Monopolizohen tenderat, Rama i le në duart e Fatmir Xhafajt

Qeveria ka vendosur të përqendrojë një pjesë të madhe të tenderave publikë në një dorë të vetme. Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e një institucioni të ri, të quajtur Agjencia e Blerjeve të përqendruara, e cila do të zhvillojë të gjithë tenderat publikë për 25 proçedura prokurimi. Sipas vendimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Përmes këtij vendimi qeveria ja ngarkon Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, prokurimin e fondeve buxhetore për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve për 25 lloje proçedurash. Ndër to bëjnë pjesë blerje automjetesh, karburanti, pajisjet e kancelarisë, mobileritë dhe pajisjet e zyrave, sigurim automjetesh dhe të tjerë.
Të gjitha këto prokurime, tashmë nuk do të bëhen më nga institucionet që kanë nevojë, por do të blihen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për llogarinë e tyre.
“Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.

Kjo agjenci drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Brendshëm. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar të mërkurën, kjo agjenci ngarkohet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve si më poshtë:
1.1. Blerje automjetesh;
1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;
1.3. Blerje materialesh kancelarie;
1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
1.7. Blerje këpucësh;
1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
1.9. Blerje tonerash;
1.10. Sigurim automjetesh;
1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
1.12. Shërbim pastrimi;
1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;
1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;
1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;
1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;
1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;
1.20. Shërbime dezinfektimi;
1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;
1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;
1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;
1.24. Shërbim gjelbërimi;
1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

Artikulli paraprakXhafa mbyll gojën, pse nuk arrestohen ish drejtuesit e policisë të Vlorës të shpallur në kërkim për trafikim droge
Artikulli tjetër“Projekte që vrasin”! Protestë para Parlamentit kundër inceneratorëve