Mustafa: Ndryshime Demarkacionit nëse na prek

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do të bëhen korrigjime nëse vërtetohet se me Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vërtetohet që Kosova ka humbur territor.
Mustafa ka insistuar që të formohet një komision me ekspertë gjegjës për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar si formën më të mirë për t’u siguruar nëse demarkacioni me Malin e Zi ishte i drejtë.
“Ne nuk duam të vazhdojmë më tutje nëse vërtetohet se Kosova ka humbur territor”, ka theksuar Mustafa.
Këto komente, ai i bëri gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 72-vjetorit të lindjes.
Me këtë rast, ai është zotuar se nëse pas matjes vërtetohet që Kosova me Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi po humb territor, atëherë do të bëhen korrigjime.
“Nëse vërtetohet që territori i Kosovës është më i vogël se sa që e kemi pasur më herët, ju garantoi se do të bëjmë korrigjimin”, është shprehur Mustafa.
“Ndërsa nëse vërtetohet se territori është ai që e kemi pas e kemi obligim që ta respektojmë dhe të vazhdojmë me demarkimin e kufirit edhe me Serbinë”, ka theksuar Kryeministri i Kosovës.
Idenë e tij për themelimin e një komisioni për matjen e territorit të Kosovës e kanë kundërshtuar që në start partitë opozitare.

Artikulli paraprakAustria në kërkim të efektit Trump
Artikulli tjetërKush është njeriu i Trump tek Thesari?