Mpaket Shqipëria, bien lindjet, rriten vdekjet në tremujorin e parë 2017

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e parë 2017, pasqyron një rënie me 33,6%, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Gjatë kësaj periudhe numri i lindjeve tejkaloi me 852 numrin e vdekjeve, raportoi dje INSTAT. Në tremujorin e parë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 639 numrin e vdekjeve. Në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Lezhë dhe Fier shtesa natyrore është pozitive. Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 160 numrin e lindjeve. Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2017 rezulton 6.880 duke shënuar një rënie me 4,0%, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 138 lindje, me një rënie prej 10,4%, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.087 lindje, të cilat shënojnë rritje me 1,5%, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Qarku i Tiranës dhe Qarku i Vlorës janë qarqet e vetme që pësuan rritje të numrit të lindjeve në tremujorin e parë 2017, krahasuar me tremujorin e parë 2016, edhe pse kjo rritje rezulton shumë e vogël. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet Qarku i Beratit me 14,3%. Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2017 rezulton 6.031, duke shënuar një rritje prej 2,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2016. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 1.448 vdekje duke shënuar një rritje prej 6,3%, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Numri i vdekjeve është rritur pothuajse në çdo qark në tremujorin e parë të vitit 2017 në krahasim me tremujorin e parë 2016. Rritja më e madhe është regjistruar në Qarkun e Dibrës me 7,8%. Qarku i Elbasanit shënoi rënien më të madhe të numrit të vdekjeve me 2,7%, pasuar nga Qarku i Shkodrës me 0,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2016.

Artikulli paraprakKosovë, Dogana rriti të ardhurat 3.4 për qind më shumë se një vit më parë
Artikulli tjetërPerformanca ekonomike është më keq se më 2015