Në minutën e fundit

Euro 2016 është turneu i golave të minutës së fundit ose në kohën shtesë. Në 21 ndeshje të luajtura deri në mbrëmjen e së premtes, 7 sfida janë përcaktuar nga rrjetat e realizuara rreth minutës së 90-të ose edhe më mbrapa. Gola në sekondat finale janë shënuar edhe në 6 ndeshje të tjera, që gjithsesi nuk kanë ndikuar për të përcaktuar fituesin, por shërbyen më së shumti për golavarazhin e skuadrave. Plot 12 gola të shënuar në fund, nga të cilët 6 kanë qenë vendimtarë.
Skuadra që ka përfituar më tepër nga kjo statistikë e veçantë e Kampionatit Europian ka qenë Franca, skuadra e vendit organizator dhe kundërshtare e Shqipërisë.
“Gjelat” fituan 2-1 në ndeshjen hapëse të turneut me Rumaninë, falë golit të Payet në minutën e 89-të. Fati ishte në krah të skuadrës së Deschamps edhe përballë kuqezinjve në Marsejë, me Shqipërinë që u mposht pas rrjetave të Griezmann në të 90-ën dhe Payet në minutën e 6 shtesë.
Anglia vuajti golin e vonë në barazimin 1-1 përballë Rusisë, me Berezincky-n që në të 92-ën i hoqi fitoren. Por, Tre Luanët u shpërblyen në derbin me Uellsin, të fituar 2-1 pas golit të Sturridge po në minutën e 92-të.
Pique shpëtoi Spanjën në ndeshjen hapëse kundër Republikës Çeke në minutën e 87-të. Pikërisht çekët arritën të barazonin 2-2 kundër Kroacisë, falë golit me 11-metërsh të realizuar nga Necid në kohën shtesë. Eder i dhuroi kualifikimin Italisë me rrjetën e minutës së 88-të, në sfidën ku të kaltërit mposhtën minimalisht Suedinë e Zlatan Ibrahimoviç.
Golat që nuk kanë ndikuar në rezultat janë ai i Pelle, në minutën e 93-të në fitoren e Italisë me Belgjikën, Schweinsteiger në të 92-ën në sfidën Gjermani-Ukrainë, rrjeta e Stieber në të 87-ën në suksesin 2-0 të Hungarisë me Austrinë dhe në fund goli i dytë i Irlandës së Veriut në fitoren me Ukrainën, nga McGinn në minutën e 96-të.
Euro 2016 në Francë është vërtet shumë taktik dhe me pak gola të realizuar, por është gjithashtu një turne që dhuron emocione deri në sekondat e fundit.
Uellsi është padyshim një prej surprizave të bukura të Kampionatit Europian. Gareth Bale, mister 100 milionëshi, vazhdon të udhëheqë skuadrën e drejtuar nga Coleman, duke shënuar dy gola në dy sfidat e para të luajtur. Ylli i Realit të Madridit cilësohet një hero në vendin e tij, aq sa kryebashkiaku i Bala-s, ka vendosur t’ia ndryshojë emrin qytezës së vogël në veri të Uellsit, duke e përshtatur me atë të sulmuesit.
Gareth Bale është paraqitur në nivelin e pritshmërive, duke qenë protagonist absolut në debutimin historik në Kampionatin Europian, ku mbetet një element vendimtar për lojën e Uellsit dhe me golat e tij. Për këtë arsye, kryebashkiaku vendosi ta vlerësojë 26-vjeçarin, duke ndryshuar germën e fundit të emrit të qytezës nga “a” në “e” dhe tashmë ajo do të quhet Bale.

Artikulli paraprakZvicra e përçarë për Xherdan Shaqirin
Artikulli tjetërPlagosja në Kamëz, autori tentoi të vrasë gjithë punonjësit e supermarketit