Nice kryeson falë Mario Balotellit

Mario Balotelli duket se e ka seriozisht. Pas zhgënjimeve në karrierë me Interin, Manchester City-n, Milanin dhe Liverpool, sulmuesi kërkon me patjetër të ngrihet në nivelin e pritshmërive.
Zgjedhja për t’u transferuar te Nice lidhej pikërisht me faktin që 26-vjeçari kërkon të ringrihet pas disa viteve mes problemeve, polemikave dhe zhgënjimeve. Aktivizimi në skuadrën e Ligue 1 ishte një mënyrë për të rimarrë edhe vendin në përfaqësuesen italiane.
Ndoshta ka ende kohë për të folur për një rilindje, megjithatë Balotelli është protagonisti kryesor i surprizës Nice. Skuadra kryeson kampionatin francez, me 14 pikë në 6 ndeshje dhe nuk e njeh humbjen në këtë sezon.
Pas suksesit ndaj Marseille, në mesjavën që lamë pas skuadra nga riviera e mirënjohur franceze, shkatërroi 4-0 Monaco. SuperMario realizoi dy gola në atë ndeshje, duke i siguruar Nice kryesimin e vetëm në Ligue 1, përpara Paris Saint Germain.
Bëhet fjalë për dygolëshin e dytë të Balotellit në kampionat, pas atij të realizuar në debutimin sezonal në portën e Marseille. Në këtë mënyrë, sulmuesi largoi polemikat pas disfatës në Europa League, ku Nice u mposht nga Schalke, me gjermanët që dominuan në të gjitha aspektet e lojës.
Edhe pse duhet pak durim për të thënë nëse lojtari i afruar me parametër zero nga Liverpool-i është kthyer ai i ditëve më të mira, me siguri që sa më tepër luan, Balotelli aq më shumë e rrit lojën dhe shënon. Më në fund, 26-vjeçari mund të buzëqeshë dhe të ndihet sërish protagonist.
Olimpik Lion u rikthye te fitorja pas 3 javësh pasi arriti të mundë në shtëpi 5-1 Montpellier. Një sukses bindës për ekipin e Genesio që përfitoi dhe nga fakti se miqtë luajtën për më shumë se 80 minuta me 10 vetë. Montpellier, në fakt e nisi shumë mirë takimin, pasi kaloi në epërsi me një gol të Sanson që në minutën e 4-tërt, por kartoni i kuq i Poaty në të 8-tën kushtëzoi vazhdimin e sfidës. Lion përfitoi maksimalisht nga superioriteti numerik në fushë dhe që në pjesën e parë arriti të përmbysë rezultatin me Fekir dhe Tolisso. Në të 57-tën ndeshja ishte praktikisht e mbyllur me Fekir që realizoi dhe golin e dytë personal, duke çuar shifrat në 3-1 për vendasit në “Stade de Lumiere”. Në minutat 71-të dhe 75-të, falë golave të Tolisso dhe Cornet, Lyon vulosi përfundimisht ndeshjen me shifrat 5-1 duke u ngjitur në vendin e 7-të pas 6 javëve me 10 pikë.

Artikulli paraprakJuventusi reagon
Artikulli tjetër“Luftë” mes Pep dhe agjentit të Ture