Mos çelja e negociatave me BE, diplomati i njohur: Qeveria nuk ka vullnet për përmbushjen e kushteve

Qeverisë shqiptare i mungon vullneti për të ndryshuar dhe për të plotësuar kushtet që na pengojnë në rrugën drejt integrimit në BE. Kështu është shprehur diplomati Agim Nesho, në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, disa ditë më parë, ndau Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut për hapjen e negociatave.

Ajo u shpreh se shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut që këtë vit, ndërsa shtoi se me Shqipërinë çështja është pak më ndryshe.
 

“Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha Merkel në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së.

Po ashtu, Nesho tha se është shumë e vështirë që data 7 dhjetor të sjellë ndonjë ndryshim.

“Ne duhet të dallojmë që ka një periudhë të gjatë, që nga 2015, kur Gjermani kërkoi që t’i jepej një rëndësi e madhe lidershipit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Ballkan. Për t’i afruar sa më shumë drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria gjatë gjithë kësaj periudhë ka pasur regres.”

Sipas tij, çështjet e demokracisë si funksionimi i shtetit ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar janë fenomene, që po e pengojnë integrimin e vendit.

“Qeveria s’ka vullnet politik që të realizojë ato detyrime që janë të domosdoshme. Në qoftë se do të ishte vullneti politik, nuk do krijoheshin pengesa të ndryshme artificiale, si ligji për mediat… ne po i detyrojmë të na vënë kushte”.

Qeverisë shqiptare i mungon vullneti për të ndryshuar, thekson diplomati.

Agim Nesho theksoi po ashtu se mesazhet e Merkel dhe të BE janë të ezaurura dhe serish nuk po shihet asnjë reagim pozitiv.

“Në shumë momente kryeministri jonë, në ndryshim nga i Maqedonisë së Veriut që dha dhe dorëheqjen, nuk reagon. Ata shohin që në Shqipëri asgjë nuk reflektohet. Përkundrazi, bëhet përgjegjëse Evropa”.

Artikulli paraprakInfektohet me Covid-19 epidemiologu që i jep “shpresë” qytetarëve
Artikulli tjetërJa vlerësimi i ‘Forbes’ për menaxhimin e COVID nga Rama…!