Nën hetim prokurori që shpëtoi nga burgu Veliajn dhe disa zyrtarë të Ramës

Ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha do të hetohet nga Krimet e Rënda. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se e ka dërguar dosjen e Fushës tek Krimet e Rënda.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ, për ish-prokurorin, z. Petrit Fusha, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me rastin, Komisioni ka vënë në dijeni edhe Prokuroren e Përgjithshme”, njofton KPK.

Lidhjet me Veliajn – Fusha është akuzuar si prokurori që shpëtoi Veliajn nga përgjegjësia penale në rastin e humbjes së jetës së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, në gusht 2016. Kryebashkiaku i Tiranës ishte personi përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve në landfill.
Pas kësaj ngjarje, familjarë të prokurorit, drejtues të kompanisë së ndërtimit “Fusha” shpk, fituan tenderin për ndërtimin e Sheshit “Skënderbej”.

Pa mbaruar mirë këtë projekt, “Fusha” aplikon për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, në territorin ku gjendet Teatri Kombëtar. Qeveria “Rama miratoi një lig, i cili njihet si “ligji Fusha”, me anën e të cilit i hapet rruga shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar. Megjithatë, kjo ende nuk është arritur falë rezistencës së aktorëve, të cilët janë kundër shembjes së ndërtesës së teatrit.

Dorëheqja – Petrit Fusha ka ushtruar detyrën e prokurorit nga viti 1997 deri më 28 shkurt 2019, kur vendosi të largohej me dorëheqje nga sistemi. Ai ka punuar në prokurorinë e Tiranës për një periudhë 15 vjeçare dhe u emërua drejtues i kësaj prokurorie në vitin 2013. Në vitin 2017, Fusha u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mbarimin e statusit të magjistratit, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për Fushën, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës. Në vendimin e zbardhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson gjithashtu se Fusha ka humbur të drejtën për të punuar në sistemin e drejtësisë së çdo niveli për një periudhë 15-vjeçare. /boldnews/

Artikulli paraprakfaqja e pare
Artikulli tjetërHaradinaj, takim me kancelaren Merkel në Berlin