Nga Angela Kasner tek Angela Merkel

Megjithëse Angela është një grua nga Lindja, ajo ka lindur më 17 korrik 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore. Emri i saj i pagëzimit është Angela Dorothea Kasner, bijë e një pastori luteran që në mesin e viteve ‘50, me dëshirë, vendosi të transferohej në Gjermaninë komuniste për të themeluar një seminar luteran. Fëmijërinë e saj e kaloi fillimisht në Quitzow dhe më pas në Templin, në Veri të Berlinit, pothuajse në kufi me Poloninë. Lidhja e Angela me këtë të fundit nuk është ekskluzivisht gjeografike. Një biografi e kohëve të fundit e Stefan Kornelius, kryeredaktor i çështjeve të jashtme të “Süddeutsche Zeitung”, zbulon se gjyshi i Angela ishte me origjinë polake. Ludwig Kazmierczak ishte me origjinë nga Posen dhe në 1930 vendosi që ta ndryshojë mbiemrin e tij në gjermanisht, nga ku edhe mbiemri Kasner.
Horst Kasner, babai i Angela, kishte raporte të mira me regjimin dhe kishte një leje speciale që i mundësonte të udhëtonte lirisht edhe në Perëndim. Sipas një biografie të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturën jetë të parë të Angela Merkel, Horst Kasner, ishte pjesë e atyre teologëve protestantë nëpërmjet të cilëve regjimi synonte të pajtonte idealet socialiste me ato të Kishës. Këta teologë protestantë shikonin tek socializmi një alternativë të mundshme ndaj kapitalizmit perëndimor, aq sa në 1958 themeluan në Pragë një lloj “internacionaleje kristiane”, Konferencën Kristiane për Paqen ku aderoi babai i Angela. Por Horst Kasner ishte pjesë edhe vëllazërisë protestante të Weißensee në Berlin, ku kryepërgjegjësi i të cilës, Hanfried Müller (edhe ai i regjistruar në Konferencën Kristiane për Paqen) kishte kontakte të mira me drejtuesit e SED-it.
Me kalimin e kohës Horst Kasner u distancua nga regjimi, por nuk ka dyshim që familja e tij jetonte në një gjendje të privilegjuar brenda Gjermanisë komuniste dhe që i mundësoi Angela të shmangte çdo formë indoktrinimi ideologjik. Sipas biografisë së Kancelares të shkruar nga Evelyn Roll, filozofia e jetës e familjes Kasner ishte e thjeshtë, por edhe shumë e përcaktuar: çifti Kasner, që vinte nga Perëndimi, konsiderohej si më të mirë se të tjerët, pasi kishin plus vlerat autentike të kristianizmit. Angela do të orientohet gjithmonë pas këtij parimi dhe do të ketë detyrën e demonstrimit se është më e mirë nga të tjerët. Gjatë jetës së saj në Gjermaninë Lindore arrin shkëlqyeshëm një diplomë në Fizikë dhe më pas Doktoraturën në të në Leipzig, që do t’i mundësojnë të udhëtojë për motive shkencore në vende të ndryshme të bllokut sovjetik.
Një fakt i habitshëm dhe që shumë e injorojnë është se në atë kohë, për të vazhduar doktoraturën, ishte e nevojshme të paraqisje një punim që të demonstronte se i kishe thelluar dhe zgjeruar dijet e tua për marksizëm–leninizmin. Angela kishte paraqitur një punim me titull “Cila është mënyra e jetesës socialiste?”. Nëse gjykimi për doktoraturën është magna cum laude, për thellimin politik merr vetëm një “mjaftueshëm”. Natyrisht, kjo nuk e pengon që të zhvillojë aktivitetin e saj shkencor. Angela u bë një shkencëtare e vlerësuar, e përmendur dhe me autoritet. Si pjesa më e madhe e qytetarëve të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik mëson shumë mirë edhe rusishten. Por Angela shkon përtej mesatares së qytetarëve të ish-Gjermanisë komuniste: fiton olimpiadën e gjuhës ruse fillimisht në Templin, më pas në Neubrandenburg dhe, së fundi, edhe në Berlin. Siç kujton Erika Benn, një mësuesja e saj e vjetër e rusishtes, për të përjavshmen “Cicero”, Angela ishte shumë e mirë, ishte konstante dhe vullnet të hekurt.
