“Mos festo kështu”!

Në momentin e vërshëllimës finale, Jose Mourinho dhe Antonio Conte shtrënguan duart, por ajo që ngjalli më shumë kureshtje ishte fraza që “Special One” i tha në vesh kolegut të tij. Gjithsesi, mediat kanë këmbëngulur për të zbardhur bisedën mes të dyve dhe ia kanë dalë mbanë me sukses. “Mos festo kështu. Ok qëndron ta bësh një gjë të tillë kur je në avantazh 1-0 por 4-0, jo”. Me pak fjalë, portugezit nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si italiani festoi në rastin e golit të katërt. Conte iu drejtua tribunës, duke ngritur duart lart, duke u kërkuar tifozëve të duartrokisnin skuadrën.
“Nuk ju them se çfarë i thashë”, deklaroi Mourinho në intervistat pas ndeshjes, por lexuesit e buzëve u vunë menjëherë në punë, duke zbardhur bisedën e plotë. “Për fat të keq, pak sekonda nga fillimi ishim në disavantazh dhe pak më vonë iu afruam barazimit. Më pas gabuam dhe Chelsea shënoi golin e dytë. E njëjta gjë ndodhi edhe në pjesën e dytë, sepse ishim shumë pranë golit të parë që do të rihapte ndeshjen, por më pas na shënuan edhe dy herë të tjera”, theksoi portugezi. Në krahun tjetër, Conte replikon në distance.
“Kam qenë futbollist dhe e di shumë mirë se si të sillem. Tifozët tanë ishin të heshtur dhe u kërkova të duartrokisnin djemtë, sepse e meritonin. Kam shumë respekt për kundërshtarët dhe nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Më duket normale sjellja e një trajneri që kërkon të duartrokiten lojtarët e tij. Nuk u solla në mënyrë të gabuar, Mourinho dhe United meritojnë respekt”. Një deklaratë nga ana e trajnerit italian që synon të shuajë menjëherë polemikat edhe pse kur ke përballë një trajner si Jose Mourinho, kjo është e vështirë që të ndodhë.
Jose Mourinho pësoi një disfatë të rëndë në stadiumin ku fitoi famën në ishull, pasi Manchester United u dorëzua pa kushte 4-0 ndaj “Bluve të Londrës”. Nuk pati histori në atë që duhej të ishte një përballje e rivalizuar, pasi Chelsea vrau çdo shpresë të “Djajve të Kuq” në 90 minuta zjarri që filluan me golin më të shpejtë sezonal të Premier League. Pedro përfiton nga dalja e gabuar e De Geas dhe e ndal topin në rrjetë, kur akrepi i sekondave kishte trokitur vetëm 29 herë. Ky është gjithashtu goli më i shpejtë i pësuar nga Manchester United gjatë shekullit të fundit. Një rekord për të cilin do të flitet gjatë në Angli. Ndeshja vijoi në dishezë për skuadrën e Jose Mourinhos, që pësoi edhe golin e dytë në minutën e 21 pas një goditje të saktë të Gary Cahill.
“Stamford Bridge” në festë dhe Antonio Conte në qiellin e shtatë, pasi një start të tillë nuk e kishte ëndërruar as tifozi më i zjarrtë i bluve. Manchester United dukshëm në vështirësi nuk arriti të ndërtonte pothuajse asnjë aksion të rrezikshëm me Pogba e Ibrahimoviç të pafuqishëm për të bërë asgjë. Në krahun tjetër, Chelsea si një orë zvicerane nuk gaboi asgjë në fushën e lojës, duke gjetur golin e tretë në minutën e 62 me belgun Eden Hazard. Festa e bluve u kompletua me një tjetër gol 20 minuta nga fundi ku mesfushori Ngolo Kante bëri gjithçka mirë, duke e ndalur topin në cepin e djathtë të portës së De Geas.

Artikulli paraprakMilani kërkon fitoren e radhës në Xhenova
Artikulli tjetërS’mjafton të jesh CR7, tifozët e vërshëllejnë