Narkotrafiku ka zbritur euron në nivelin më të ulët në gati 8 vjet

Monedha e përbashkët ka shënuar një rënie të fortë edhe gjatë ditës së djeshme në tregun vendas, duke arritur në 134.3 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i tetorit 2009, kur një euro u këmbye me 134.22 lekë. Pas tetorit 2009, euro shënoi vetëm rritje në tregun vendas, për të arritur në mesatarisht 140 lekë për 5-6 vjet radhazi, në një nivel të qëndrueshëm, që pak ndikohej nga ecuria e euros në bursat ndërkombëtare.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, euro nisi një zhvlerësim të pazakontë në Shqipëri, e ndihmuar dhe nga rënia e monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit të kaluar, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët i gati 8 viteve, kur edhe euro në bursa arriti në gati 1.04 USD, nivelin më të ulët në 11 vjet. Por, edhe pse euro e mori veten, duke u këmbyer aktualisht me 1.09 USD, përveçse në janar kur arriti në rreth 137 lekë, euro në tregun vendas po vijon të flirtojë me nivelin më të ulët në gati 8 vite dhe ka arritur një rekord të ri ditën e djeshme. Ekspertët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme.

Burimet e padukshme

Nga burimet e padukshme është valuta e lartë që qarkullon, ku nga masivizimi i fenomentit të hashashit, një pjesë e të cilës hyn në treg. Një tjetër faktor i padukshëm, sipas ekspertëve është që me afrimin e zgjedhjeve kanë filluar shpenzimet zgjedhore, që këtë vit po kryhen edhe në valutë, duke rritur ofertën për euro.

Burimet e dukshme

Ndërsa nga burimet e dukshme janë rritja e të ardhurave nga turistët, gjallërimi i lehtë i remitancave, rritja e lehtë e eksporteve (megjithëse kjo e fundit ka ardhur nga eksportet që tregtohen në dollarë, si për shembull, nafta) apo dhe kërkesa për monedhën vendase nga disa kompani të mëdha që përgatiten të paguajnë taksat, si për shembull, TAP. Dje ishte data 11 dhe po afrohet data 14 e TVSH-së dhe data 20 e pagesës së sigurimeve, ku çdo muaj konstatohet forcim i lekut me afrimin e këtyre datave. Ekspertët e agjencive valutore pohojnë se ndërkohë bizneset kanë raportuar rënie të xhiros dhe po detyrohen të përdorin depozitat në valutë. Një tjetër efekt është edhe ai psikologjik, ku një krizë besimi gjithnjë shoqërohet me zhvlerësim të monedhës vendase. Edhe Banka e Shqipërisë tha në raportin e djeshëm të politikës monetare se forcimi i lekut në muajt e parë të vitit është i lidhur me ofertën e lartë për valutë në vend.

Artikulli paraprakFMN e raportoi borxhin e 2016-s, 1.7 pikë përqindje më të lartë se qeveria
Artikulli tjetërKoncesioni 100 milionë USD, skema ku përfundojnë paratë