Mziu përuron punimet në segmentin e tretë të rrugës “Demokracia”, 7 km në Paskuqan

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, përuroi nisjen e punimeve në segmentin e tretë të rrugës me gjatësi 7 km “Demokracia” në Paskuqan. Kështu, me nisjen e këtyre punimeve përmbyllet i gjithë procesi për investimin kryesor të Bashkisë Kamëz në vitin 2016. Edhe një herë, z. Mziu bën realitet premtimin e bërë në zgjedhjet e fundit vendore, duke bërë të mundur zgjidhjen e një prej çështjeve më të debatuara në territorin e Bashkisë së re Kamëz, së cilës i është bashkëngjitur ish-komuna e Paskuqanit pas reformës administrative-territoriale.
Mziu konfirmoi përpara banorëve të Njësisë Administrative të Paskuqanit se me gjithë pengesat burokratike nga ana e strukturave të qeverisjes qendrore u bë e mundur që krahas këtij segmenti rrugor, të zhbllokohet situata edhe për dy segmentet e tjera, duke plotësuar të gjithë investimin për rrugën “Demokracia”, e cila ka një gjatësi të konsiderueshme, rreth 7km.
Kryebashkiaku Mziu theksoi në fjalën e tij se nëpërmjet këtij investimi janë përfitues rreth 50.000 banorë të Paskuqanit, por edhe një pjesë dërrmuese e banorëve të Tiranës. Gjithashtu, realizimi i këtij investimi madhor nxit edhe një herë klimën favorizuese për biznesin, çka do të thotë rritje e të punësuarve. Krahas këtyre, kreu i Bashkisë theksoi se nesër miratohet buxheti për vitin 2017, në të cilin është planifikuar që 60% e tij të shkojë për investime. Ndërkaq, 60% e këtyre investimeve do të jenë përsëri në Njësinë Administrative të Paskuqanit, për të përafruar standardet e kësaj njësie me Bashkinë Kamëz.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërManaj kthehet te Interi në janar?