Nesër, dita e Kryengritjes së Postribës jo e Gramozit

Kastriot DERVISHI

Duke u zbardhur 9 shtatori 1946, rreth 250 luftëtarë antikomunistë u grumbulluan në fushën e Shtojit dhe 200 të tjerë në Renc. Nga Postriba, lëvizja e tyre u drejtua nga Shkodra, duke sulmuar verilindjen dhe juglindjen e qytetit. Beteja kryesore u zhvillua te kazermat e Shkodrës, në të cilën u vra një ushtarak komunist dhe u plagos një tjetër. Për shkak të forcave më të pakta, forcat antikomuniste nuk mundën të hyjnë në qytet.
Kryengritja u zhvillua këtë moment sepse po zhvillohej në Paris Konferenca e Paqes (29 korrik–15 tetor 1946). Dy fuqitë botërore, Britani e Madhe dhe SHBA deklaruan këtu se nuk do ta njihnin regjimin komunist të E.Hoxhës. Faktori i brendshëm antikomunist, me ato pak forca që kishte, mendoi se ishte koha të ndërmerrej një lëvizje kundër regjimit. Regjimi shtypi lëvizjen dhe pak javë më vonë preu marrëdhëniet me misionet britanike dhe amerikane në Tiranë, duke organizuar me porosi të Beogradit incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe duke inskenuar “sabotazhin” kënetor të Maliqit.
Një prej veprimeve më burracake të regjimit ishte persekutimi vijues i një krahine, si dhe djegia e shtëpive të banimit.
Për të mos u zgjatur në një analizë të thellë, duhet nënvizuar fakti se kryengritja e Postribës, synonte të arrinte të njëjtën gjë që shqiptarët arritën në dhjetor 1990. Nëse do të arrihej më parë, sigurisht kostoja e rëndë 50-vjeçare nuk do të rëndonte kaq shumë mbi shqiptarët. Respekt për guximtarët dhe martirët e vitit 1946 që e kërkuan ndryshimin shumë më përpara se kur ai erdhi.
Skeda e kryengritjes në pak rreshta

Organizimi ushtarak:

– Hyrja në qytetin e Shkodrës, çlirimi i burgut, marrja e postë-telegrafës, depove të armëve e të jepte sinjalin se Shqipëria nuk e donte komunizmin.
Rrethanat politike:
– Kriza e regjimit komunist në raport me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
– Ditët ku po zhvillohej Konferenca e Paqes në Paris.
Përfaqëson:
– Qëndresën antikomuniste ndaj regjimit komunist.
– Përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e rendit kapitalist.
Bilanci i të dhënave:
– U arrestuan rreth 200 persona;
– U pushkatuan pa gjyq 33 persona;
– U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi;
– U arratisën: 69 persona;
– U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla apo dënime individuale, duke përfshirë edhe implikime.
– Në hetuesi u torturua deri në vdekje me hekur të skuqur në kockë avokati Muzafer Pipa nga Vaskë Koleci.
– Jup Kazazit të vetëvrarë iu shëtit kufoma në popull.
– Të pushkatuarit e procesit kryesor gjyqësor ishin: Cin Serreqi, Bilbil Hajni, Gjergj Volaj, Dulo Kali, Xhelal Hardolli.
Dokumenti bashkëlidhur tregon njërin prej telegrameve të datës 9 shtator 1946 që i dërgohet qendrës, në të cilin bëhet fjalë ndër të tjera edhe për largimin e banorëve nga Postriba për t’i shpëtuar hakmarrjes së shtetit ndaj popullsisë civile, si dhe përmendet fakti i djegies së shtëpive nga i ashtuquajturi “pushtet popullor”.
Sami Repishti denoncoi edhe një herë krimet e komunizmit dhe terrorin që u ushtrua, jo vetëm ndaj pjesëmarrësve në kryengritje, por edhe ndaj njerëzve të pafajshëm. Jo pa dhimbje ai përmendi torturat çnjerëzore të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, që nga djegiet me hekur të nxehtë, varrosjet për së gjalli, futja në gropat septike, varje e rrahje, për të cilat, sipas Repishtit, ishte i interesuar të zbatoheshin deri në fund vetë Enver Hoxha.
Qysh në ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri.

Regjimi detyroi shpërnguljen e 90% të banorëve, si dhe u dogji shtëpitë

Rrethi i Shkodrës kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore. Më datën 09.09.1946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër-Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhej në orën 02 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku do të bëhej organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, sapo të fillonte të zbardhte drita. Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të koordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblik, të ndihmuar nga forcat brenda qytetit të krijonin një situatë të pasigurtë për forcat qeveritare. Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën të kalonin urat. Qyteti nuk ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 24 të natës, mungonte informacioni dhe organizimi. Sulmi u përqendrua në tri drejtime: kundër kazermave të ushtrisë në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte Degën e Punëve të Brendshme që të paralizonte veprimet e këtij organi.
Sulmi filloi, sipas dëshmive të Abdullah Sahitit, dënuar me burgim të përjetshëm në orët e para të mëngjesit. Me tri të shtëna pushke, nisi sulmin mbi kazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto kazerma u zhvilluan të ashpra deri në ndeshje trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjatën rreth një orë e gjysmë. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por organizimi jo i mirë bëri që përkrahja e tij të ishte e vaktë. Deri në atë moment ishin vrarë rreth 12 kryengritës dhe plagosur me dhjetëra të tjerë, por një pjesë e kryengritësve, kishin arritur të depërtonin deri në lagjen Rus, te Doganët e Reja.
Forcat qeveritare, duke pasur epërsi numerike dhe armatimi, në mbështetje edhe nga forcat e reja të ardhur nga Tirana, arritën që nga pozicioni mbrojtës të kalojnë në sulm. Udhëheqësit e kryengritjes Osman Haxhia, Idriz Tahiri, Jakub Dani, etj., qenë shembuj burrërie. Kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin. Tërheqja qe e organizuar dhe e thellë. Gjatë tërheqjes mbeti i vrarë Elez Bazi, Nuz Salja. Osman Hyseni plagoset rëndë, lidhet pas një makine dhe tërhiqet zvarrë deri te Ura e Mesit.
Në fshatin Krebaj, të bregut të Bunës, bie heroikisht me armë në dorë Rasim Gjyrezi. Filloi terrori i egër komunist. 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura me çfarë kishin brenda. Në çdo fshat kishte të paktën një të pushkatuar, 10 shtëpi të djegura, çdo burrë i aftë për pushkë arrestohej. Me dhjetëra qenë të pushkatuarit me gjyq. Çdo ditë para popullit vriteshin e torturoheshin me dhjetëra kryengritës. Repartet ndëshkimore komuniste, kalonin nga fshati në fshat dhe pushkatimet, burgosjet, internimet, djegiet, plaçkitjet, torturat s’kishin të mbaruar.

Artikulli paraprakAntistalinizëm evropian në Shqipërinë staliniste?!
Artikulli tjetërZotimi i Tillerson: Riorganizim madhor dhe ndryshime në Departamentin e Shtetit