Ndahet nga jeta artistja e madhe Anita Take

Ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 83-vjeçare këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, Anita Take. Pavarësisht se nga publiku njihet me emrin Anita, emri i saj i vërtetë është Anida. Lajmi për vdekjen konfirmohet nga familjarët e artistes shqiptare.
“Me keqardhje, në emër të familjes Prodani, ju njoftojmë largimin nga jeta të zonjës së nderuar Anida Take (Prodani), sot më datë 12 janar, në moshën 83-vjeçare. Ndarja e saj nga jeta erdhi për shkaqe natyrore në shtëpinë e saj”, thuhet në njoftimin e familjes së këngëtares Anita Take. Familjarët njoftojnë gjithashtu se homazhet do të bëhen ditën e premte, datë 13 janar, nga ora 11:00-12:00, në hollin e Radio Tiranës. Funerali nis nga ora 12:00, prej andej për në Varrezat e Sharrës. Familjarët do të presin vizita ngushëllimi në mjediset e Hotel “Mondial”, duke nisur nga dita e shtunë në orën 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00.
Këngëtarja u ngjit në skenë para 50-vjetësh, por vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën e saj artistike. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Këngëtarja e madhe me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.
E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.
Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Pengu i vetëm për të, ishte se nuk arriti të filmohet, duke kënduar në vitet e saj më të mira.

Artikulli paraprak“Zëri i Amerikës”: Kryeministri ka kapur mediat
Artikulli tjetërShtypja e medias