Mziu inspekton punimet e reja në rrugën “Liria” dhe rrjetin e KUN në Paskuqan

Bashkia Kamëz, e vendosur për të bërë të pamundurën për më shumë investime

Pavarësisht vetos qeveritare për mosfinancim projektesh bashkia Kamëz vazhdon të financojë projekte në infrastrukturë më të ardhurat e veta duke mbajtur kështu dhe premtimet ndaj qytetarëve. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, ka inspektuar punimet që po kryhen në rrugën “Liria”, një investim me fondet e Bashkisë. Aktualisht, në këtë segment të rëndësishëm rrugor po hidhen shtresat e asfaltit. Kështu, po vijon puna për ndërtimin e kësaj rruge, e cila do të ketë standarde bashkëkohore. Ky është një investim i rëndësishëm, me fondet e Bashkisë Kamëz, i cili po realizohet në rrugën “Liria”, duke nisur te kryqëzimi i shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton”, lagjja Frutikulturë, me një gjatësi prej 980 ml.
Ky segment rrugor ka një infrastrukturë të ndërthurur me përmbajtje të të gjitha elementeve të infrastrukturës rrugore të domosdoshme për çdo subjekt apo familje. Investim shënon hapat e para të saj siç janë hapja e kanaleve për shtrimin e ujërave të bardha dhe të zeza me ndarje të veçanta, me tubacione të përshtatshme për funksionin si dhe vendosja e ndërsjellët me sistemin e tubacionit të ujit të pijshëm të marrë në investim nga KfË, e cila po bashkërendon punën me firmën zbatuese të këtij projekti duke harmonizuar zërat e punimeve për të qenë në sinkron me investimet.
Baza e rrugës është 16 ml, ku nga kjo bazë tërësore nga 2.5 metra në të dy krahët e rrugës do të vendosen trotuare me gjerësi 2.5ml. Gjerësia e asfaltit do të jetë 10 ml dhe shoqëruar me kunetë. Ky segment do të jetë i ndriçuar si dhe i gjelbëruar në të gjithë gjatësinë e investimit. Në këtë investim janë përfitues me qindra familje të lagjes Frutikulturë, Zall-Mner si dhe banorë të lagjeve afër me të. Investimi kap një vlerë të konsiderueshme financiare, e gjitha e financuar nga buxheti i Bashkisë Kamëz.
Bashkia Kamëz po vijon me realizmin e investimeve publike edhe në zonën e Paskuqanit. Konkretisht, bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Rugova” në lagjen Paskuqan 1. Duke qenë se qeveria nuk ka akorduar asnjë qindarkë për investime në Kamëz e Paskuqan për tri vite, është Bashkia, e cila me të ardhurat e veta ka marrë përsipër që t’u përgjigjet nevojave dhe shqetësimeve të qytetarëve të këtyre zonave. Një nga këto investime edhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimi i rrugës “Ibrahim Rugova” në lagjen Paskuqan 1. Ky investim, i cili është pjesë e buxhetit të vitit 2016 të Bashkisë Kamëz, ka gjatësi L=298 ml. Ndërkaq, për kanalizimet do të përdoren tuba betoni Ø 1500.
Rruga “Ibrahim Rugova” lidhet me rrugën “Demokracia”, si dhe kufizohet me shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Nga ky investim do të përfitojnë rreth qindra familje dhe mijëra banorë. Ky investim do të shmangë përmbytjet që kanë ndodhur herë pas here në këtë zonë. Prandaj, realizimi i këtij projekti merr një rëndësi të veçantë, pasi ndodhet në një pikë kyçe, ku kalojnë fëmijët për të shkuar te shkolla, lidhet me një rrugë kryesore, siç është “Demokracia”, pa harruar se i jep zgjidhje edhe problemit të kanalizimeve, një shqetësim i familjeve që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Duke marrë në konsideratë kërkesat e këtyre banorëve, gjendjen emergjente të krijuar, lidhjen e kësaj rruge me rrugën kryesore “Demokracia”, Bashkia Kamëz ka përfshirë në investimet e vitit 2016 edhe projektin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve dhe të rrugës “Ibrahim Rugova”. Ashtu siç u tha edhe më lart, impakti social pozitiv që do të sjellë realizimi i këtij investimi do të jetë i jashtëzakonshëm, pasi do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e zonës.

Artikulli paraprakMafia e vërtetë që po rilind
Artikulli tjetërOpozita malazeze nuk pranon rezultatin zgjedhor