Mungesa e energjisë, banorët bllokojnë rrugën në Vlorë

Banorët e Radhimës dhe të Orikumit në Vlorë bllokuan rrugën nacionale gjatë një proteste ditën e djeshme për shkak të mungesës së energjisë elektrike. OSHEE ka bërë ndërprerjen prej orës 08.00 të mëngjesit deri në 19.00 të mbrëmjes dhe kjo i ka irrituar banorët dhe turistët. Sipas tyre, qeveria po i falimenton bizneset pasi askush nga pushuesit nuk dëshiron të kalojë pushimet në këtë zonë. Ata shprehen se, do të vijojnë të mbeten në protestë duke bllokuar rrugën derisa të zgjidhet situata.
Sipas OSHEE, shkak për këtë ndërprerje të energjisë janë punimet që po kryhen në linjat e tensionit të lartë në zonën e Babicë-Rradhimë, por qytetarët e zonave turistike thonë se nuk janë njoftuar për këto ndërprerje dhe se po vuajnë pasojat ndërsa janë duke pritur pushuesit. Prej disa ditësh, OSHEE i ka shkëputur energjinë elektrike banorëve në zonën e jugut të Shqipërisë. Qindra banorë të Orikumit kanë bllokuar rrugën nacionale në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike.
Ndonëse turizmi konsiderohet si një sektor me prioritet në ekonominë shqiptare, pikërisht tashmë kur sezoni ka nisur është menduar të realizohen punime në linjat e transmetimit të energjisë elektrike, punime që sjellin ndërprerje të energjisë me orë të tëra. Deri në fund të muajit qershor, Vlora dhe gjithë fshatrat turistike do të jenë pa energji elektrike, pasi kompania e nënkontraktuar nga OSHEE për riparimin e linjës 35 kilovolt ka zgjedhur këtë periudhë për të kryer punimet. Kjo rrit kostot për bizneset dhe sigurisht largon pushuesit.

Artikulli paraprakKoalicioni i Pronarëve kundër qeverisë për ligjin e pronave
Artikulli tjetërE vërteta, ja djali i kujt është Taulant Balla