Misteri “Neuer”

Mbetet ende një mister data e rikthimit në fushë të Manuel Neuer. Drejtuesit i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge konfirmoi se është e paqartë se kur mund të rikuperohet me saktësi portieri gjerman. 62-vjeçari tha se nuk e di nëse Neuer mund të jetë i diponueshëm pas pushimeve dimërore, megjithëse u shfaq optimist për fazën e rikuperimit të gardianit të bavarëzeve. Menuel Neuer nuk aktivizohet me kampionët e Gjermanisë që prej muajit prill. Stafi i Bayernit nuk kërkon të nxitohet me riaftësimin e tij, aq më tepër që Sven Ulreich ka treguar një formë të mirë gjatë kësaj periudhe, duke ofruar garanci në portë.
Arjen Robben ka pranuar se do të dëshironte që Jupp Heynckes të qëndronte në krye të Bayern Munich. 72-vjeçari u rikthye si trajner i bavarezëve si një afatshkurtër, pas shkarkimit të Carlo Ançelottit, deri në fund të këtij sezoni, por i tillë është efekti që ai ka pasur në ekipin e parë, sa ka pasur sugjerime që atij mund t’i dorëzohet roli për një periudhë më të gjatë. Legjenda e klubit, Lothar Matthaus, tha të hënën se nuk ka “asnjë trajner më të mirë në treg”, gjë me të cilën pajtohet edhe anësori 33-vjeçar holandez. “Do të ishte një kënaqësi, tha Robben për “Bild”, pas pyetjes se si do të ndihej nëse Heynckes do të vazhdonte si trajner i Bayern Munich. Gjithçka është e mundur. Skuadra, sikurse e keni parë, po ecën shumë mirë me atë trajner. Nëse dikush e njeh klubin si duhet, atëherë është ai. Heynckes, gjithashtu, e di se çfarë nevojitet sot në futboll. Gjithçka me të është e mrekullueshme. Nuk e di se çfarë mendon, apo cili është plani i klubit, por unë dëshiroj të vazhdojmë me këtë trajner”.
Karl-Heinz Rummenigge, kryetari i bordit ekzekutiv te Bayern Munich, ka qenë i shqetësuar për temën. “Kur Jupp arriti, ia bëmë të qartë periudhën e punës me ne dhe kjo nuk ka ndryshuar, tha ai. Mbaj mend atë që ne jemi pajtuar me këtë interval kohor. Ai padyshim ka pasur një efekt të madh në drejtimin e skuadrës. Bayern Munich me të është i qëndrueshëm, luan mirë dhe të argëton. Ne jemi duke bërë mjaft mirë në të tria garat. Jo vetëm që po fitojmë, por po luajmë me futboll të mirë”. Bayern Munich aktualisht gjendet në krye të Bundesligës, gjashtë pikë avancë nga Schalke dhe RB Leipzig, ndërsa progresi në Ligën e Kampionëve tashmë është siguruar, me dy ndeshje të fazës së grupeve për t’u zhvilluar ende.

Artikulli paraprakDako në përgjimet e EULEX ndërsa po hetohej banda e drogës
Artikulli tjetërCristiano Ronaldo sulmon mediat