Moody’s: Shqipëria vendi më problematik për kreditë e këqija

Sistemi i brendshëm bankar i Shqipërisë është i ngarkuar me kredi të këqija, të cilat arritën në gjysmën e parë të vitit në mbi 20% të totalit, pak poshtë nivelit 23.5% në fund të vitit 2013, teksa shihet se niveli i huave të këqija ka pësuar ulje në Serbi dhe Bosnje për të njëjtën periudhë.
Në analizën e posaçme për Shqipërinë, Agjencia e Vlerësimit të Riskut të Borxhit, Moody’s vë në dukje se, në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë me probleme pësuan rritje vjetore me 1.17 pikë përqindje.
Ky nivel i kredive me probleme e bën vendin me renditjen më të keqe në rajon për NPL-të, shprehet Moody’s.
Pjesa më e madhe e kredive me probleme janë brenda filialeve të bankave greke, dy prej të cilave, Alpha Bank dhe Tirana Bank, kanë raporte të NPL-së afër 40% të totalit të kredisë që kanë dhënë. Për këtë arsye bankat greke janë tashmë objekt i kërkesave të larta për kapitalin minimal dhe mbikëqyren ngushtësisht nga Banka e Shqipërisë.
Kreditë për individët kanë një cilësi më të përmirësuar në raport me totalin e NPL-së, me vetëm 12% nga 15% që ishte ky tregues më 2015.
Megjithatë, shumë kredi me probleme kanë të bëjnë me pasuritë e trashëguara, për të cilat autoritetet po shtyjnë reformat për të lehtësuar ristrukturimin e këtyre kredive.
Përveç kësaj, autoritetet kanë përgatitur një plan veprimi për adresimin e 35 korporatave kredimarrëse të këqija, të cilat janë përgjegjëse për rreth 50% të vlerës së NPL-ve, thotë Moody’s. Por Agjencia e Vlerësimit të Borxhit analizon si pengesë për reduktimin e kredive të këqija përqendrimin e kolateralit në disa sektorë, të tilla si pasuri të patundshme, ku mungesa e një sistemi funksional të ekzekutimit rrit kompleksitetin dhe pasigurinë që rrethon këtë proces.

Artikulli paraprakVendi me sistemin më të prapambetur të pagesave
Artikulli tjetërKreu i BDI, Ali Ahmeti refuzon Ramën