Në Mat, tek bukuria e pamat’…

Fltura AÇKA

“UN TE PAGESONT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENIT”.

Kjo është formula shqipe e Pal Engjëllit, e gjendur mes radhëve të një duzine dokumentesh e aktesh të shkruara në latinish, të Kuvendit të Matit të vitit 1462, që na vërteton se ç’gjuhë kanë folur të parët tanët. E ku tjetër, veç Matit dhe që ta kuptosh këtë të duhet të shqyrtosh një histori të tërë të një prej trevave më të rëndësishme shqiptare. Ndaj, të vizitosh Matin, ndjehesh se bën, mes të tjerash, edhe një mirënjohje të thjeshtë ndaj atyre burrave e grave, të atyre figurave që profiluan me gjithçkanë që patën, identitetin tonë kombëtar. 4 4

Për një njeri të fjalës dhe të vargut, si unë, Pjetër Budi është një arsye edhe më shumë. Edhe Mbreti Zog, është një arsye po aq shumë sa të tjerat. Me këto në mendje, i thashë “po” pa u menduar fare, ftesës së matjanes së mrekullueshme dhe poetes Lindita Doda, kur fati e dha të takoheshim bashkë në një festival poezie në Gjilan të Kosovës në krye të vitit.
Në shpërthim të pranverës, rruga nëpër grykën e Shkopetit – shpesh aq e ngushtë sa syri të kap vetëm një veshtull nga ujërat e blerta të lumit të Matit poshtë në të djathtën tënde – është e bleruar në dyja anët e saj, sa të duhen dy palë sy, edhe për shpatet e pyllësuar e të ngjyera shpesh nga pinku i lofatave, edhe për rrugën dredhane. E më pas, kodra të buta, të blerta, të dizenjuara vende-vende në kreshtat e tyre nga shtëpitë e bukura. Kur i afrohesh fshatit Baz, një fshat aq i bukur dhe me shtëpi e konakë të mirëmbajtur, e ndjen se po i afrohesh qytetit të Burrelit, dhe syri të kap një mrekulli e pafund kodrinash të veshura me të gjitha ngjyrat e të blertës.

Pamja jote pritet tutje larg nga malet, të Dejës në njërin krah e të vargmalit të Skëndërbeut në anën tjetër. Nën rrugë të shfaqen kullat e Bushkashit, një fshati me emër, dhe tutje me të gjitha laryshitë e së kaltrës dhe së hirtës, në varësi të thellësisë së ujërave, edhe liqeni i Ulzës, ku në njërën nga kodrinat ngrihet Ulëza, tashmë një qytezë mjaft tërheqëse. Diku në një tjetër sop mbi liqen, diku afër fshatit Urakë, është vrarë një personazhi im “fiktiv” në romanin tim të fundit “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, i marrë natën nga burgu famëkeq i Burrelit dhe i zhdukur pa lënë gjurmë.

Sigurisht, kam një ndjenjë zori që “të burgosurin” tim e kam vrarë në një vend që nuk e kam shkelur vetë, por që e kam shenjuar përmes Google Map, duke e thirrur në ndihmë teknologjinë, pa mundur – ose përtuar – për ta shkelur në kohë tokën ku i ngremë shpesh “gënjeshtrat” tona letrare. E pra, vetëm 100 km nga kryeqyteti fshihet një bukuri që shqiptarët duhet ta njohin dhe ta prekin, por mbi të gjitha, mikpritjen matjane, të takojnë matjanët e mrekullueshëm, të pinë një kafe në qytetin e Burrelit, që sikurse një familje e madhe, të dhuron aq shumë dashuri. Sot unë e kam prekur këtë mrekulli. 4 4

Edhe pse ftesa për të vizituar Burrelin, ishte për të promovuar një nga veprat e mia, romanin “Ku je?”, libri ishte vetëm shkas për të ruajtur në kujtesë një ditë aq të bukur. Rrallë të ndodh në Shqipëri të kesh salla plot me lexues e publik të interesuar për librin, po aq rrallë të ndodh të rrethohesh nga vajza të reja, që me fytyrat si diej të vegjël, të lënë të kuptosh se ka një Shqipëri që të jep shpresë, një Shqipëri që të bën të beson se Shqipëria do të bëhet.

Rrallë të ndodh që në një ditë të ndeshësh me aq shumë befasi, që nga takimi me një ish-mikun tënd të studimeve universitare, tashmë kryetar bashkie i Burrelit, Nezir Rizvanin, të cilin e takoj pas tridhjetë vitesh, apo bërthama e një klubi letrar aq aktiv si Klubi i Shkrimtarëve “Pjetër Budi”, apo një takim i beftë me një grup vajzash që të pyesin e të të lexojnë poezitë e tua, në buzëqeshjet e të cilave gjen hijeshinë e syve që të kanë munguar muajsh e për të cilat të ka marrë aq shumë malli. Dhe që ta plotësosh ditën tënde me të gjitha stolitë që një ditë e tillë ruan për ty, një kafe në Ulzë të kthehet në një fotografi mbresuese që nuk do që ta harrosh kurrë.6 2

Dhe ti e di se do të kthehesh sërish shpejt, edhe sepse nën shoqërinë e bashkëudhetarit tim të shpeshtë, poetit Bislim Ahmetaj, kthimi aty është i pashmangshëm. Ke aq shumë ende për të parë, nga tumat ilire, në vendbanimet shpellore, stoli e stringla që nuk munde t’i shohësh dot, të shkelësh Stelushin e Petralbën, Xibrin e Darsin, dhe të ndiesh oshëtimën e historisë së Albanoit të dikurshëm, aromat e luleve e të zjarreve, tingëllimat e shpatave dhe heshtave, të ndeshësh me bëmat e atyre “pleqve bujarë, që qenë përpara ne, e ata trima sqimatarë, të shpejtë si rrufe” që i ka njohur Budi, hingëllimat e kuajve që rrugëtonin grykave aty për në Dibër e tutje, të ndjesh spikamën e laryshive të veshjes së njohur matjane, dhe të kuptosh se “qyteti i mollëve” ka kaq shumë për të të dhuruar me bujari të pamat’.
U jam mirënjohëse miqve të mrekullueshëm matjanë, të njohur e të panjohur deri më sot: Lindita Doda, Nezir Rizvani, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Hamdi Hysuka, Shpresa Dusha, Teuta Karaj, Qemal Cena, Besim Çollaku.

Burrel, Mat, 6 prill 2019

1 10

 

Artikulli paraprakShteti policor në shërbim të pusht-etit!
Artikulli tjetërShpërthim eksplozivi në lokalin e kryetarit të PS, policia fsheh ngjarjen