Ndikimi i debatit të parë presidencial

Demokratja Hillary Clinton shpreson të rrisë epërsinë në anketa pas debatit të parë me republikanin Donald Trump. Një anketë e zhvilluar nga rrjeti “CNN” dhe organizata “ORC” pas debatit tregon se 2/3 e të anketuarve mendonin se zonja Clinton doli më mirë në debatin e parë mes rivalëve për Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti Jim Malone ka përgatitur një analizë mbi ndikimin që pritet të ketë ky debat.
Hillary Clinton dukej shumë më entuziaste gjatë takimeve dje me përkrahësit në Karolinën e Veriut, një ditë pas një prezantimi të fortë në debatin e parë presidencial.
“E pa njeri debatin e mbrëmshëm? Një u krye, mbeten edhe dy të tjerë”.
Zonja Clinton e detyroi rivalin Donald Trump të hidhej në mbrojtje gjatë një pjese të madhe të debatit, duke ngritur pyetje përse ai nuk bën publike taksat dhe rolin në teoritë e konspiracionit për vendlindjen e Presidentit Obama:
“Ai në realitet e filloi aktivitetin politik bazuar në këtë gënjeshtër raciste se, Presidenti ynë i parë me ngjyrë nuk ishte shtetas amerikan”.
Vetëm kohët e fundit zoti Trump ka deklaruar se e pranon që Presidenti ka lindur në Shtetet e Bashkuara, pasi e vinte këtë fakt në pikëpyetje prej vitesh:
“Mendoj se bëra punë shumë të mirë dhe një shërbim të madh për vendin, por edhe për Presidentin pasi e bëra të nxirrte çertifikatën e lindjes”, u shpreh zoti Trump.
Kandidati republikan u tha përkrahësve në Majemi të martën se mendonte se debati kishte shkuar mirë, megjithëse më parë ishte ankuar për drejtuesin e debatit dhe mikrofonin.
Ai përmendi anketa që tregojnë se përkrahja për të po i afrohet nivelit të zonjës Clinton:
“Ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Po marrim gjithnjë e më shumë përkrahje. Fitova zgjedhjet partiake në Florida dhe tani në këtë shtet jemi në krye”.
Strategjia e zonjës Clinton për ta vënë rivalin e saj në mbrojtje gjatë debatit ka dhënë rezultate thotë analisti Matthew Dallek:
“Mendoj se ishte një fitore mjaft e qartë për zonjën Clinton në disa nivele, megjithëse mbetet për t’u parë, por parashikoj se do të ketë ndikim si moment i rëndësishëm në këtë cikël të gjatë dhe tepër kompetitiv zgjedhjesh”.
Por analisti thotë se ende nuk është i qartë ndikimi i debatit tek votuesit e pavendosur:
“Nuk mendoj se debati e dëmton tek baza e tij e përkrahjes. Por është vështirë të thuhet se e ndihmon ta rrisë dhe zgjerojë këtë bazë”.
Megjithë vlerësimet pozitive, zonja Clinton ende ka punë sidomos në problemin e mungesës së besimit që shfaqin shumë votues për të. Analistja Andra Gillespi shpjegon përmes Skype:
“Asaj i duhet të gjejë një mënyrë për të krijuar imazhin e një kandidateje që gëzon më shumë besim, që ka kapërcyer disa prej gabimeve”.
Debati i ardhshëm presidencial do të mbahet më 9 tetor.

Artikulli paraprakAnaliza pas debatit, Hillary Clinton fituese
Artikulli tjetërRaketa ruse shkaktoi tragjedinë e fluturimit MH17