Në rast se Trump do të ishte dënuar, flet avokati i famshëm Alan Dershowitz

Flet avokati i famshëm Alan Dershowitz “Në rast se Trump do të ishte dënuar, Shtetet e Bashkuara do të transformoheshin në një demokraci parlamentare europiane, ku Presidenti mund të shkarkohej me një mocion të thjeshtë mosbesimi”

Si avokat i Trump, Alan Dershowitz ka mbështetur arsyetimin se shkarkimi i një Presidenti mund të ndodhë vetëm për krimet e parashikuara nga Kodi Penal (abuzimi i pushtetit dhe obstruksionizmi i Kongresit nuk janë të tillë). Historianë dhe studiues të ndryshëm thonë se pafajësia e Trump mbi këto baza do ta bëjë më të vështirë në të ardhmen vënien në përgjegjësi të një Presidenti për sjelljen e tij dhe do të jetë më e lehtë për ekzekutivin që ta shmangë mbikëqyrjen e Kongresit.

«Nuk besoj, replikon Dershowitz. Në fakt, mendoj se sikur Trump të ishte dënuar me një votë politike të bazuar mbi kritere jokushtetues, kjo do ta kishte ulur pragun për shkarkimin dhe të kishte vendosur një precedent të tmerrshëm. Mund të përdorej kundër çdo Presidenti që gjendej me Kongresin e kontrolluar nga partia opozitare. Do ta kishte normalizuar impeachment-in dhe do t’i transformonte Shtetet e Bashkuara në një demokraci parlamentare të stilit europian, ku një President mund të shkarkohet me një votë të thjeshtë mosbesimi. Unë dua të ruaj Kushtetutën më shumë sesa një President të veçantë».

Ekspertë të tjerë konsiderojnë se referimi ndaj «krimeve dhe shkeljeve të larta» në Kushtetutë zbatohet në një aspekt më të gjerë se sjelljet e dëmshme për shoqërinë.
«Nuk mendoj se ishte ky qëllimi. Kemi çuar në impeachment vetëm 3 presidentë, 4 nëse llogarisim Nixon; 40 të tillë janë akuzuar për abuzim me pushtetin – Washington, Adams, Jefferson, Lincoln, Roosevelt – por asnjëri prej tyre nuk është vënë nën akuzë. Dëshirohet të ndryshohet kuptimi fillestar i impeachment-it për ta bërë më të lehtë për arsye politike».

Ju jeni kritikuar për këtë shprehje: «Nëqoftëse një President bën diçka që e mendon se mund ta ndihmojë për t’i rizgjedhur, në interes publik, kjo nuk mund të jetë e tipit “do ut des” që çon në impeachment». Ju kanë akuzuar se thoni që mund të bëjë çdo gjë. Jeni përgjigjur se shprehja është hequr nga konteksti dhe se, nëqoftëse kryen një krim, Presidenti mund të shkojë në impeachment.
«Saktë».

Por nëqoftëse nuk është krim, çfarëdolloj gjëje që bën, a nuk mund të vihet nën impeachment?
«Po, kriteri im është se nëqoftëse nuk bëhet fjalë për një sjellje kriminale të ngjashme me tradhëtinë e lartë dhe korrupsionin, ai nuk mund të vendoset nën impeachment».

Po kështu a nuk i jepet ekzekutivit një pushtet thuajse i pakufizuar?
«Presidenti nuk mund të gjithçka që do. Kongresi mund ta ndalojë me mënyra të ndryshme, me mocione dënimi, duke refuzuar që t’i autorizojë financime… ama nuk mund ta vendosë nën impeachment vetëm me këto kritere. Nëqoftëse nuk jeni dakord, atëhere kapuni me Madison (një prej hartuesve të Kushtetutës, shënimi im.), jo me mua».

I thirrur që të dëshmojë për republikanët, studiuesi Jonathan Turley ka ngritur objeksionin se «çdo herë që një President kërkon informacione ndaj një rivali, ngre pikëpyetje të rënda lidhur me abuzimin e rolit të tij».
«Gabohet, çdo President kërkon informacione negative për rivalët, me burime kombëtare dhe të huaja. Çdo kryeministër apo politikan botëror e bën. Mund të gjykohet e gabuar qasja e Trump, siç janë shumë prej politikave të tij – mbi emigracionin, mjedisin, shëndetësinë, armët, abortin, transgjinorët – ama nuk janë të klasifikueshme për dënim nëpërmjet impeachment».

Trump thotë se Neni 2 i Kushtetutës, që i jep Presidentit pushtetin ekzekutiv, i jep «të drejtën që të bëjë gjithçka që do».
«Nuk është kështu. Neni 2 i kufizon pushtetet e Presidentit. Ama edhe pushteti i impeachment-it nuk e lejon Kongresin që të bëjë çdo gjë. Deputetja Maxine Waters ka thënë:”Mund të vëmë nën akuzë kë të duam për motivet që duam”. Në këtë rast Kongresi do të ishte mbi ligjin. Ekuilibri dhe Kushtetuta janë dy vizione ekstreme».

Ministri i Drejtësisë William Barr mendon se ka pak limite ndaj pushteteve të Presidentit, paksa si Dick Cheney në kohën e Bush. Barr beson se autoriteti i Shtëpisë së Bardhë është «korroduar progresivisht» pas dorëheqjes së Nixon, por se qëllimi i revolucionarëve amerikanë që themeluan Shtetet e Bashkuara ishte që të ridimensiononte «pushtetin e ekzagjeruar legjislativ», jo ekzekutivin.
«Në realitet donin t’i ridmensiononin të dyja. Ai i Barr dhe i Cheney është një vizion që nuk e pranoj krejtësisht, për këtë arsye kam votuar kundër presidentëve të tyre. Ama një gjë janë pushtetet e Presidentit, një tjetër është impeachment-i, që është një ilaç i jashtëzakonshmëm për raste ekstreme. Është përdorur korrektësisht vetëm një herë: kundër Nixon, ama jo kundër Andrew Johnson, Bill Clinton apo Donald Trump».
(Viviana Mazza për Corriere della Sera)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprak“Fqinji im, Adolf”: Historia e pabesueshme e gruas hebreje, që jetoi ngjitur me Hitlerin për vite me radhë
Artikulli tjetërPse proteston Franca