Ministrja teknike Vukaj, ndërhyn për zgjidhjen e tensioneve tregtare Shqipëri-Kosovë

Mund të konsiderohet realisht si “patatja e nxehtë” tensioni tregtar i regjistruar ditët e fundit mes Shqipërisë dhe Kosovës për çështje e importit të patateve në vendin tonë.
Gjithçka lindi nga një vendim tinëzar dhe aspak patriotik i firmosur nga Arben Ahmetaj, pak ditë përpara se të linte zyrën, të cilën e mori më pas ministrja teknike Helga Vukaj. Me makutërinë që e karakterizon dhe me shumë gjasë me sponsorizimin e lobeve të forta tregtare në vend, Ahmetaj firmosi një vendim që e rriste çmimin e referencës për patatet dhe qepët e thata nga Kosova në Shqipëri, duke e penalizuar fort produktin bujqësor kosovar pa patur një arsye apo argumentim konkret.
Por burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, bëjnë të ditur se ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas kësaj ndërhyrje të ministres Vukaj, tensionet e shfaqura sërish mes Kosovës dhe Shqipërisë janë drejt zgjidhjes pas rishikimit që i është bërë çmimeve të referencës së miratuar më herët nga ish-ministri Ahmetaj. I gjithë ky nonsens në qëndrimin e qeverisë shqipare dhe ish-ministrit Ahmetaj, doli në pah pikërisht në ditët kur Edi Rama ka marrë flamurin për të sëndërtuar ish-Jugosllavinë tregtare, me propozimin për krijimin e tregut të përbashkët në Ballkan, por vetëm një ndryshim të vogël, duke përjashtuar Kosovën nga këto benefite dhe duke “integruar” Shqipërinë në vizionin e Aleksandër Vuçiç.

Artikulli paraprakJuristët: Lista e Ramës e paligjshme. Shkel të drejtat e njeriut
Artikulli tjetërZjarret djegin plantacionet me agrume dhe kurorat e gjelbërta