Minus tre…

Nga Elona CASLLI

Mungojnë veçse tri ditë, për të mbërritur në 2020. Në paradhomën e vitit të ri, duket se, pashmangshmërisht, ajo çka lamë pas, ngre krye, jo për të na mbajtur peng, por për të na kujtuar faktin, se ngjarjet duhen lënë pas, për t’i kapërcyer dhe nuk duhen harruar, për të mos i përsëritur.

Në një vit mund të ndodhin plot ngjarje.

Në një vit mund të humbasësh besimin e krijuar prej kohësh, në një çast të vetëm. Mundet vetëm një çast prej pak sekondash të zhbëjë besimin e shumë muajve. Dhe pikërisht, ata pak sekonda mund të të shtrëngojnë të kuptosh se, shpeshherë, sytë shohin atë çka duan të shohin dhe jo atë çka është në të vërtetë.

Në një vit, mund të njohësh njerëz të panjohur, që trokasin njerëzisht në të përditshmen tënde dhe bëhen krejt natyrshëm pjesë e saj.

Në një vit, mund të kuptosh që, pikërisht çasti kur ti besoje se gjithçka kish mbaruar, ishte çasti kur rifilloi gjithçka.
Në një vit, mund të kuptosh që do të ketë gjithmonë një individ, që do të qëndrojë në kahun e së drejtës dhe do ta përdorë autoritetin e tij, për t’i dhënë zë së drejtës dhe jo për ta mekur atë.

Në një vit, mund të kuptosh që njerëzit, që nuk mund të lexojnë heshtjen tënde, kurrsesi nuk mund të ta kuptojnë as fjalën.
Në një vit, mund të kuptosh se mund të jesh i pranishëm edhe në mungesë.

Në një vit, mund të kuptosh domethënien, misionin dhe fuqinë e fjalës.

Sa shumë gjëra mund të kuptosh në një vit!

E vetmja gjë, që nuk ndryshon nga viti në vit, është bindja se dashuria është mirësjellja e universit.

Post Scriptum: Mirënjohje për vëmendjen dhe dashamirësinë, që keni dëshmuar ndaj fjalës sime të shkruar. Mirënjohje për çdo vlerësim tuajin.

Ndihem thjesht dhe vetëm e bekuar nga mirësjellja juaj!

Uroj që viti 2020 të ketë rezervuar pjesën më të mirë për ju dhe për gjithçka dhe gjithkënd që keni në zemër!
80425545 836616836808862 8329684171140104192 n

Artikulli paraprakMbi 10 mijë të prekur nga tërmeti do kalojnë Vitin e Ri në çadra, Rama nuk heq dorë nga luksi
Artikulli tjetërAktori i njohur mesazh Veliajt: Unë jam si macja përballë pianos kur…