Mustafa Nano dhe të ngjashmit e tij…

Nga Elona CASLLI

Mustafa Nano dhe kuptimi i tij absolut mbi botën…

Shamia më ofendon kuptimin që kam për botën’ – do të shprehej Mustafa Nano.

M’i vrau sytë ky formulim, pasi tregon as më pak e as më shumë ,veçse një individ që pretendon se kuptimi që ka ai për botën, duhet të jetë i vlefshëm për gjithë njerëzimin.

Përveç faktit se ky pohim fyen të gjitha gratë e mbulura kudo që janë, përmban brenda vetes një prirje prej diktatori i cili përpiqet t’i veshë botës veçse kuptimin e tij.

Cili prej nesh e vendos se ç’kuptim duhet të ketë bota?! Askush.

Cili prej nesh përfaqëson një autoritet të tillë, sa të deklarojë haptazi kuptimin e duhur të botës?! Askush.

Çdo njeri i jep botës kuptimin e tij, pasi çdo njeri është një qënie unike dhe e papërsëritshme. .

Bota është e bukur për shkak se sytë që e shohin atë janë të ndryshëm dhe rrjedhimisht ka një larmi kuptimesh brenda syve që e shohin.

Mustafa Nano dhe të ngjashmit e tij duhet të kuptojnë se në këtë botë ekziston edhe fjala ” reciprocitet”.

Me pak fjalë, mund të ndodhë që edhe kuptimi që Mustafa Nano ka për botën, të ofendojë kuptimin që gratë e mbuluara kanë për botën.

Lind pyetja- Kush e përcakton se cili është kuptimi i duhur?! Kush e përcakton se kush ka fyer kë?! Askush.

Albert Einstein do të kishte të drejtë teksa do të shprehej se – Gjithçka është relative përveç relativitetit.

Në deklaratën e tij Mustafa Nano, merr guximin të absolutizojë kuptimin e botës dhe të shprehë se ky është kuptimi i duhur i botës dhe ky kuptim nuk duhet ofenduar.

Kam njohur dhe kam qëndruar shpesh me gra të mbuluara. Kokën e tyre të mbuluar e kam parë thjesht si marrëdhënie që një individ vendos me ekzistencën e tij.

Nuk i kam lejuar në asnjë çast vetes, të gjykoj mbulesën mbi kokën e tyre. E kam konsideruar gjithmonë si diçka të paprekshme, sikundër e konsideroj të paprekshme mungesën e mbulesës në kokën time.

Unë nuk jam një grua e mbuluar dhe marrëdhënia ime me ekzistencën, është e ndryshme nga ajo e grave të mbuluara. Unë nuk mund të them se unë kam bërë zgjedhjen e duhur dhe ato kanë bërë zgjedhjen e gabuar, sikundër nuk mund të ndodhë e kundërta, për arsyen e thjeshtë se askush nuk ka të drejtë t’i diktojë dikujt jetën.

Është absurde të mendosh se dikush zotëron formulën e jetës së duhur dhe mund t’i thotë dikujt tjetër- Jeta e duhur është sipas kësaj formule. Duhet jetuar kështu. Çdo jetë që nuk zbaton këtë formulë është e gabuar.

Çdo njeri ka të drejtën të jetë ai çka dëshiron të jetë e për sa kohë dëshira e tij nuk cënon apo dhunon të drejtat e dikujt tjetër, është e denjë për respekt.

E ndryshmja duhet parë si vlerë për t’u bashkuar dhe jo si motiv për t’u ndarë.

Post Scriptum- Mustafa Nano duhet të kuptojë se bota nuk fillon dhe nuk mbaron me kuptimin e tij. Bota shkon përtej kuptimit që Mustafa Nano ka për të.

mm

123080462 1070466303423913 2619426997428484919 n

Artikulli paraprakShkrimi i fortë i Revistës së njohur në Bruksel ndaj Ramës: Mbreti lakuriq prishet me BE-në!
Artikulli tjetërÇfarë është “Pandemia e lodhjes” dhe si po përhapet