Narcos, filmi vazhdon

Bledi KASMI

Gjithçka nisi më 30 Shtator. Pikërisht atëherë kur “Timonieri” po shijonte frytet e fitores së zgjedhjeve farsë të 25 Qershorit dhe po mbante leksione mbi moralin e qeverisë erdhi një goditje e fortë që i ngjante rrufesë në qiell të pastër. Ambasadori amerikan shfrytëzoi një takim me nxënësit të shkollave në Rrëshen, duke paralajmëruar se fitorja e pagëzuar me heshtjen e qeverisë së re nuk do ta kishte shumë të gjatë. “Ju jetoni në një demokraci. Nëse ju kërkoni, qeveria duhet t’ju përgjigjet, në të kundërt ju e rrëzoni. Kështu funksionon demokracia”, tha Ambasadori amerikan Lu.
Se çfarë luhej pas kuintave të politikës pakkush mund ta thotë në mënyrë zyrtare, por ajo që ka mbetur një shije e hidhur për partnerët ka qenë pikërisht 25 Qershori. Ndoshta shumë prej tyre mund të donin fitoren e Ramës në zgjedhje, por mënyra se si ajo u arrit la shije të hidhur.
Rama kishte bërë një pakt me opozitën në prani të fortë të negociatorëve ndërkombëtarë se do të bënte zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Rama e theu këtë marrëveshje, duke rrëzuar edhe fjalën që kishin dhënë partnerët e Shqipërisë. Ndërkohë, OSBE-ODIHR në raportin zyrtar të zgjedhjeve i rrëzuan ligjërisht këto zgjedhje, duke deklaruar se “votat u blenë dhe zgjedhësit u kërcënuan”.
Analiza e kancelarive mike të Shqipërisë e kishte lehtësisht të identifikueshme se nga vinin këto para që blinin votën dhe rrëzonin përfundimisht demokracinë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit fliste qartë për shndërrimin e Shqipërisë në qendrën e krimit të organizuar në rajon, ndërkohë shndërrimi i Shqipërisë në një plantacion gjigant droge kishte sjellë shqetësime të mëdha tek Italia fqinje.
Prokurori i Antimafias Italiane mbërriti në Shqipëri me një frymë, duke deklaruar se paratë e drogës po shkonin tek terrorizmi. Kjo është një pikë mjaft e ndjeshme për ndërkombëtarët në këto kohë të trazuara.
Fitorja e Ramës më 25 Qershor i ngjan asaj të Pirros. Ashtu si Pirro humbi gjeneralët dhe ushtrinë, Rama duket se tani do të ketë një fat të ngjashëm. Ai po lë jo gjeneralët e luftës, por gjeneralët e krimit dhe laku i parë është vendosur në fytin e ministrit të tij më të afërt të punëve të zeza, ish-ministrit të Brendshëm, i cili e frikëson dhe e fut në makth.
Pas deklaratës së 30 Shtatorit furtuna e operacionit SHBA-Itali ka njohur një kurbë ngjitje të shpejtë. A është kjo e koordinuar? Kjo pyetje nuk mund të ketë një përgjigje zyrtare, por shqyrtimi i deklaratave dhe aksioneve kundër krimit dhe mafias në pushtet shkon përtej paragjykimeve.
Më 2 Tetor Ambasadori amerikan bën një tjetër deklaratë të fortë “…zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim i organizatave të trafikut të drogës… katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave”, deklaroi Ambasadori Lu.
Deklarata pati jehonë të fortë dhe qeveria u struk. Skeptikët menduan se si edhe shumë deklarata të tjera të forta kjo do të harrohej, por ashtu ndoshta si rastësisht një tjetër ngjarje e fortë tronditi opinionin. Më 16 Tetor në Itali arrestohet Moisi Habilaj, krahu i djathtë në trafiqe i ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri dhe menjëherë pas arrestimit zbardhen përgjimet. Në përgjime bëhet e qartë se si funksionon trafiku qeveritar i drogës dhe e rëndësishmja se si blihen votat në zgjedhje. Tahirit nuk i mjaftonin 5 milionë euro në muaj, ndërsa për blerjen e votave në një fushatë nuk mjaftonin 20 milionë euro që Tahiri i merrte nga trafiku i drogës.
A mund të ishin rastësi deklarata dhe aksioni Antimafia? Ndoshta. Po nuk ka përfunduar këtu. Më 25 Tetor zëvendësndihmësekretari amerikan i Shtetit, Lu reagon në “Zërin e Amerikës” përmes një interviste pasi mazhoranca refuzoi të dorëzojë tek drejtësia ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. “Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administrates”, tha Yee.
Koordinimi i padeklaruar i operacionit SHBA-Itali vazhdon më 3 Nëntor. Në Tiranë mbërrin ministri i Brendshëm italian, Minniti. Takime më shumë konfidenciale se zyrtare dhe me një premtim të fortë publik për arrestimin e “peshqve të mëdhenj” për të cilin detyroi qeverinë që të mos ketë asnjë kundërshti.
Vendosmëria për t’i shkuar deri në fund këtij operacioni është e fortë. Pas 3 Nëntorit të ministrit të Brendshëm italian vjen edhe deklarata e djeshme e Ambasadorit amerikan se më në fund do të “hamë peshkun e madh”. Filmi vazhdon. Por deri nga fillimi i këtij operacioni dhe deri tani janë folur publikisht dy skenarë; rrëzimi i qeverisë dhe burgosja e “peshkut të madh”.

Artikulli paraprakOperacioni SHBA-Itali kundër Peshkut të Madh
Artikulli tjetërFaqja e pare