Moldavi, a do të fitojë ëndrra evropiane?

Edhe asnjë vendim është një vendim. Madje një vendim mjaft i pranueshëm nga pikëpamja e forcave pro evropiane në Moldavi. Kandidati i tyre, ish-ministrja e Arsimit, Maia Sandu, doli në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më mirë se sa pritej. Vërtet që kundërshtari i saj, lideri socialist pro rus, Igor Dodon, fitoi raundin e parë, por nuk e arriti objektivin e tij. Fushata e tij agresive kundër afrimit të vendit me Bashkimin Evropian mesa duket i ka bërë më tepër dëm sesa dobi.
Dodoni duhet të përgatitet mirë për raundin e balotazhit pas dy javësh. Ai nuk ka rrugë tjetër veçse t’i bindë bashkatdhetarët e tij se qëndrimi i tij pro rus nuk drejtohet kundër Evropës. Nëse ai do t’ia dalë mbanë me këtë, është e diskutueshme. Sidomos votuesit e rinj nuk do t’ia besojnë atij këtë kurs dredharak. Dodoni rrjedh nga qarqet politike të Partisë Komuniste, e cila e ka rrënuar vendin.
Por edhe Maia Sandu nuk e ka të lehtë. Kampi i saj pro evropian nuk ka qenë vërtet i mbuluar me lavdi vitet e fundit. Shumë moldavë e bëjnë të ashtuquajturën qeveri pro evropiane përgjegjëse për krizën e rëndë ekonomike dhe financiare, nga e cila vendi nuk po gjen asnjë mënyrë për të dalë. Maia Sandu i ka shpallur luftë establishmentit të korruptuar dhe do t’u kundërpërgjigjet me gjithë fuqinë oligarkëve. Mënyra e saj e hapur dhe e thjeshtë e bën atë të besueshme dhe mund t’i sigurojë votat sidomos në radhët e votuesve të pavendosur. Ajo e ka të sigurt shumicën e votave ndër banorët e kryeqytetit Chisinau dhe tek shumë moldavë jashtë vendit, të cilët i kanë kthyer të zhgënjyer shpinën vendit të tyre. Por ato nuk janë të mjaftueshme për të realizuar ëndrrën evropiane të Moldavisë. Ajo duhet të bindë një pjesë të popullsisë fshatare që ndaj politikës së saj nuk ka alternativë. Një rikthim në stilin sovjetik vetëm se do ta thellonte katastrofën në Moldavi.
Shumë njerëz në Moldavi janë të zhgënjyer nga BE-ja. Ata kishin shpresuar mirëqenie prej kursit pro evropian të vendit të tyre, por kjo nuk u materializua. Embargoja e tregtisë së Moskës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në i ka shkatërruar shumë fermerë. BE-ja ka reaguar vonë, e për disa shumë vonë, ndaj këtij zhvillimi. Perëndimi për fat të keq ka dështuar që t’u jepte qytetarëve moldavë ndjenjën se i merr seriozisht ata dhe shqetësimet e tyre. Edhe vendi simotër, Rumania e ka ndihmuar vetëm me hezitim fqinjin e saj lindor. Kandidatja Maia Sandu vërtet ka marrë një inkurajim të qartë politik nga Brukseli dhe Bukureshti, por në fushatën e saj zgjerore ajo është e varur kryesisht nga kompetencat e saj dhe fuqia e saj bindëse. Dhe nga mbështetja e të gjitha forcave të kampit pro evropian që ka grindje mes vetes. Nëse ajo do ta ketë vërtet këtë mbështetje kjo vendoset më 13 nëntor. Lojërat e mëtejshme politike në Kisinau mund ta bëjnë ëndrrën evropiane që të plasë si një flluskë sapuni.

Artikulli paraprakKrasniqi, shqiptari kampion në Malajzi
Artikulli tjetërSerbia, pas SHBA-ve, vendi më i armatosur në botë