Negociatat, zgjedhjet me 18 Prill?

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur sot konsultimet me krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Takimet kanë nisur prej mëngjesit të sotëm, ku në presidencë, kanë mbërritur kryetarë apo përfaqësues të partive politike në vend, të cilët në një anxhendë të ngjeshur, kanë zhvilluar bisedime me kreun e shtetit, për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Për opozitën duket se 18 prilli është data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, datë kjo e artikuluar prej nënkryetarëve të partisë Republikane dhe Agrare Ambjentaliste, në një prononcim për mediat, në përfundim të takimit me Presidentin Meta.

Sakaq maxhoraca duket se është e gatshme të shkojë në zgjedhje në cdo datë që do të përcaktojë Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit e cila përkon me festën e Pashkëve ortodokse. Lajmi u konfirmua për gazetarin Ergys Gjençaj nga burime të sigurta në përfundim të takimit që kreu i PS, Edi Rama zhvilloi në Presidencë.

Në këtë takim Rama, shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili nuk ka nguruar të shprehë disa herë preferencën e tij, për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare më 9 maj, datë që përkon me Ditën e Europës.

Ndërkohë që i përpiktë me orarin, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbërritur në Presidencë në 12:00 i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi.

Basha diskuton me Presidentin Ilir Meta mbi caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, për t’i lënë radhën më pas takimit me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila do të shoqërohet nga sekretari i përgjithshme i kësaj force politike, Endrit Braimllari në orën 12:30.

Sipas marrëveshjes së 5 qershorit, periudha e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme do të ndryshojë, dhe nuk do të jetë më në periudhën e verës, por një datë përgjatë periudhës kohore, 15 prill-15 maj.

Ora 09:30 Takimet kanë nisur me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Në një prononcim për mediat në përfundim të takimit Idrizi i tha se i ka shprehur shqetësimin Presidentit lidhur me çështjen e kufirit detar, duke theksuar se Shqipëria nuk ka çfarë deklaron me Greqinë për ujërat territoriale, por vetëm për zonat ekonomike. Sipas tij, nëse Greqia vijon të kërkojë zgjerimin me 12 milje në ujërat shqiptare, Shqipëria duhet të kërkojë Çamërinë.

“I shpreha shqetësimin Presidentit për faktin që duhet të ketë vëmendjen qeveria shqiptare për zonat ekskluzive ekonomike, sepse në këtë marrëveshje dy ishujt kanë marrë të drejtë të zgjerohen me 12 milje, që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë zonën ekonomike që ne duhet të ndajmë me Greqinë dhe Italinë. Më vjen mirë që ditët e fundit kryeministri ka bërë një tërheqje dhe e ka lexuar edhe vetë pikën 15 të Konventës. Më duhet të theksoj fort dhe të bëj të qartë për publikun se qeveritë shqiptare janë në sindromën e Shën Naumit dhe qeveria shqiptare nuk duhet të diskutojë më për kufijtë detarë e tokësorë me Greqinë.

Shqipëria ka lëshuar gati 30% të territorit të saj, e kam fjalën për Çamërinë. Ne nuk kemi çfarë bisedojmë me Greqinë për ujërat territorial, por vetëm për zonat ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështje të tilla, pa dyshim që ne do të kërkojmë Çamërinë. I bëra të qartë Presidentit që bisedimet mes dy vendeve duhet të fillojnë nga heqja e ligjit të luftës, të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjes çame. PDIU i shprehu shqetësimet Presidentit që qeveria ka fshehur agjendën shqiptare në diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka avancuar me agjendën greke”, tha Idrizi.

Ora 10:00 Nënkryetari i Partisë Republikane, Arian Madhi, ka përfunduar takimin me Presidentin Ilir Meta, ku është diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit.

Në fund të takimit, Madhi tha se PR ka propozuar 18 prillin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Kërkova që të diskutohet 18 prilli si data më e afërt për zgjedhje në Shqipëri. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm dhe kërkojnë me këmbëngulje ndryshim. Partia jonë do të jetë pjesë e çdo tryeze politike”, tha mes të tjerash Madhi.

Ora 10:10 Në presidencë ka mbërritur kreu i PDK-së Nard Ndoka, me të cilin kreu i shtetit do të zhvillojë gjithashtu një takim konsultativ për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ora 10:20 Po ashtu Presidenti Ilir Meta, ka pritur në një takim sot në presidenti kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Në fund të takimit, Dule tha për media se nuk ka një datë fiske, por PBDNJ propozon datën më të shpejtë të mundshme konform legjislacionit në fuqi për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Zhvillimet ekonomike dhe shoqërore kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve, me procedurën më të shpejtë. Zgjedhjet mbeten një sfidë ende e paarrirë në vendin tonë. Qëndrimi ynë është i qartë, propozojmë datën më të shpejtë të mundshme konform legjislacionit në fuqi”, tha Dule.

Ora 10:40 Nënkryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Arben Tafaj, tha pas takimit me Presidentin Ilir Meta se partia e tij propozon datën 18 prill 2021 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas numrit dy të PAA, zgjedhjet duhet të zhvillohen në këtë datë, pasi është e përshtatshme për shqiptarët, të cilët më vonë ikin në Greqi dhe vende të tjera për të punuar në punë sezonale.

“18 prilli është një datë shumë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve, për shkak se maji e më pas është periudhë e vështirë për shqiptarët, të cilët shkojnë e punojnë në punë sezonale në Greqi e vende të tjera. Data 18 prill ka dhe një epërsi tjetër, sepse është mes dy Pashkëve. Ky ishte qëndrimi i Partisë Agrare dhe ne ia shprehëm Presidentit. Çështje tjetër e diskutuar ishte dhe Kodi Zgjedhor, që po mbahet nëpër këmbë dhe nuk po diskutohet”, tha Tafaj.

Gjithashtu Presidenti Ilir Meta, ka pritur në takim kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili nuk është prononcuar për mediat në përfundim të bisedës me kreun e Shtetit.

Artikulli paraprakProtestat tek Unaza e Re/ Gjykata pushon një nga procedimet, Balliu: Gjithçka është politike, do t’i shpartallojmë në zgjedhje
Artikulli tjetërProtesta të dhunshme në Bullagari, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe prokurorit të përgjithshëm