Ngrihet trau, tani taksë 10 euro lëvizjes së shqiptarëve

Vetëm 500 metra larg tunelit të Kalimashit, punëtorët prej ditësh kanë nisur gërmimet për vendosjen e traut ku qytetarët e Kosvës dhe të Shqipërisë do të duhet të paguajnë për lëvizjen e lirë. Rruga e bërë me paratë e taksapaguesve dhe jo përmes koncesionit do t’u kushtojë shqiptarëve edhe më shumë, pasi do të duhet të paguajnë për herë të dytë, kësaj rradhe përmes taksës 10 euro për një rrugë vajtje ardhje nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.
Në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë nisur gërmimet për vendosjen e traut, i cili do të lejojë shqiptarët dhe kosovarët të kalojnë në të dyja vendet respektivisht nëse paguajnë taksën 10 euro të konçesionarit të qeverisë. Vendosja e traut përmes të cilit do të vilet me paratë e qytetarëve që duan të vizitojnë Kosovën e anasjelltas ka shkaktuar revoltë tek shqiptarët e veçanërisht tek banorët e zonave pranë kufirit, lidhjet e tyre me Kosovën janë në disa raste edhe të përditshme. Por kjo taksë e vendosur nga dhënia e rrugës së “Kombit” me konçesion do të shumëfishojë kostot e këtyre banorëve krahas atyre të udhëtimit.
Në fillim të muajit gusht, Ministria e Transportit shpalli fituesin që do të marrë me koncesion rrugën e “Kombit”, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare që përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në Verilindje të Portit të Durrësit në Detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën.
Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 10 euro me TVSH (vajtje/ardhje) për një periudhë 30-vjeçare. Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës Veriore dhe Verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë.
Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për rrugën e “Kombit”. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve, kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Edhe 70 milionë euro të tjera konçesionarit

Nga ana tjetër, disa punime të kontraktuara nga qeveria shqiptare nuk kanë përfunduar, çka mund të rrisë më tej koston e koncesionit edhe me mbi 70 milionë euro. Një muaj më parë është ngritur një grup pune me përfaqësi të Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që po negocion kontratën me kompaninë koncesionare “Catalyst”, me asistimin edhe të një kompanie të huaj.
Burimet e “Monitor” në ARRSH pohuan se, nga verifikimet në terren janë vërejtur disa dëmtime dhe investime të munguara. Mungojnë disa skarpata anës rrugëve dhe nga ana tjetër ka shumë dëmtime në hyrje-daljet e autostradës të paautorizuara, të cilat i bëjnë të pamundur koncesionarit të fillojë zbatimin e kontratës.
Këto gjetje dhe punimet e tjera të kontraktuara, por të parealizuara duket se do të sjellin në terma të tjera financiare faturën e koncesionit. Në ofertën ekzistuese të Catalyst 43,409,518 euro është investimi fillestar dhe në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro për 30 vitet në vijim.
Mirëpo të njëjtat burime pohojnë për “Monitor” se, kostoja e punimeve të munguara do të jetë mbi 70 milionë euro. Palët janë në negociata që shuma e punimeve të munguara me gjasë do të transferohet tek koncesionari, duke i akorduar fonde shtesë.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik e shpalli përfundimisht bashkimin e kompanive shqiptare nën emrin “Catalyst” fituese të koncesionit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit që kishte shpallur fitues kompanive turke “Vendeka”.
Në fund të vitit 2016, në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst thuhet se, brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë. Por afati i aplikimit të pagesës është shtyrë së paku me gjashtë muaj si rezultat i problematikës që është krijuar me inventarët e punimeve në rrugë. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë.

Plani Rama për dhënien e të gjitha rrugëve me koncesion

Në muajt e ardhshëm të gjitha akset rrugore të vendit pritet të jepen me koncesion nga qeveria Rama dhe udhëtimi për në qytete të tjera do të tarifohet në bazë të kilometrave. Megjithëse nuk ka shtruar asnjë metër rrugë, Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë menjëherë pas zgjedhjeve. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja.
Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë. Por sa do të fitojë një klient i Edi Ramës nga këto koncesione, që kryeministri na i quan si sukses të madh? Kjo varet nga fluksi. Për shembull, në aksin Tiranë-Durrës ka një fluks me mesatare rreth 25 mijë automjete në ditë. Mendohet se fitimi vjetor vetëm në këtë aks të jetë mbi 20 milionë euro në vit ose rreth 1.8 milionë euro në muaj, sipas shifrave të përllogaritura. Një koncesionar 10-vjeçar mendohet të ketë marrë rreth 200 milionë euro ose gjashtë apo shtatëfish sa vlera e rrugës.

Artikulli paraprakVritet me armë 42-vjeçari në Dibër, mister shkaqet
Artikulli tjetërE vërteta e mafies që qeveris Elbasanin