Në Turqi arrestohen akademikë e bankierë

Autoritetet në Turqi e kanë vazhduar goditjen kundër njerëzve, të cilët akuzohen se kanë pasur ndonjë lidhje me puçin e dështuar ushtarak të muajit të kaluar.
Dje prokurorët kanë paraqitur fletarreste për 84 akademikë, për të cilët pretendojnë se kanë lidhje me klerikun në ekzil, Fethullah Gulen, që Ankaraja e fajëson për orkestrim të grushtshtetit.
Zoti Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara, e ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirjeje.
Policia e Turqisë, po ashtu dje, i ka arrestuar 29 inspektorë të mbikëqyrjes së bankave shtetërore, që janë akuzuar “për inspektime të parregullta”.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Fikri Isik, tha se 137 pjesëtarë të ushtrisë, përfshirë 9 gjeneralë dhe admiralë, të akuzuar për mbështetje të puçit, ende janë në ikje.
Gjithsej, 40 mijë njerëz janë arrestuar prej puçit të dështuar ushtarak më 15 prill, dhe më tepër se 20 mijë janë arrestuar.

Bilanci i arrestimeve të 24 orëve të fundit në Turqi

Më 17 gusht, Kryeministri turk e ka lëshuar një “dekret special” përmes së cilit vendoset lirimi i 38 mijë të burgosurve, pa përfshirë ata që janë të dënuar për vrasje, abuzime seksuale apo përdhunim. Kjo përfshin krimet ekonomike.
Burgjet e tejmbushura turke dhe proceset e ngadalshme gjyqësore kanë detyruar të gjitha qeveritë që të amnistojnë të burgosur çdo vit, për të krijuar hapësirë për të burgosur të rinj.
Por, niveli i paprecedent i goditjes ndaj përkrahësve të dyshuar të klerikut turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, i cili akuzohet se e ka organizuar grushtshtetin e dështuar të 15 korrikut, duket se ka luajtur rol të madh në nxitjen e qeverisë së Rexhep Tajip Erdogan që të përfshijë sa më shumë të burgosur në amnisti.
Mijëra të burgosur që dyshohet se në mënyrë aktive apo vetëm verbale e përkrahin Gylenin po presin proceset gjyqësore në salla të mëdha të paraburgimit në të gjithë vendin. Ata kanë nevojë për një vend në burgje të rregullta. “A po lirojmë hajdutë e kriminelë që të krijojmë hapësirë për puçistët?” është një pyetje që po bëhet me të madhe në mediat turke të këtyre ditëve.
Padyshim që përgjigjja është po.
Duke u mbështetur në lajmet kryesore të mediave në Turqi, në vijim ju sjellim një përmbledhje të paraburgosjeve, arrestimeve dhe pezullimeve të 24 orëve të fundit që kanë lidhje me puçin. Do të përfshijë edhe sulmet e ndara terroriste që kanë lidhje me kryengritjen kurde.
– 24 gazetarë të paraburgosur të gazetës “Ozgur Gundem” janë dërguar në zyrën e prokurorit;
– Në një sulm terrorist në një fshat në afërsi të qytetit juglindor të Bitlisit, katër pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë;
– Asnjë gjurmë nga mësuesi i paraburgosur, Demirtas;
– Sipas një “dekreti special”, 187 biznesmenë duhet të paraburgosen;
– Sulm me bombë në stacionin policor në Van në Turqinë Lindore, tre të vrarë dhe 73 të lënduar;
– Operacion AntiGylen kundër dhëndrit të kryetarit të Stambollit, Kadir Topbass;
– Komiteti i mediave elektronike kombëtare e ka ndaluar raportimin për sulmin me bombë në stacionin policor të Elazigut, po në Turqinë Lindore;
– Koloneli i paraburgosur në një rast që ka lidhje me Gylenin bën përpjekje të mbrojë veten;
– Guvernatori i Elazigut në Turqinë Lindore thotë se tre policë janë vrarë, 146 janë lënduar, 14 prej të cilëve me lëndime serioze;
– Një “dekret special” vendos pezullimin e 2360 njerëzve nga departamenti i policisë dhe 112 të tjerëve nga personeli i forcave të armatosura;
– Planifikohet paraburgosja e 86 gjykatësve dhe prokurorëve.
Të gjitha këto në një ditë.
Sa për sqarim, “dekretet speciale” të Presidentit dhe të Kryeministrit e luajnë rolin e ligjeve në gjendjen aktuale të emergjencës.
Lista e mësipërme mund të mos jetë e plotë. T’i harrojmë për pak sulmet e tmerrshme terroriste që kryesisht kanë lidhje me kryengritjen kurde. Si mund të përcjellësh paraburgosjet dhe pezullimet që po vazhdojnë prej 15 korrikut – pa pushim? Nuk mundesh. Askush nuk mundet, pos agjencive të sigurisë. Gazetarët megjithatë mundohen të mbajnë hapin përmes statistikave.
Sipas disa vlerësimeve, prej puçit – 77 mijë shërbyes civilë janë pezulluar, 5 mijë janë larguar nga puna, 19 mijë janë paraburgosur dhe mbi 11 mijë janë arrestuar.
Të njëjtat burime vlerësojnë se numri prej 77 mijë pezullimeve shumë shpejt do të arrijë shifrën prej 100 mijë.
Presidenti ka paralajmëruar që “viruset” siç i quan ai përkrahësit e Gylenit “janë gjithandej”. Ai iu ka bërë thirrje të gjithëve që t’i raportojnë ata te prokurorët dhe agjencitë e sigurimit “edhe nëse janë miqtë tuaj”.
Disa kanë rapotuar se bile edhe vetë miqtë e përkrahësve të Gylenit janë paraburgosur. Ka pretendime se disa njerëz spiunojnë të tjerët dhe i raportojnë si “gylenistë” te forcat e sigurisë vetëm që t’iu marrin vendet e punës apo bizneset.
Ndërkohë, të akuzuarit kanë humbur vendet e tyre të punës dhe sigurinë financiare. Së bashku me familjet e tyre, ata mund të arrijnë deri në gjysmë milioni njerëz apo më shumë.

Artikulli paraprak2/3 e amerikanëve: Vendi është në rrugë të gabuar
Artikulli tjetërPutin drejton nga Krimeja e pushtuar