Ndëshkim amerikan për Kadirov të Çeçenisë

Departamenti i Thesarit amerikan e ka goditur me sanksione financiare liderin e Çeçenisë, Ramzan Kadyrov sipas Aktit Magnitsky. Ky akt është ligj amerikan, i cili dënon rusët që supozohet se janë të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut.
Emri i Kadyrovit është një nga emrat më të zëshëm të zyrtarëve rusë që shtohet në këtë listë.
Ky ligj është miratuar në vitin 2012.
Përveç liderit çeçen në këtë listë janë shtuar edhe katër persona të tjerë: Ayub Katayev, Yulia Mayorova, Andrei Pavlov, dhe Aleksei Sheshenya. Kadyrov dhe një person tjetër që duket po ashtu të jetë nga Çeçenia janë sanksionuar “për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht”.
Departamenti i Thesarit ka thënë se një person dyshohet se është i përfshirë në abuzimin e një personi gej në Çeçeni më 2017.
Gazeta ruse, Novaya Gazeta me herët gjatë vitit ishte e para që kishte dokumentuar se në Çeçeni janë torturuar dhjetëra persona të komunitetit LGBT.
Kadyrov ashtu sikur Kremlini i kanë hedhur poshtë akuzat. Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar Aktin Magnitsky më 2012, për t’i ndëshkuar personat që janë të dyshuar për vdekjen e Sergei Magnitsky, prej nga e ka marrë emrin ligji.
Magnitsky ishte i punësuar nga financieri britaniko-amerikan, Ëilliam Broëder, kur është arrestuar dhe dënuar për mashtrim tatimor në vlerë të 230 milionë dollarëve. Ai ka vdekur derisa ishte ishte në burg më 2009, ndërsa familja e tij thotë se ai është torturuar.

Moska ndalon marshin e opozitës

Gjykata e qytetit të Moskës ka ndaluar mbajtjen e një marshi të planifikuar nga politikani opozitar, Ilya Yashin.Marshi ishte planifikuar të mbahej më 24 dhjetor në Moskë. Yashin e ka bërë të ditur këtë njoftim përmes një postimi në Facebook. Ai ka njoftuar një ditë më herët se do të nisë festivalin “Dita e Lirë e Zgjedhjeve” në Parkun Lermontov, duke shtuar se ligjvënësit nuk duhen të marrin aprovim paraprak nga autoritetet e qytetit për të zhvilluar një organizim.
Ai ka thënë se pavarësisht kësaj do të ankohet dhe përgatitjet për marsh do të vazhdojnë. Sipas Yashing, vendimi i gjykatës ka qenë i ndikuar nga autoritetet e Moskës. Mbështetësit e politikanit opozitar, Aleksei Navalny janë gjithashtu duke përgatitur marshe në 20 qytete ruse, duke përfshirë edhe Moskën më 24 dhjetor.
Navalny ka bërë fushatë nga viti i kaluar, mirëpo zyrtarët ligjorë kanë thënë se ai nuk mund të kandidojë për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai beson se ishte i motivuar politikisht. Ky vendim i gjykatës vjen vetëm dy ditë pasi ka nisur edhe zyrtarisht fushata presidenciale në Rusi. Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar më 6 dhjetor për vendimin e tij se do të kandidojë edhe për një tjetër mandat. Kritikët qeveritarë kanë thënë se rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të manipuluara nga autoritetet.

Kërcënime për sulme me bomba në Rusi

Në Rusi kanë filluar të paraqiten përsëri kërcënimet anonime për sulme me bomba.
Zyrtarët lokalë kanë thënë se mijëra persona janë evakuuar gjatë ditës së sotme nga ndërtesat administrative, shkollat, fakultet, qendrat tregtare, spitalet dhe hotelet në Moskë dhe shumë qytete tjera ruse.
Gjatë muajit shtator nga thirrje të tilla, të cilat më pas kanë rezultuar si mashtrim, janë evakuuar më shumë se 2,3 milionë persona në 190 qytete ruse.
Në asnjërin prej rasteve nuk janë zbulur bombat.
Drejtori i Shërbimit Federal për Siguri, Aleksandr Bortnikov, ka thënë më 5 tetor se katër qytetarë rusë janë identifikuar duke supozuar se ata kanë qenë personat që kanë nisur valën e thirrjeve anonime.
Bortnikov ka thënë po ashtu se katër të dyshuarit kanë jetuar jashtë Rusisë, mirëpo kanë bashkëpunëtorë në Rusi.
Më 12 dhjetor, zëvendës ministri i Brendshëm, Igor Zubov, ka thënë se shumica e thirrjeve kërcënuese vijnë nga Siria.
Ai ka përmendur edhe Turqinë, Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, Kanadën, Kazakistanin dhe Uzbekistanin, si vendet prej nga kanë pranuar thirrje telefonike.
Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, i ka cilësuar thirrjet si “terrorizëm përmes telefonit”.

Artikulli paraprakPse Fondacioni Soros mbajti peng ngritjen e KLP-së?
Artikulli tjetërReforma historike e Trump