Nga prezenca e deputetëve të përjashtuar, te qëndrimi i PS, skenarët që priten të ndodhin sot në Kuvend

Ditën e sotme, e hënë 30 tetor, deputetët rikthehen në orën 17:00 në seancë plenare, pas asaj të fundit që nuk u zhvillua për shkak se rithemelimi bllokoi ulëset e ministrave dhe deputetëve të mazhorancës. Ky vendim u mor, pasi mazhoranca rrëzoi kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore për koncesionet në Shëndetësi dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS, si dhe rrëzimi i kërkesës për të ndrushuar anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Pas shtyrjes së seancës, mazhoranca mori vendimin për t’i përjashtuar me 10 ditë nga aktivitetet parlamentare 23 deputetë, duke përfshirë dhe Sali Berisha si dhe Gazment Bardhi. Për këtë fakt është njoftuar edhe është vënë në gadishmëri edhe Garda e Republikës, si institucioni përgjegjës për sigurinë e ligjvënësve shqiptarë në sallën e Kuvendit.

Por ata kanë deklaruar se administrata e Kuvendit i ka bërë llogaritë gabim, pasi sipas tyre vendimi është marrë me datë 19 tetor. Pra, thonë ata, nga data 19 deri më datën 29, një ditë para seancës janë 11 ditë, çka do të thotë që 10 ditë përjashtim mbyllen me datën 28. Por edhë nëse numërimi i ditëve të përjashtimit nis një ditë pas vendimit, pra me datën 20, atëherë deputetëve u mbaron dënimi 10 ditor mesnatën e datës 29.”

Pavarësisht përjashtimeve deputetët e përjashtuar kanë vendosur që të gjithë të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar siç thuhet në njoftim “në grup në seancë”.

“Nesër (sot) e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, – shkruhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve të rithemelimit.

Artikulli paraprakNë vitet 2021-2022 në Shqipëri inflacioni u krijua nga fitimet, në Rajon nga pagat
Artikulli tjetërKonflikti tek ‘Kepi Rodonit’, arrestohet ish-deputeti Mark Frroku