N’Golo Kante tek Chelsi

Klubi i Leister ka bërë të ditur se ka gjetur marrëveshjen financiare me Çelsin për transferimin e mesfushorit francez N’Golo Kante, një prej yjeve të sezonit të kaluar që e ndihmuan ekipin e Klaudio Ranierit që të fitonte titullin kampion. “Pavarësisht ofertës tonë për një kontratë të re dhe të përmirësuar, të cilën ia bëmë para Europianit, u bë e qartë pas turneut se dëshira e N’Golo ishte t’i bashkohej Çelsit. Ndaj klubi si rrjedhojë pranoi një shifër rekord për ne që të premten, para se N’Golo të gjente marrëveshjen individuale dhe të kryente vizitat mjekësore”, shkruhej në lajmërimin e  kampionëve të Anglisë, të cilit i uronin sukses mesfushorit në vazhdimin e karrierës së tij.
Pak minuta më vonë, erdhi edhe konfirmimi i Çelsit, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të internetit, ku vetë futbollisti tregonte kënaqësinë e tij për transferimin te blutë londinez. “Jam i lumtur që kam firmosur për një prej klubeve më të mëdhenj në Europë”, ishin fjalët e 25-vjeçarit që ka firmosur një kontratë pesëvjeçare. “Mundësia që m’u dha për të punuar me Antonio Konten, një trajner brilant, dhe disa prej lojtarëve në të mirë në botë, ishte thjesht shumë e mirë për t’u refuzuar”, shpjegoi ai arsyen pse ishte larguar nga Leister.
Në Angli janë të sigurtë, brenda pak ditësh Paul Pogba do të riveshë fanelën e Manchester United. Tabloidi “The Sun” shkruan se, agjenti i mesfushorit të Juventusit ka gjetur marrëveshjen me “Djajtë e Kuq”, në bazë të së cilës bardhezinjtë do të përfitonin 126 milionë euro, ndërsa Pogba një pagë të majme prej 14 milionë eurosh në vit. Aktualisht, Pogba ndodhet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “The Sun” shkruan se me t’u kthyer prej andej, ndalesa e tij nuk do të jetë Torino, por Manchesteri për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën milionerëshe.
Një ditë më parë, në një intervistë për ESPN, mesfushori francez e përshkroi United si “familjen e tij të parë”. Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por nëse do të realizohej në këto shifra, kjo transfertë do të ishte më e shtrenjta në historinë e futbollit, duke lënë pas Gareth Bale, që ka kaluar nga Totenhem tek Reali për 100 milionë euro dhe Cristiano Ronaldo nga Manchester po tek Reali për 94 milionë.

Artikulli paraprakHysaj-Napoli tjetër takim për rinovimin
Artikulli tjetërMbretëron në merkato