ka vjedhur pronën publike, atë të Kishës Katolike në Elbasan. Me anë të një monitori, Presidenti shfaqi deklaratën e kryebashkiakut Veliaj në emisionin “Opinion” e më pas i kërkoi drejtësisë të merret me këtë çështje. Sipas tij, drejtësia duhet të hetojë a është Presidenti hajdut apo po përdhoset shteti shqiptar përmes shpifjes.
“Ju kam ftuar që të përcjell përmes jush tek opinioni publik dy çështje të rëndësishme shtetërore, për të cilat do të sjell shqetësimin dhe për të dhënë kontributin e institucionit të Presidencës. Madje dhe për të vijuar më tej procesin e zgjedhjes së këtyre problemeve. Çështja e parë ka të bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata e më pas do të përcjell tek ju këto çështje”, tha Nishani.
“Natyrisht që një njeri kushdo qoftë, ai që vjedh ka vetëm një emër, hajdut. Shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Republikës së shtetit shqiptar një hajdut, shqiptarët nuk mund të kenë një hajdut për President. Hajduti e ka vendin në qeli, dënohet sipas ligjit. Kjo çështje i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore ose të verifikojë akuzat për të dënuar Presidentin si hajdut ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim, rrugë pa ndalesë. Unë ftoj edhe median të ndjekë gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë”. Më tej, kreu i shtetit ndau shqetësimin e tij, për atë që e quajti sulm të dhunshëm të organizuar nga kryetari i Bashkisë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit.
“Çështja e dytë për të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin tek opinioni dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë ngushtë me institucionet shqiptare, në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë e individë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese. E dënoj me ashpërsinë më të madhe, jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues”, tha Nishani.

– Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!
Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pashantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar asnjë mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

– Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek diga e liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!
Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë. Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me institucionin e Presidentit të Republikës.

– Zoti President, pak më parë ju drejtuat gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrje të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?
Këto thirrje së pari, vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizimi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

A.Shahini

Artikulli paraprakRama po përgatit Kokëdhimën ministër të Turizmit
Artikulli tjetërDekusarizimi, ndalim rikandidimit apo emërimit të atyre që humbasin mandatin e deputetit