Në kohën e universitetit njihet me Ulrich Merkel, edhe ai student i Fizikës. U dashuruan dhe vetëm 23 vjeç (ajo) dhe 24 vjeç (ai), në 1977 u martuan me një ceremoni fetare. Martesa do të rezultojë shumë më e komplikuar nga parashikimi, ndoshta e vendosur tepër shpejt. Në atë kohë, të martuarit ishte edhe një strategji mjaft e përhapur për të përfituar lehtësira, si banesa dhe vende pune në të njëjtin qytet të bashkëshortit. Pothuajse një vit pas martese, Angela merr diplomën, transferohet në Berlin, por në 1982 ndahet nga Ulrich Merkel, por të cilit do të vazhdojë t’i mbajë mbiemrin.

“Vajza” e Kohl
Gjendja e Angela Merkel në RDGJ-në komuniste ishte e ngjashme me atë të protagonistit të romanit “I Zgjedhuri” i Thomas Mann. Shkëlqente në studime dhe në virtyte, edhe formimin e tij kristian e perceptonte prej temperamentit, cilësive dhe formimit, ndryshe nga të tjerët. Ndjehej e huaj në atë jetë akademike, e ulur mbi libra, në atë gjendje politikisht mbytëse. Si Gregori, heroi i Thomas Mann, Angela ëndërronte ndërmarrje heroike, aventura dhe gjeste. Nuk e la që t’i shpëtonte rasti për t’u çliruar nga ajo botë dhe kështu, gjatë revolucionit paqësor demonstroi se kishte një shpirt dhe nuhatje për pushtetin deri më atëhere të mbajtur të fshehur.
Por jeta e Angela Merkel në ish-Gjermaninë komuniste mbetet akoma sot në shumë aspekte mister. Sigurisht që aderoi në Freie Deutsche Jugend, lëvizjen politiko–rinore të regjimit dhe në 1981 qe edhe përgjegjëse për Propagandën dhe Agjitacionin, fakt të cilin Merkel e mohon: “Propagandë? Nuk e kujtoj absolutisht të kem bërë propagandë, kurrsesi. Isha e ngarkuar me Kulturën”. Megjithatë, nuk rezulton që Angela as të ketë qenë anëtare e SED-it, as e partive apo lëvizjeve të tjera që ju kundërvunë diktaturës. Në një biografi të kohëve të fundit të saj të shkruar nga Ralf Georg Reuth dhe Günther Lachmann, dy gazetarë respektivisht të “Bild” dhe të “Die Welt”, tentohet të demonstrohet se në realitet Angela qe shumë më e afërt me SED-in nga sa është menduar deri më tani. Sipas biografisë të Reuth dhe Lachmann nuk ishte aq e huaj me sistemin e pushtetit të Gjermanisë Lindore. Vetë Merkel e ka minimizuar rëndësinë e tezave të tilla, duke u përgjigjur se në mënyrë ciklike dalin skupe të supozuara për jetën e saj në Gjermaninë komuniste. Më shumë se tezat e Reuth dhe Lachmann duhet marrë seriozisht teza e një prej biografeve të Merkel. Sipas Jacqueline Boysen, në kuptimin e jetës në Gjermaninë Lindore të Angelas, ka një moskuptim të raportit (dhe të diferencave të dukshme kulturore) midis Gjermanive Lindore dhe Perëndimore. Vetë Merkel në një intervistë të kohëve të fundit për të përjavshmen “Stern” ka kujtuar sesi 35 vitet jetë në RDGJ janë pjesë e ekzistencës dhe e rolit politik të saj.
E sigurtë është që Angela Merkel aderon në Demokratischer Aufbruch (Zgjimi Demokratik), lëvizja e opozitës e sapokrijuar pas rënies së Murit të Berlinit dhe që frymëzohej nga kristian – demokratët (CDU) e Gjermanisë Perëndimore. Aderimi në Demokratischer Aufbruch përshkruhet kështu nga Gertrud Höhler, autore e “Sistemi Merkel”. “Si Kancelare vë në rrezik Gjermaninë dhe Europën: “E heshtur, pothuajse në inkonjito, merrte pjesë në mbledhjet e Demokratischer Aufbruch. Në ato mbledhje mundësohej më së fundi të ëndërroje me zë të lartë, por Angela heshtëte. Kush më pas do të njihte si puçiste në perëndorinë e Kohl, CDU-në e Perëndimit, nuk arrin ta besojë se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Tek Demokratischer Aufbruch, në vend që të mbajë diskutime, merret me instalimin e kompjuterëve. Kur mbaron punë, largohet. Mbetet, por në vende më të mira, pa rënë në sy, por gjithmonë e më e dukshme”.
