Nainggolan, “molla e ndaluar” e të mëdhenjve

Radja Nainggolan është ndoshta lojtari me rritjen më më madhe të vlerës gjatë vitit të fundit në Serinë A. Mesfushori belg i Romës, i cili ka arritur të marrë për dore skuadrën e Spalletit, refuzoi plot 12 milionë euro në sezon nga Kina, por radha për të mbetet e gjatë edhe në Europë. Në Trigoria të mëdhenjtë e Europës kanë trokitur për të mësuar qëllimet e klubit italian, por presidenti James Palotta e cilëson një lojtar shumë të rëndësishëm dhe largimi i tij do të finalizohej vetëm në rast të një oferte të çmendur. Chelsea ka nisur një sondazh ka gati 60 milionë, por ndoshta mund të mos mjaftojnë për të bindur Romën që ka pretendime më të mëdha ekonomike. Gjatë këtij sezoni, mesfushori belg numëron 2.200 minuta mes kampionatit dhe kupave dhe është lojtari i katërt më i aktivizuar në Gadishullin Apenin, prandaj për Spalletin, largimi i tij i mundshëm me destinacion Anglinë do të jetë një moment shumë i vështirë. Në këtë mënyrë, Roma e ka rritur në 80 milionë euro vlerën e kartonit të tij, duke mbajtur larg çdo pretendent, duke parë edhe moshën e lojtarit, i cili është në kufirin e 29 viteve. Gjithsesi, çdo alternativë mbetet ende e mundshme, pasi Nainggolan po konfirmohet si një nga mesfushorët më të mirë në Itali dhe driblimet, fuqia saktësia dhe nuhatja që ka ndaj portave, e bën atë një objekt të shumëdëshiruar nga të mëdhenjtë e Europës. Transferimi i tij në verë mund të bëhet një opsion më i mundur vetëm në rast se, Roma do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe dhe në një rast të tillë, Chelsea mund të synojë të bëjë goditjen finale me premtimin e një page më të madhe, por edhe me petkun e një skuadre që çdo vit hyn në garë për të triumfuar.

Artikulli paraprakReali kthehet te fitorja ndaj Malagës
Artikulli tjetërSi të zhdukësh varfërinë