Mungesë meritokracie dhe paga të ulëta, tregu i punës ‘dekurajon’ të rinjtë në vend

Muça: 70% e kërkesave për punësim nuk duan kualifikim

Të rinjtë shqiptarë në këto 30 vite tranzicion vijojnë të kenë pothuajse të njejtat probleme, siç janë niveli i lartë i emigrimit, papunësia dhe mungesa e prespektivës në vend. Sipas të dhënave të INSTAT shkalla e punësimit tek të rinjtë është 56.7%, në tremujorin e dytë të vitit 2023, punësimi në moshat 15-29 vjeç u ul me 1.2% në krahasim me tremujorin e parë të vitit. Eksperti i punësimit tregon se cilat janë arsyet.

“Të rinjtë janë të pakënaqur me kushtet në terësi në tregun tonë të punës. Baza kryesore është mungesa e meritokracisë dhe konkurrencës së ndershme, si në kërkimin dhe gjetjen e punës, ashtu dhe në rrugën e tyre në karrierë. Së dyti është paga që marrin, shumica prej tyre në start marrin një pagë që përballë inflacionit, përballë vështirësive aktuale është shumë e ulët, gjë që i nxit drejt emigracionit.”

Realiteti dhe tregu i punës nuk i është afruar ambicies së të rinjve. Ndaj ata me shumicë, kanë zgjedhur t’i përmbushin ato diku tjetër.

“Në Shqipëri ka një nivel të lartë të punësimit me mik dhe jo me netëork profesional, që do të thotë rekomandimet bëhen duke zhvlerësuar anën profesionale dhe rrjedhimisht ndikojnë në humbjen e besimit të të rinjve. Momentalisht 70% e kërkesave të tregut të punës janë për profile ose natyrë punë që nuk kërkojnë medoemos një arsim të lartë.”

Sipas të dhënave të INSTAT grupmosha e të rinjve deri në 29 vjeç në vend po zvogëlohet vit pas viti, faktor kryesor veç uljes së lindjeve është ehd eemigrimi. Në vitin 2001, grupmosha nga 0-29 vjeç përbënte 53.5% të popullsisë totale. Në vitin 2011 kjo peshë zbritur në 47 %, ndërsa në janar të 2023 arriti nivelin më të ulët historik prej 37.3%, ose 570 mijë të rinj më pak. Në një sondazh CRCA rreth 70% e të rinjve kanë shprehur dëshirën se duan të emigrojnë. Ky nivel i lartë i emigrimi sipas ekspertëve pritet ta çojë vendin në një krizë të thellë të mungesës së burimeve njërëzore.

Artikulli paraprakEdhe pse në koma, emri i Schumacher bën para. Byzylyku nga goma e Ferrarit shitet në ankand për 30,000 euro
Artikulli tjetër“E drejta e fjalës është zëvendësuar me dhunën në Kuvend”, Bejko: Shqipëria, larg BE. Klasa politike po pengon integrimin e saj