Merkel ka dy sponsorë të dorës së parë: Wolfgang Schnur, kryetar i lëvizjes reformiste “Zgjimi Demokratik”, dhe Lothar de Maizière, lider i CDU-së Lindore dhe kreu i fundit i qeverisë së RDGJ-së përpara ribashkimit (si edhe xhaxhai i Thomas de Mazière, njeriu i fortë i CDU-së merkeliane). Më pas, të dy kanë rezultuar informatorë jozyrtarë të STASI-t. Falë këtyre mbështetësve, Merkel bëhet shefe e Departamentit të Komunikimit dhe Raporteve me Shtypin dhe zëdhënëse e qeverisë së Lothar de Maizière. Bëhet kështu protagoniste e heshtur e ribashkimit dhe vlerësohet nga ai që do të jetë mentori i saj: Helmut Kohl. Nuk është rastësi që do të bëjë gjithçka që ta njohë personalisht. Të dy do të takohen për herë të parë me 2 tetor të 1990, një ditë përpara ribashkimit të Gjermanisë. Është hapi i parë i lidhjes së gjatë politike midis të dyve.
Është këtu që nis ngjitja e papritur, e shpejtë dhe e rrufeshme në pushtet e Angela Merkel në Gjermaninë që pak më vonë do të ribashkohet. Zgjidhet në Parlamentin gjerman në Mecklenburg-Vorpommern, në një zonë elektorale që përfshin kolegjet e Pomerania, Rügen dhe Greisfald I. Akoma sot është zona e saj elektorale dhe “Angie”, siç quhet me simpati, është e lidhur me këtë rajon në të cilin zhvillohet një prej takimeve më të pamundura të CDU-së në ditën e së “mërkurës të gërmadhave”.
Në qeverinë e tretë Kohl, Angela Merkel u emërua Ministre për Familjen, Gratë dhe Rininë. Në 1991, Lothar de Maizière dorëhiqet nga zëvendëspresidenca e partisë pse dyshohet se ka pasur raporte me STASI-n. Kohl vendos që Angela Merkel duhet të marrë postin e de Maizière. Kancelari i vjetër gjerman duket se e ka zgjedhur si të përkëdhelurën e tij. Por nëse kemi të bëjmë me një vlerësim real apo pse Angela Merkel, grua nga Lindja, paraqitet si një spot i përkryer publicitar për Kancelarin gjerman që ka luajtur gjithçka me ribashkimin politik të Gjermanisë, nuk do ta mësojmë kurrë. E sigurtë është se vetë Merkel do të deklarojë në 1994 se ka bërë karrierë pse ishte grua dhe se në atë moment ekzistonte nevoja për një grua.
Nga 1993 deri në 2000, Merkel është edhe Presidente e CDU-së në Mecklenburg-Vorpommern, pasi Krause është denoncuar se ka paguar në të zezë një bashkëpunëtore. Edhe kësaj radhe, Angela shfrytëzon një krizë të tjerëve për të nxjerrë përfitim për vete. Nga 1994 bëhet edhe Ministre për Mjedisin dhe Sigurinë e reaktorëve Bërthamorë, ky rol i ka dhënë edhe një shikueshmëri të madhe dhe shtytjen për të ndërtuar karrierën e saj politike. Kjo përvojë si ministre do t’i shërbejë 10 vite më pas, kur si Kancelare fillimisht do të propozojë kthimin në energjinë bërthamore dhe, më pas, si pasojë e incidentit të Fukushimës në Japoni, ta braktisë sërish bërthamoren, siç kishte vendosur më parë qeveria Schröder në kohën kur Angela ishte shefe e opozitës. Tema e mjedisit do të mbesë filli përçues i karrierës së saj politike, aq sa më pas do të quhet Klimakanzlerin. Është e njohur se përsa i përket mjedisit Angela ka pak rivalë në klasën politike: arrin të bashkojë dije shkencore dhe përvojë politike.
