Ndërtimet pa leje rritje me 73% gjatë zgjedhjeve

Ndërtimet pa leje mbeten një nga sfidat kryesore për rendin ligjor dhe autoritetin e shtetit. Sipas Institutit të Statistikave, ndërtimi i paligjshëm është ndër veprat penale më të shpeshta, madje në rritje. Në tremujorin e dytë të vitit, u regjistruan afro 700 çështje penale për ndërtime pa leje, 73% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me gjithë paralajmërimet e shumta dhe pretendimet për vendosje të ligjshmërisë, ndërtimet pa leje nuk po frenohen. Në tremujorin e dytë të këtij viti, një faktor me ndikim kanë qenë zgjedhjet, që, në perceptimin e shoqërisë shqiptare, shoqërohen me ulje të kontrollit dhe trysnisë së autoriteteve për zbatimin e ligjit. Me sa duket, kjo ka shtyrë një numër në rritje të individëve të ndërtojnë në shkelje të ligjeve.
Situata problematike është pranuar edhe nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, që vetëm pak ditë më parë shkarkoi të gjithë inspektorët në qarqet e Lezhës dhe të Shkodrës. Ligjërisht, ndërtimet pa leje nuk mund të përfshihen më në skemën e legalizimeve, megjithatë, mentaliteti i fituar nga mbi 25 vjet të mungesës së autoritetit ligjor në kontrollin e territorit po rezulton i vështirë për t’u ndryshuar.
Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullsisë janë me tkurrje në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB. Nga ana tjetër shumë vende të Europës, ato më të zhvilluara po përballen me shtim të popullatës prej emigracionit nga vendet e Lindjes se Mesme dhe atyre të Afrikës së Veriut.
Mirëpo në paradoks me këto zhvillime, Shqipëria ndodhet para një bumi ndërtimesh. Përveç lejeve të dhëna deri më tani është lajmëruar ndërtimi i të paktën 15 kullave shumëkatëshe, tre prej të cilave pritet të nisin punë që këtë vit. Tendenca ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2, nga të cilat 43 leje ishin në Tiranë. Eurostat shpjegon se indeksi i lejeve të ndërtimit u rrit në shumicën e shteteve anëtare të BE-së në mes të tremujorit të parë të vitit 2014 dhe tremujorit të parë të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe, rritjet më të larta u regjistruan në Hungari, ku numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 157%. Më tej në renditje vjen Portugalia me një rritje 39 për qind krahasuar me 2015, më pas Maqedonia dhe Serbia me një rritje me nga 26% secila. Holanda dhe Rumania ishin të vetmet që pësuan rënie të numrit të lejeve të dhëna për ndërtim, respektivisht me 4.7 dhe 1.7%, ndërsa rritje të vogël të numrit të lejeve patën shtete të tilla, Greqia dhe Çekia.

Trefishimi i lejeve nga Veliaj

Trefishohen lejet e ndërtimit në Tiranë. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Gjatë tremujorit të parë 2017, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë Qarku i Tiranës me 42,6% dhe i Vlorës me 15,8%. Në Vlorë janë 16 leje në tremujorin e parë, ndërsa në Durrës u dhanë 12 leje, në Berat 5 leje, në Elbasan dhe në Fier nga 7 leje. Në dy vitet e fundit, rekordin për lejet e ndërtimit të dhëna e mban tremujori i dytë 2015, me 99 të tilla, kohë që përkon me muajt e fundit përpara ndryshimit të pushtetit lokal (zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj u zhvilluan në qershor 2015). Tirana së fundmi po zgjerohet fort nga pjesa veriore e saj. Në vijë të drejtë me ndërtimet e reja në zonën “Siri Kodra”, një bllok i madh pallatesh “Fiori di Bosko” po ndërtohet në zonën e “Don Boskos” nga kompania EDIL-Al. Ndërsa më tej në Fushën e Aviacionit ka nisur të ndërtohet kompleksi “Turdiu” me investitor kompaninë Kastrati. Në planet e hershme të zhvillimit të Tiranës, planifikohej që kryeqyteti të zgjerohej në anën veriore, nga Alliasi në drejtim të Laprakës, për shkak të lehtësive më të mëdha të furnizimit me ujë të qytetit të madh.

Artikulli paraprakKonsulente si Ajola, me 78 milionë në vit, burri, një kreditor
Artikulli tjetërBB, pse energjia për shqiptarët është luks