Neymar beson: Do të bëjmë tjetër mrekulli

Në kampin katalanas janë të sigurt se, mund ta përmbysin ndeshjen ndaj Juventusit. Duke filluar nga trajneri Enrike, sulmuesi Nejmar dhe mbrojtësi Pike. Ata e dinë vështirësinë, por thonë se s’kanë gjë për të humbur. “Përballë kemi një ekip që mund të ndryshojë nga ndeshja e parë, por Barcelona vazhdon të jetë gjithmonë e njëjta. Mund t’ia dalim të bëjmë një mrekulli. Për aq kohë sa e bëmë një herë, sigurisht që mund ta bëjmë edhe herën e dytë. E dimë që duhet të bëjmë maksimumin dhe sigurisht që mund t’ia dalim. Duhet të futemi në fushën e lojës për të bërë detyrën. Situata është e njëjtë si ajo me PSG-në, ku shanset tona janë vetëm 1%. Për t’i shndërruar në 99%, duhet të vrapojmë, luftojmë dhe nëse Zoti do mund të triumfojmë”.
“Nuk kemi asgjë për të humbur, prandaj mund të zbresim në fushën e lojës me tetë sulmues. Duhet të bëjmë një ndeshje perfekte dhe të kemi saktësi kirurgjikale. Barcelona është karakterizuar gjithmonë nga aspekti sulmues. Në fazën e 1/8-ve arritëm të përmbysnim një rezultat të frikshëm dhe është e drejtë që të besojmë edhe në prag të ndeshjes me Juventusin.
U bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin deri në fund, sepse do të ishte e çuditshme të mos besonin në këtë ekip të mbushur me kampionë. Ne kemi fituar gjithçka, por duhet të përmirësohemi. Të mërkurën do të japim gjithçka në fushën e lojës, sepse fitorja me Sociedadin na jep besim”. Kjo ishte deklarata e Luis Enrikes në prag të ndeshjes me Juventusin.
Asgjë nuk është e pamundur sipas mbrojtësit të Barcelonës, Xherard Pike. Ai thotë se, skuadra e tij i ka të gjitha shanset për të përmbysur Juventusin dhe për të mposhtur Realin. “Nuk jemi në situatën më të mirë, por me këtë skuadër gjithçka është e mundur. Juventusin dhe Realin e pret humbja. Nuk ka rëndësi nëse luajmë me 3 apo me 4 në mbrojtje. Kjo është puna e trajnerit. Ne duhet të japim maksimumin në fushë dhe të besojmë deri në fund. Tani vjen më e vështira, por ne duhet të jemi të përgatitur për gjithçka”, ka thënë mbrojtësi katalanas.

Artikulli paraprakZidane qëndron te Reali edhe sezonin e ardhshëm
Artikulli tjetërNjë ndeshje e madhe