Por le të kthehemi në 1994, vit në të cilin Merkel është ministre e qeverisë tretë Kohl. Në këtë fazë konsiderohet një prej më besnikeve të Kancelarit dhe, si ministrja më e re e qeverisë, ju vu edhe nofka simpatike das Mädchen (“vajza”). Megjithatë, të dy nuk ka sesi të mos jenë më të ndryshëm. Siç lexohet në biografinë e Angela Merkel të shkruar nga Evelyn Roll, Merkel e kishte përshkruar raportin e saj me Kohl si dy pika finale të një diagonaleje: nga njëra anë e reja që impenjohej në politikë, nga tjetra një shtetar me përvojë të madhe; nga njëra anë një Kancelar i Jugperëndimit të Gjermanisë, katolik, nga ana tjetër gruaja nga Veriperëndimi, protestante; Kohl përfaqësonte vijueshmërinë me gjeneratën e Konrad Adenauer, kurse Merkel, në të kundërt, ishte rritur në diktaturën socialiste të RDGJ-së; nga njëra anë një grua që i përkiste një gjenerate që kishte njohur vetëm një vend të ndarë më dysh, nga tjetra një burrë që i kishte përjetuar personalisht tmerret e luftës. Merkel dhe Kohl qenë krejtësisht të ndryshëm, nuk kishin asgjë të përbashkët. Por për sa das Mädchen i detyrohej jashtëzakonisht shumë Kohl (edhe pse vetëm nga një moment i vetëm i jetës së saj), ajo kishte një raport ndryshe nga besnikët e tjerë të Kancelarit që ia detyronin vetë ekzistencën e tyre politike, pasi kishin qenë mbajtës çantash dhe asistentë të tij. Merkel ishte e vetmja që kishte forcën dhe kurajën që t’i kthente fjalën, kishte një raport më të drejtpërdrejtë dhe, në një farë kuptimi, më fitimprurës. Siç do të rezultojë më pas në momentin në të cilën do të ndërpritet historia politike midis të dyve.

Shkëputja
Në 1998 zhvillohen zgjedhjet politike dhe për Kohl dhe koalicionin qeverisës perspektivat nuk duken të mira. Kancelari në fuqi nuk gëzon konsensusin e nevojshëm popullor për të fituar dhe ministri më i besuar dhe më me autoritet i tij, Wolfgang Schäuble, i propozon që të tërhiqet dhe t’ia lërë atij kandidaturën, me qëllim që të shmangë një humbje të shëmtuar, siç kujtohet nga vetë Schäuble në një intervistë për “Die Zeit” (9 shkurt 2011). Qysh atëhere raportet midis të dyve nuk do të jenë më të njëjtat. Unioni (CDU/CSU) humbet zgjedhjet dhe kështu, në 1998, përfundon era Kohl. Me 7 nëntor të po atij viti, me 93% të votave, Angela Merkel zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e CDU-së që, më pas dhe nën drejtimin e saj, do të fillojë ta rimarrë veten nga humbja, duke siguruar fitore të shumta në zgjedhjet rajonale, duke e bërë kështu qendrën e djathtë gjermane që pas disa vitesh të ketë shumicën në Bundesrat, Dhomën e Rajoneve.
Në dhjetor të po atij viti Angela bën edhe një hap të rëndësishëm për jetën e saj private. Pas disa vitesh bashkëjetesë (gjithmonë e parë me sy të keq nga krahu më konservator i CDU-së) martohet me Joachim Sauer, një pedagog Fizike të njohur kohën e doktoraturës. Por Angela vendos të mbajë mbiemrin e bashkëshortit të parë. Lidhur me motivet që qëndrojnë prapa kësaj zgjedhjeje është folur shumë. Më cinikët e shpjegojnë vendimin me ekuivokun e mbiemrit të bashkëshortit të dytë: Sauer në gjermanisht do të thotë “i hidhur”, “i ashpër”, “i athët”. Të tjerë japin një shpjegim tjetër: Angela ishte tashmë e njohur në nivel shkencor më parë dhe politik më pas me mbiemrin Merkel, ndryshimi do ta kishte disavantazhet e tij të dukshme. Ka mundësi që e vërteta duhet kërkuar në të dy shpjegimet, por le të kthehemi në ngjitjen e saj politike.
