Mjeku i njohur i jep të drejtë Bashës: Familjarët e mi kanë vdekur nga Covid, por nuk janë raportuar nga qeveria

Mjeku i njohur, Erion Dasho i ka dhënë të drejtë denoncimit të Lulzim Bashës për fshehjen e shifrës së saktë të viktimave nga Covidi duke thënë se e vërtetojnë edhe të dhënat e INSTAT-it.

Në një lidhje live me studion e Fax News, Dasho tha se ka familjarë që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi dhe nuk rezultojnë askund në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Debati nuk është mes opozitës dhe mjekëve. Pika është kjo, të gjitha indiciet deri tani, përmenda rastin e mjekut në Kavajë, të familjarëve të mi, të cilët kanë vdekur nga Covidi dhe nuk kanë figuruar në raportin e personave që kanë humbur jetën. Për këtë jam në gjendje të jap emrat, datat e vdekjes dhe gjithçka tjetër. Pra këto janë raste që i di personalisht. E dyta, shifrat e INSTAT-it janë më të larta dhe nuk shpjegohen me tjetër gjë veçse me Covidin”, tha Dasho.

Mjeku shtoi se ka raste që ndërrojnë jetë në shtëpi apo rezultojnë negative në tamponin e Covidit dhe vdesin, të cilat nuk raportohen.

Ndër të tjera, ngriti alarmin për situatën e pandemisë duke thënë se brenda 2 javësh do të ketë shifra më të larta të rasteve të reja dhe viktimave.

“Nuk humbin jetën ata që vdesin në shtëpi, ata që rezultojnë negative. Kjo kërkon marrje masash urgjente. Nuk mund të fshihemi më pas deklaratave dhe lojrave të fjalëve. Nuk testohemi sa duhet. Shqiptarët po përballen me një fazë agresive të pandemisë, rastet që shohim në spitale janë të infektuarit e dy javëve më parë, kur të vijnë të infektuarit e sotëm, do të kemi shumë më tepër raste dhe humbje jetësh fatkeqësisht. Kemi mjekë dhe infermierë që humbin jetën”, tha Dasho.

Artikulli paraprakDëshmia tronditëse personale e Edi Palokës: Pedagogia e njohur, vajza e tezes, humbi jetën nga COVID dhe nuk u raportua
Artikulli tjetërEksperti i Shëndetësisë: Vdekjet nga Covid po fshihen edhe përmes tamponëve negativë