Moska i kërkon ndjesë “Zërit të Amerikës”

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë i kërkoi ndjesë korrespondentit të “Zërit të Amerikës” për komentet e bëra nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov gjatë konferencës së shtypit ditën e martë, në të cilën ai përmendi disa fakte të pasakta, që minonin besueshmërinë e “Zërit të Amerikës”.
Disa orë pas komenteve të zotit Lavrov, zëdhënësja Maria Zahkarova, kërkoi ndjesë përmes një postimi në profilin e Facebook-ut të korrespondentit të “Zërit të Amerikës”, Danila Galperovich, që raporton nga Moska.
Gjatë konferencës së shtypit në Moskë, zoti Lavrov, kritikoi një raport të 6 janarit të korrespondentit Galperovich, i cili shkruante se ndryshe nga ç’e kanë zakon, zyrtarët rusë nuk kanë reaguar ende ndaj akuzave të agjencive amerikane të zbulimit se, hakerë rusë kishin ndërhyrë në fushatën presidenciale amerikane.
Gjatë dëshmisë në Kongres në fillim të janarit, zyrtarët amerikanë u paraqitën senatorëve prova në mbështetje të akuzave të tyre për ndërhyrjen e Rusisë. Një pjesë e provave u bënë publike më 6 janar, ditën kur presidenti i zgjedhur Donald Trump u informua më në hollësi mbi të njëjtat akuza.

“Gjueti shtrigash”
Duke folur të martën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e kritikoi ashpër “Zërin e Amerikës”, duke thënë se në raportimin e saj të 9 janarit, nuk e përmendi fare përgjigjen ruse ndaj akuzave amerikane, të cilat ai i cilësoi si një “gjueti shtrigash në shkallë të gjerë”.
Por ministri i Jashtëm nuk ishte i saktë, pasi raportimi i “Zërit të Amerikës” ishte i datës 6 janar, ndërsa përgjigjja ruse nuk kishte ardhur deri më 9 janar.
Zoti Lavrov e akuzoi gazetarin e shërbimit rus të “VOA” se, kishte gënjyer rreth reagimit rus ndaj akuzave të shërbimeve amerikane të zbulimit dhe e cilësoi raportimin e tij si “plehrë” të prodhuar nga një organizatë lajmesh që “financohet nga Departamenti i Shtetit”.
“Kjo është e vërteta që përhap ‘Zëri i Amerikës’”, vazhdoi më tej zoti Lavrov. “Por në këtë rast [Galperovich] gënjeu, pasi në kohën e raportimit, zyrtarët rusë kishin bërë komente”.
Më 9 janar, në përgjigje të gjetjeve të agjencive amerikane të zbulimit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i kundërshtoi ato duke i quajtur “gjepura”. Shërbimi rus i “Zërit të Amerikës” raportoi për këto komente të zyrtarëve rusë në të njëjtën ditë.
Drejtorja e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett, tha se zoti Lavrov, nuk ishte i saktë në komentet e tij rreth “Zërit të Amerikës”.
“‘Zëri i Amerikës’ raportoi për përgjigjen ruse të njëjtën ditë që ajo ndodhi”, u shpreh drejtorja Bennett në një deklaratë. “Për më tepër, ‘Zëri i Amerikës’ financohet nga Kongresi dhe jo nga Departamenti i Shtetit”, tha ajo.
Në një postim në Facebook, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, e pranoi pasaktësinë e zotit Lavrov: “I dashur Danila, të kërkoj ndjesë për gabimin: raportimi juaj ishte i 6 janarit dhe jo i 9 janarit …gabimi është gabim dhe për këtë ju kërkoj ndjesë”, shkruante ajo.
Artikulli i gazetarit Galperovich më 6 janar, titullohej: “Moska u përgjigjet me heshtje të plotë akuzave të agjencive amerikane të zbulimit”. Në artikull ai vinte në dukje se, kishin kaluar dy ditë pa asnjë koment nga zyrtarët rusë, të cilët zakonisht reagojnë menjëherë për akuzat amerikane ndaj Moskës. Ai përmendte se deri atëherë, nuk kishte patur deklarata nga Kremlini, Ministria e Jashtme, komisionet parlamentare apo nga zyrtarët e mbrojtjes.

Përgatitje “jo profesionale”
Gazetari Galperovich shprehu keqardhje për mënyrën si e trajtoi ministri i Jashtëm këtë çështje.
“Komentet e zotit Lavrov lënë të kuptohet se, ‘Zëri i Amerikës’ qëllimisht përhap informacione të gabuara”, tha ai.
Zoti Lavrov i bëri kritikat ndaj “Zërit të Amerikës” duke lexuar nga një dokument i përgatitur, në përgjigje të një pyetjeje nga televizioni shtetëror rus “RT”. Gazetari Galperovich tha se nuk është e qartë se përse Lavrovi tha se raportimi i tij ishte i 9 janarit, në vend të 6 janarit.
“Ishte plotësisht jo profesionale për zyrën e shtypit të Ministrisë së Jashtme të kishte përgatitur një informacion të tillë për të”, tha ai.

Artikulli paraprakMay: Britania do të jetë mikeshë e BE-së
Artikulli tjetërBiden paralajmëron Europën për ndërhyrjen ruse në zgjedhje