Kthesa në karrierën e Angela Merkel vjen me skandalin financiar në vetë partinë e saj, si pasojë e të cilit shumë prej figurave historike të CDU-së qenë të përfshira, para sëgjithash Helmut Kohl, i cili refuzoi të deklarojë një shumë prej 2 milionë dojç markash. Mund të duket paradoks, por edhe një herë akoma, Angela Merkel e shfrytëzoi në favorin e saj një moment krize të të tjerëve, në këtë rast të partisë dhe të mentorit politik të saj. Në ngjitjen e saj të pandalshme drejt pushtetit, u distancua nga Helmut Kohl, e kritikoi ashpër dhe filloi një rilindje të partisë pa kryetarin e madh. Mbetet akoma sot historik artikulli me të cilin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Angela Merkel sulmon ballazi ish-Kancelarin: “Fundi i erës Kohl përfaqëson një shans të ri”, “pranimet e Kohl e kanë dëmtuar partinë”, “pas një jete politike kaq të gjatë si kjo që ka pasur Helmut Kohl, ndoshta është si shumë t’i kërkosh të dorëhiqet nga të gjitha postet, të tërhiqesh përfundimisht nga politika dhe t’u lësh fushë të lirë pasuruesve, të rinjve?” dhe akoma “partia duhet të mësojë të ecë me këmbët e veta dhe, në të ardhmen, të gjejë kurajën që të vazhdojë në arenën politike dhe pa kalin e saj të betejës, siç është pagëzuar shpesh Helmut Kohl”. Nuk dihet se kush e ka shkruar praktikisht këtë artikull, por duket sikur ghost writer vjen nga vetë redaksia e “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Siç shkruan Evelyn Roll, artikulli konsiderohet një dokument historik për shkëputjen e CDU-së nga Helmut Kohl dhe, veç të tjerash, është dokumenti me të cilin Sekretarja e Përgjithshme e atëhershme, Angela Merkel, shpalli aspiratën e saj për të drejtuar partinë dhe, së fundi, është një thirrje vetëprerjeje koke për Kohl, siç kujton “Handelsblatt”. Me këtë artikull Angela Merkel merr përsipër rrezikun më të madh të historisë së saj politike. Mund edhe t’i shkonte keq, por gjithçka shkoi sipas planit. CDU-ja ndoqi lideren e re në ngjitje. Helmut Kohl u bë i pari i një serie të gjatë viktimash të Angela. Falë këtij pozicionimi, Merkel fitoi konsensus midis qytetarëve. Ishte e vetmja që mund të bënte një hap të kësaj natyre, të domosdoshëm dhe të dhimbshëm: bënte politikë vetëm prej pak vitesh dhe nuk i përkiste gjeneratës së lindur në krahun mbrojtës të Helmut Kohl. Në një farë kuptimi mund të themi se nuk ishte tërësisht pjesë e sistemit Kohl. Kishte ardhur nga jashtë, nga hiçi.
Në prillin e 2000, pothuajse 3 muaj pas goditjes vdekjeprurëse ndaj Helmut Kohl, das Mädchen u zgjodh Presidente e partisë për të zëvendësuar Wolfgang Schäuble, edhe ai i përfshirë pjesërisht në skandal. U bë kështu gruaja e parë presidente e CDU-së, partia më konservatore dhe më maskiliste e Gjermanisë dhe Wolfgang Schäuble është viktima e dytë e Angela Merkel. Të dy, siç do ta shohim, do të kthehen e do të bashkëpunojnë më pas. Siç ka ndodhur shpesh në historinë politike e Angela Merkel, zgjedhja e saj befasoi shumë analistë politikë. Për eksponentë të shumtë të CDU-së dhe vëzhgues duhej të ishte vetëm një lidere kalimtare, një presidente që duhej ta targetonte CDU-në e vjetër në një epokë të re. Dukshëm që askush nuk e njihte mirë dhe shumë i kishin bërë gabim llogaritjet. Megjithatë, fakti që kishte arritur në majën e partisë ishte në vetvete një fakt i jashtëzakonshëm, pasi Merkel mishëronte një personalitet me vlera referuese të paktën pjesërisht në kontrast me traditat dominuese midis kristian–demokratëve, një parti, siç e thamë më lart, konservatore dhe maskiliste. Angela, vajza e ardhur nga Lindja, ishte protestante, femër dhe nuk kishte fëmijë.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNike, këpucë speciale për derbin Inter-Milan
Artikulli tjetër23 të vdekur nga zjarret në Kaliforni