Misioni i pamundur i opozitës në Parlament

Bledi KASMI

Ngjarjet e djeshme në Parlament ishin një paralajmërim i keq për atë që mund të ndodhë nesër. Destabilizimi që duket sikur është larg, mund të jetë në prag. Kjo mund të ndodhë nesër, mund të ndodhë pas një jave apo pas një muaji.
Në një Kuvend të mbushur me kriminelë, vrasës, trafikantë prostitutash dhe hajdutë që i janë turrur tenderave, tani çdo gjë është e paparashikueshme.
Aq më shumë kur Parlamenti dhe Kryetari i saj nuk kanë guximin të përdorin të njëjtin standard gjykimi në të paktën zbatimin e rregullores së Parlamentit kur vjen fjala për të dënuar një mi halesh si Erion Braçe.
Që Ilir Meta është në marrëdhënie varësie nga Rama kjo mund të imagjinohet, por jo deri në atë pikë sa emri i tij të jetë edhe përfund atij të Erion Braçes.
Parlamenti nuk vendosi mbrëmë për të përjashtuar këtë gore nga Kuvendi duke lënë të hapur mundësinë e një destabiliteti që duke nisur nga salla e tij mund të prodhojë shumë më tepër zjarr nga jashtë.
Kjo sallë e Kuvendit nuk mund të vazhdojë më të prodhojë debat politik, por mund të prodhojë vetëm konflikt politik. Nuk mund të sjellë stabilitet, por vetëm të nxisë destabilitet. Një Kuvend që dhunon ligjet, kur ai duhet të jetë tempulli i ligjbërjes, ai nuk mund të ekzistojë më.
Do të jetë vetëm një iluzion sikur të mendosh se kjo mazhorancë me kriminelë e hajdutë tenderash të ketë vullnetin politik të votojë Reformën në Drejtësi. A mund të votojnë këtë reformë deputetët që të shkojnë me këmbët e tyre para drejtësisë? A mund të votojë Rama një Byro Hetimi që të pranojë ti vërë prangat për abuzimet skandaloze?
Misioni i këtij Parlamenti ka skaduar. Ai nuk mund të bëjë as Reformë në Drejtësi dhe as të mbrojë interesat publike. Ky Parlament është tani vetëm një fortesë kundër Reformës në Drejtësi dhe në të njëjtën kohë është kopertura e të gjitha aferave të pista të deputetëve të kësaj mazhorance me fondet publike.
Ky Parlament është aty vetëm për pushtetin personal të Ramës dhe banditëve që e rrethojnë dhe roli i opozitës bëhet gjithnjë dhe më i pamundur në atë sallë. Rama nuk i çon mandatet e Leskajt dhe Sulit në Kushtetuese dhe arsyeja është e thjeshtë. Nëse do të çojë mandatet e tyre në Kushtetuese, atëherë pas tyre do të shkojnë të paktën edhe shtatë deputetë të tjerë, të cilët po ashtu kanë përfituar fonde nga Prokurimet Publike në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Ndaj, Rama nuk zbaton ligjin dhe vendos kusarët mbi ligjin, sepse pa ata ai është vetëm një minorancë në Parlament.
Në kushtet kur opozita e ka të pamundur misionin e saj në këtë institucion, ajo duhet të shohë opsionet e tjera, ku më kryesori është ai për t’iu drejtuar popullit. Kur Parlamenti ka rënë në putrat e një miu halesh, në fjalorin banal dhe ordiner, atëherë mënyra më e mirë për të korrektuar këtë arrogancë është bashkimi me qytetarët në një betejë të fortë, për të rikthyer në vend parlamentarizmin.
Ky Parlament i duhet sot Ramës vetëm për të fituar kohë. Ramës i duhet kohë që të zvarrisë dekriminalizimin. Atij i duhet kohë të mos ngrejë Byronë e Hetimit dhe të refuzojë Reformën në Drejtësi. Kjo kohë, i nevojitet që ai të shkojë në zgjedhjet parlamentare me deputetët e majmur me tenderat në kundërshtim me ligjin, që ata të blejnë lehtësisht votat.
Kjo kohë i duhet për të shpëtuar kriminelët që ka në parti sepse pa ata, ai e di shumë mirë se nuk merr as 25% të votave të shqiptarëve. Në kushte të tilla, as që mund të imagjinohet të ketë një bashkëjetesë të opozitës me interesat personale politike të Ramës.
Koha dhe afati që i janë dhënë deri tani kanë skaduar. Dita e djeshme dhe reagimi i Byrosë së Parlamentit ndaj një miu halesh është i mjaftueshëm për të kuptuar se ky Parlament ka rënë.

Artikulli paraprakParlamenti ka rënë, tani luftë me mafian
Artikulli tjetërFaqja e parë